Liria ka emër

Sloboda ima ime, tačno je, ali i zločini u ime slobode imaju imena, nevine žrtve imaju imena, spaljena sela imaju imena, spaljene crkve i manastiri isto tako imaju imena, porušena groblja imaju imena.

0
64

Para se të themi çfarëdo qoftë në përputhje me titullin, më duhet të kufizohem, jo nga frika por nga mirësjellja, që asnjë qëndrim në tekstin pasues nuk është i drejtuar kundër kujtdo  qoftë porse vetëm ka për qëllim që të tregojë edhe atë anën tjetër, më të errët dhe shpeshherë të fshehur të medaljes fituese.   

Ditëve të fundit nëpër enklavat serbe në Kosovë sulmet janë bërë aq të shpeshtë sa që po marrin formën e një presioni të organizuar mbi popullatën e mbetur serbe, sipas njoftimeve të portalit RTS. Ndonëse një qëndrim i tillë do të mund të tingëllonte tepër i fortë, veprimet e individëve në terren janë të tilla saqë edhe nuk po na lënë mundësi për ndonjë konkludim tjetër. Mes tjerash, si të kuptohen ndryshe veprimet e tilla?   

Panotë, posterët, grafitet dhe e gjithë ikonografia tjetër janë gjithnjë e më të pranishme në mjediset serbe, banorët e të cilave i kuptojnë si metodë presioni dhe fushatë ndaj popullit serbë që ka mbetur në Kosovë. Por kjo është një metodë tashmë e provuar gjatë tërë këtyre viteve që i kemi lënë pas dhe si e tillë gati se është bërë normale sa herë që, sipas vlerësimeve të disave, cenohet demokracia kosovare apo frytet e luftës së UÇK-së. Dhe po, e saktë është që Liria ka emër, por liria e kujt dhe çfarë emri? Pa qëllimin që e tërë kjo të tingëllojë nacionaliste apo sido ndryshe, duhet një herë e përgjithmonë të kuptojmë që Kosova as nuk është demokraci, as nuk është e lirë për të gjithë qytetarët e saj. Edhe pse në ligje dhe në Kushtetutë shkruan një gjë, në terren të gjithë e kanë të qartë që zhvillohet një skenar krejt tjetër; dikush diku ka vendosur që Kosova e mirë është vetëm ajo që nuk ka serbë. Dhe po, e di që një qëndrim i tillë do të haste në një ortek komentesh negative ndaj meje, por a jemi të gjithë të verbër, të shurdhër, apo në çfarëdo mënyre të paaftë të shohim se çka po ndodh dhe që përfundimisht dikush paanshëm të shikojë situatën nga të gjitha këndet. Mendoj që të tillë ka në të dyja anët, por janë në një numër shumë të vogël dhe nuk kanë guxim që t’i kundërvihen shumicës sepse kjo ende nuk është e dëshirueshme e as e sigurt, nëse vërtetë duam që të flasim hollësisht.

Liria ka emër, e saktë, por edhe krimet në emër të lirisë kanë emra, viktimat e pafajshme kanë emra, fshatrat e djegura kanë emra, kishat dhe manastiret e djegura gjithashtu kanë emra, varrezat e rrëzuara kanë emra. Çdo gjë ka emrin e vet, vetëm ndonjëherë duket se disa emra shkruhen me shkronja të mëdha dhe disa me shkronja të vogla, me një qëllim të qartë që është i njohur për të gjithë. Hedhja nën hije e gjithë asaj që është e ndyrë dhe e keqe dhe theksimi i diçkaje që dikush e ka përcaktuar si pozitive është e barabartë me shpresën e një të dënuari me vdekje për falje. Të gjithë ne i dimë emrat, por askush nuk i përmend.

Natyrisht, disa emra na kujtohen një herë në vit kur e shënojmë ditën e vuajtjeve të tyre, disa emra i dimë, por ata në terren nuk janë më të njëjtit, disa emra i mbajmë mend sepse vetëm emri u ka mbetur, e disa emra të tjerë duket që fatkeqësisht edhe i kemi harruar. E pikërisht ata emra të harruar nuk na japin të drejtë që të flasim për të gjithë emrat tjerë. Shumë fjalë të njëjta në një fjali, shumë emra,gramatikisht keq, por moralisht plotësisht e drejtë.      

Ashtu si liria e dikujt që ka emër edhe mungesa e lirisë së dikujt ka emër, dhe fatkeqësisht më së shpeshti ai emër është i njëjtë, ndërsa dikujt i solli lirinë disa të tjerë i burgosi, vrau dhe dëboi. Disa do të thoshin se pa sakrificë nuk ka liri, por ka tepër viktima për ta quajtur të gjithë këtë liri. Derisa të mos i përmendim, respektojmë dhe mbrojmë të gjithë emrat, e gjithë kjo do të jetë vetëm një iluzion i lirisë dhe ngadalë por me siguri shndërrohet në një lloj skllavërie, dhe na bën robër të lirisë sado ironike që kjo të tingëllojë. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE