Lirisht të palirë

Gjatë disa viteve të fundit gazetarët serbë në Kosovë po përjetojnë diçka që moti nuk kanë përjetuar, po bëhen caqe të propagandës politike serbe për shkak të një arsyeje të vetme: që kanë guxuar të mos mendojnë njëjtë sikurse partia në pushtet në Serbi, sikur presidenti i Serbisë. Në vend që të festojmë shumëllojshmërinë dhe lirinë e mendimit, në vend që të nxisim shoqëri kritike dhe të bëjmë pyetje, ne gjithnjë e më tepër po shndërrohemi në një masë e cila është e dënuar të mendojë ekskluzivisht ashtu siç është urdhëruar nga kreu më i lartë shtetëror.

0
103

Më tre maj në botë shënohet Dita ndërkombëtare e lirisë së shtypit. Si çdo vit tjetër, edhe këtë tre maj e rikujtuam rëndësinë e lirisë së mendimit dhe shtypit, por në të njëjtën kohë edhe përgjegjësinë e shtetit që atë liri ta sigurojë dhe respektojë. Ndonëse ka vite të tëra që të gjithë pohojmë, e në veçanti elitat politike, se liria e shtypit është e garantuar, duhet të shtrojmë pyetjen sa është kjo me të vërtetë e saktë? Përshtypja ime personale reduktohet në një gjë: liri ka pak, gazetarë të lirë edhe më pak. Kjo situatë, natyrisht, është e njëjtë edhe në hapësirën e Kosovës.

Jemi dëshmitarë që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, vetëm para disa ditëve i quajti gazetarët serbë nga Kosova mercenarë të huaj, qëllimi i vetëm i të cilëve është rrëzimi i autoritetit të partisë më të madhe serbe në Kosovë, “Listës Serbe”. “Organizojnë rrjetin e agjenturës mediale, në veçanti në veri të Kosovës, paguajnë miliona dollarë dhe ata bëhen furnizuesit kryesor të informatave edhe në Serbinë qendrore, edhe në shumë vende të tjera, direkt të paguar nga jashtë, vetëm që të rrëzojnë unitetin e popullit serb në verit të Kosovës dhe Metohisë e edhe në pjesët tjera të Kosovës dhe Metohisë,” tha presidenti i Serbisë. 

Përveç apostrofimeve direkte dhe indirekte të të gjithë atyre që nuk mendojnë sikur presidenti serb, kësaj here Aleksandar Vučić i sulmoi gazetarët të cilët para së gjithash po përpiqen që të paraqesin pasqyrën reale të jetës së përditshme dhe pozitës së serbëve në Kosovë. Por, qartazi, gazetarët që e kryejnë punën e tyre si duhet dhe, për dallim nga shumë kolegë të tyre në Serbi, me gazetari merren në mënyrë të dinjitetshme e jo që t’ia bëjnë qefin presidentit serb, janë bërë shënjestër e re e politikës serbe. 

Gjatë disa viteve të fundit gazetarët serbë në Kosovë po përjetojnë diçka që moti nuk kanë përjetuar, po bëhen caqe të propagandës politike serbe për shkak të një arsyeje të vetme: që kanë guxuar të mos mendojnë njëjtë sikurse partia në pushtet në Serbi, sikur presidenti i Serbisë. Në vend që të festojmë shumëllojshmërinë dhe lirinë e mendimit, në vend që të nxisim shoqëri kritike dhe të bëjmë pyetje, ne gjithnjë e më tepër po shndërrohemi në një masë e cila është e dënuar të mendojë ekskluzivisht ashtu siç është urdhëruar nga kreu më i lartë shtetëror.

Këtë tre maj, në vend që të festojmë ditën kur Kombet e Bashkuara e kanë zgjedhur si ditë të shënimit të lirisë së shtypit, ne për fat të keq shtrojmë pyetje sa ekziston një liri e tillë? Gazetarët serbë në Kosovë, së paku ata të cilët me të gjitha forcat po përpiqen që të jenë objektiv dhe nuk heqin dorë nga parimet dhe etika e gazetarisë, në mënyrë konstante apostrofohen dhe etiketohen si tradhtarë. 

Ndonëse të lirë në një gjendje mungese lirie që sundon në mënyrë konstante, edhe pse të dënuar nga ana e kreut më të lartë shtetëror të Serbisë, edhe pse në shënjestër të apostrofimeve dhe etiketimeve, këta njerëz të guximshëm po qëndrojnë në punën e tyre nën kushte që janë gjithçka vetëm jo të pranueshme. Për këtë arsye, ky tre maj u dedikohet atyre, që luftojnë për gazetari të mirëfilltë dhe të cilët për kurrfarë çmimi nuk kanë hequr dorë nga e vërteta dhe liria e shprehjes në Kosovë. 

SHARE