Ligji për dialogun, i panevojshëm e që ndërhyn në punën e Kuvendit

0
74

Ligji për dialogun, ishte njëri nga pesë kushtet e Partisë Social Demokrate, për të votuar për Buxhetin. Mirëpo një gjë e tillë, që nga fillimi nuk ka gjetur përkrahjen e opozitës. E edhe pse Ligji për dialogun është votuar në lexim të parë, VV thotë se do ta dërgojë në Kushtetuese këtë ligj, për të cilën po pajtohen edhe njohës të aktualitetit dhe të kushtetutës.

Në seancën më të gjatë të mbajtur ndonjëherë në Kuvendin e Kosovës, gjatë ditës së djeshme është votuar me 61 vota pro në lexim të parë Projektligji për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Në debatin që është zhvilluar në orët e vona, Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje ka pasur shumë vërejtje për këtë projektligj, ku mes tjerash ka paralajmëruar që do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

“Ata që i kanë marrë votat e elektoratit të Vetëvendosjes nuk kanë të drejtë me hy në pazare dhe nuk kanë të drejtë ta legjitimojnë Thaçin. Nëse duan ta legjitimojnë atë, hajde le të shkojmë në zgjedhje, dhe pastaj e shohim kush ku është. Pra, nuk ka të drejtë askush që të marrë vendime tjera për sa kohë është deputet me votat e votuesve të Vetëvendosjes. Ky ligj është skandaloz në aspektin politik, por po ashtu edhe kundër Kushtetutës. Në emër të grupit parlamentar, ju njoftoj që ne do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese. Tash dikush thotë, hajde thuajeni se edhe PSD-ja e ka kapur Gjykatën Kushtetuese, jo. Ama, PDK-ja po punon shumë mirë për PSD-në, sepse kështu po i përshtatet edhe Thaçit edhe PDK-së”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu mes tjerash tha se ky projektligj është shkruar nga vet Hashim Thaçi. Ku, sipas saj, nuk vendos asnjë vijë të kuqe, se për çka do të bisedohet me palën tjetër.

Profesori i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se Projektligji për dialog, ka qenë i panevojshëm, duke ditur se Kosova ka Ligjin për Marrëveshje Ndërkombëtare.

“Është një ligj që Kosova e ka për marrëveshjet ndërkombëtare. Dhe për çfarëdo marrëveshje, në cilin do nivel, për cilin do rast, ai ligj i cili është në fuqi, dhe i ka të gjitha mekanizmat e një ligji, të duhur që i përgjigjet kërkesave të marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomatike dhe lidhjes së konventës dhe marrëveshjeve të ndryshme me cilin do shtet në botë. Qoftë në mënyrë bilaterale ose më shumë se kaq, ajo është në fuqi, dhe ai do të zëvendësonte shumë më mirë këtë akt ligjor që po përpiqet të trajtohet, pozita me një parti opozitare si lex specialis, ta kryente punën në çdo kontakt, me cilin do subjekt bashkësisë ndërkombëtare”, tha Baraliu.

Ky projektligj, tha ai se ishte i domosdoshëm për të kamufluar pamundësinë dhe paaftësinë që ishte evidentene tek koalicioni qeverisës për të bërë një ekip të përbashkët konsensual, pozitë-opozitë.

Se ky projektligj ka qenë i panevojshëm, thotë edhe analisti politik Ramush Tahiri, në këtë mënyrë tha se do të interferohet në punën e Kuvendit.

“Me ligj nuk rregullohet ky fushëveprim, do të thotë i dialogut, sepse nuk kemi ligj për marrëdhënien ndërkombëtare, ajo rregullohet me Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, rregullohet me Ligjin për funksionimin e Kuvendit, Qeverisë, me kushtetutë dhe me ligje tjera. Gjithashtu deputetët për mendimin tim, me të drejtë, thanë që nuk mund të rregullohen dhe të jepen kompetenca shtesë edhe për deputetë të tjerë, edhe për mënyrën e vendimmarrjes në Kuvend, përveç asaj e cila është e paraparë me kushtetutë. Gjithashtu e theksuan se dikush që është deputet nuk ka të drejtë të jetë edhe në ekzekutiv që është normë e caktuar. Dhe gjithashtu dokumentet a do të jenë sekrete apo jo, ka ligje që i përcakton, dhe kjo nuk mund t’i mveshet një komisioni ad-hoc. Gjithashtu shpallja e ligjit si ligj special, konsiderohet që është jashtë kushtetutës, sepse ky ligj interferon plotë ligje tjera të Kosovë s, por edhe vet punën e Kuvendit ”, ka thënë Tahiri për KosovaPress.

Në një përgjigje me shkrim, zyrtari për media në Partinë Social Demokrate, Shkodran Hoti tha se ky paralajmërim i Vetëvendosjes është legjitim. Por, që sipas tij, VV-ja duhet të fillojë të respektojë vendimet e gjykatave.

“E drejta për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese sipas normave ligjore, është e drejtë e garantuar në Republikën e Kosovës. Kjo sigurisht se vlen edhe për Vetëvendosjen, e cila mbase në të ardhmen do të fillojë t’i respektojë edhe vendimet e gjykatave, ku ngritin vetë procedura, si në rastin e çështjes së nënkryetares së Kuvendit”, ka thënë Hoti për KosovaPress.

Por, sipas Mazllum Baraliut nëse ky projektligj do të kalojë edhe në lexim të dytë, dhe dërgohet në Kushtetuese, atëherë duhet të ndërpritet procedura derisa të trajtohet, dhe si i tillë nuk duhet të hyjë në fuqi. Kujtojmë se pesë kushte kishte vënë Partia Socialdemokrate kur si parti opozitare, më 21 dhjetor të vitit të kaluar bëri të mundur të kalojë në parim Projektligji për Buxhetin e vitit 2019. Të gjitha këto kushte, janë plotësuar gjatë ditës së djeshme, duke përfshirë kështu edhe shkarkimin e ish-ministrit, Nenad Rikallo.

(kosovapress.com, 03/02/2019)

comments

SHARE