Liqeni Trump, me kumbarë të ri?

Doktrina Trump u dha disave idenë se do të vijë deri të shpërbërja e BE-së dhe NATO-s dhe se Ballkani i ri nuk krijohet me marrëveshje, por këtë e bën vetëm fuqia e armatës dhe ndërrimi i anës. A është ky opsion ende aktual? A do t’i kthejë administrata e re gjërat në vend të vet dhe a do të vazhdohet rruga e integrimeve evropiane? A do t'u kthehemi bisedimeve apo do të armatosemi?

0
73

Zgjedhjet në SHBA nuk kaluan ashtu si dëshiruan në Beograd, e aq më pak në Moskë dhe disa qendra të tjera me ndikim në Ballkanin Perëndimor. Donald Trump nuk e mori mandatin e dytë presidencial dhe me këtë ra në ujë ideja për këmbime territoresh dhe luftëra të reja, për çka disa vende të regjionit u patën armatosur rëndë me raketa, MIG, apo me dronë. Nuk ishin të kënaqur as kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, as presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të cilët e luajtën të njëjtën lojë, ndërkohë që presidenti i ri, Joe Biden, ka më shumë gjasë që nuk pranon që liqeni të marrë emrin e tij.

Kështu, sërish po kthehemi me të vjetrën. Shqiptarët do ta quajnë Ujman, e serbët Gazivode. A do të respektohet marrëveshja, jo vetëm për liqenin por edhe gjithçka tjetër çfarë u nënshkrua, mbetet të shihet pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, tashmë ka filluar të flasë për futjen e shërbimit të obligueshëm ushtarak, sa për shkak të Kosovës e  sa për shkak të fqinjëve të tjerë. Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, po u ankohet ambasadave se Vučić po flet për luftë, dhe e përmend Ushtrinë e Kosovës si përgjigje, duke theksuar edhe marrëdhënien e re me Ushtrinë e SHBA-së për pjesëmarrje të përbashkët në operacione ndërkombëtare paqeruajtëse.

Të tjerat mbetet të shihen, përpos që kur është fjala për marrëdhëniet e Kosovës me Izraelin veç po flitet për hapjen e ambasadave. Mbetet të shihet nëse ishte vërtetë marrëveshje e Serbisë me administratën amerikane, apo këto ishin vetëm premtime në rast se Trump sërish fiton në zgjedhje.

Ndërkaq, kur jemi te Kosova, zgjedhjet janë te dera. Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë një enigmë. Partitë që tubojnë shqiptarët ndodhen në njëfarë udhëkryqi. Rënia e Trump-it dhe doktrinës së tij ka prodhuar pasoja për ato parti që kishin lëshuar pe para presionit të Richard Grenell-it, përfaqësuesit të presidentit Trump. Koalicioni i LDK-së dhe të tjerëve, me përkrahjen e heshtur të PDK-së, pas thyerjes së “Koalicionit për ndryshime”  LVV-LDK, shkoi në Uashington për bisedime pa një ide të qartë se çfarë do të nënshkruajnë atje apo për çfarë do të bisedojnë së paku. Dorën në zemër, ata dhe pala serbe e dinin se nuk do të ketë diçka të madhe por e dinin se gjithqysh duhet të duket si marrëveshje historike. Krijohet përshtypja se për disa pjesë të marrëveshjes ata kanë marrë vesh vetëm pas nënshkrimit. Tani, pas Trump-it, këto parti shqiptare janë në kaos të plotë dhe po përpiqen të arsyetohen para elektoratit me argumente se po mbronin marrëdhënien speciale me SHBA-në dhe besnikërinë e politikës kosovare ndaj SHBA-së, e veçanërisht prezencën ushtarake të saj, pa të cilën nuk ka as pavarësi të Kosovës.

Bashkë me llafet e shumta për arsyet të cilat pikërisht tash sollën deri te arrestimi dhe fillimi i procesit gjyqësorë ndaj ish-presidentit të Kosovës dhe njeriut të parë të Partisë Demokratike, zhvillohet edhe një fushatë mediatike e cila konteston këtë gjykim, prandaj flitet edhe për një ide tmerruese se gjykimi i tyre do të thotë edhe gjykim të Kosovës, gjegjësisht luftës së saj për liri e pavarësi.

Kështu, këto dy parti, u gjendën para zgjedhjeve të reja, me përplot vështirësi për të sqaruar elektoratin se çfarë po ndodhë, ndërkohë që përballë tyre u gjend partia të cilën ato e kishin rrëzuar nga qeverisja, duke rrëzuar kështu edhe “koalicionin për ndryshime”.  Kjo parti, sipas të gjitha hulumtimeve të opinionit, ka përparësi të madhe, aq sa parashihet të fitojë një shumicë absolute, ndërkohë që këto të dyja do të luftojnë për vendin e dytë. Sidoqoftë, nëse me çfarëdo varianti LVV fiton shumicën absolute, çka është vështirë të besohet por nuk përjashtohet, kjo do të thoshte hyrje në një proces të spastrimeve të skenës politike dhe institucioneve që do të nxiste një proces të ngjashëm edhe në vendet e regjionit. Por një zhvillim i tillë është vështirë të pritet, prandaj në këto rrethana roli i Listës Serbe dhe komuniteteve rritet duke e sqaruar kështu angazhimin e presidentit serb Vučić, për bashkimin e serbëve rreth kësaj liste, bashkë me komunitetet e tjera. Përderisa respektohet ligji dhe kushtetuta, nuk ka asgjë të keqe që Lista Serbe përpiqet të fitojë sa më shumë mandate, as në përpjekjet për t’i mbledhur rreth vetes komunitetet, kuptohet, me aprovimin e tyre. Sloganet e dikurshme se më mirë të mbrohet populli serb në institucione të Kosovës sesa në urë, janë qëndrim që duhet përshëndetur dhe duhet njohur legjitimitetin e angazhimit për një pozitë sa më të mirë dhe të drejta sa më të mëdha të pakicave në Kosovë, por mbetet të shihet se a do të jetë ky bashkim në funksion të krijimit të krizave apo për të përkrahur ndryshimet.

Tani për tani është shumëçka e paqartë, ndërkaq çështja e Ujmanit/Gazivodës është më tepër e natyrës retorike sesa politike. Doktrina Trump u dha disave idenë se do të vijë deri të shpërbërja e BE-së dhe NATO-s dhe se Ballkani i ri  nuk krijohet me marrëveshje, por këtë e bën vetëm fuqia e armatës dhe ndërrimi i anës. A është ky opsion ende aktual? A do t’i kthejë administrata e re gjërat në vend të vet dhe a do të vazhdohet rruga e integrimeve evropiane? A do t’u kthehemi bisedimeve apo do të armatosemi? Lista serbe ka një përgjegjësi të madhe për paqen dhe të ardhmen e marrëdhënieve të komunitetit serb me të tjerët në Kosovë. A janë të vetëdijshëm  për këtë?

Por, le ti kthehemi retorikës: a do të fitojë liqeni Trump një kumbarë të ri, apo gjithçka do të kthehet në gjendjen e vjetër të marrëdhënieve tona?

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE