Listë qëndrimesh apo dëshirash

Fakt është që negociatat janë të ngadalshme dhe të mundimshme për të dyja palët, por qëndrimi që ato edhe më shumë të ngadalësohen është raport i keq ndaj negociatave dhe thjesht dëshirë e qartë që ato maksimalisht të ngadalësohen e që veten ta prezantojnë si mbrojtës së interesave kombëtare.

0
216

Është pritur goxha gjatë që procesi i negociatave të vazhdohet – derisa të mbahen zgjedhjet, pastaj derisa të formohet shumica qeverisëse, mandej derisa të caktohen negociatorët, e kështu gjithnjë në rreth me të cilin tashmë jemi mësuar. Por pothuajse askush nuk ka pritur që asgjë nuk do të ndryshojë në qëndrimet e Prishtinës, kur t’i kemi parasysh premtimet parazgjedhore. Mirëpo, ashtu siç qëndrojnë gjërat tani, qëndrimet edhe po largohen nga njëri-tjetri kurse kërkesat e Prishtinës janë gjithnjë e më të ngurta, por edhe më të paarritshme. Sikur dikush qartazi nuk e ka kuptuar fjalën kompromis. Disa herë të gjithë ne kemi shkruar se si qëndrimet e papajtueshme të të dyja palëve gjithnjë e më tepër po shndërrohen në fronte diplomatike dhe llogore të cilat janë të pamposhtura në një mënyrë të veçantë vetëm për to.  

Në dritën e kësaj, në hapjen e mbledhjes së 44-të të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, paraqiti platformën në 4 pika e cila do të duhej të ishte themeli mbi të cilën do të bazohet kahu i negociatave në Bruksel. Karrige në OKB, marrëveshje juridikisht të obligueshme me Serbinë, dialog që nuk vë në pyetje pavarësinë e Kosovës por vetëm marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, dhe një rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit në lidhje me të gjitha që u cekën më lart, e cila do të garantonte të gjitha këto, janë pak a shumë qëndrime tashmë të njohura. Por, sido që të jetë, kjo listë me 4 pika është më tepër një listë dëshirash se sa listë qëndrimesh, duke pasur parasysh qëndrimin e Beogradit, i cili vetvetiu automatikisht i përjashton të gjitha 4 pikat e përmendura. Nëse i dimë të gjitha këto, atëherë nuk është çudi që raundi i mëparshëm në Bruksel mbaroi pa ndonjë sukses të madh me qëndrime absolutisht të ndryshme të të dyja palëve.  

A ka fare kuptim edhe të negociohet nëse kihen parasysh qëndrime të tilla të forta dhe të ngurta – këtë pyetje do të duhej ta bënim të gjithë ne që varemi nga ato negociata. Prej të gjithë kësaj, gjuhë të këqija do të nxirrnin madje përfundimin se pala kosovare në këtë moment edhe nuk i dëshiron negociatat në agjendën e saj sepse të gjithë e kanë të qartë që nuk do të ketë marrëveshje edhe për një kohë tejet të gjatë nëse vazhdohet me këtë ritëm, dhe që negociatat janë një terren mjaft i rrëshqitshëm, në të cilin figurativisht kanë rrëshqitur shumë paraardhës në pozitën e kryeministrit apo presidentit të Kosovës. Për t’i ikur një kurthi të tillë, kryeministri Kurti, duke vendosur kërkesa maksimaliste e mbështeti për muri edhe Serbinë – por para së gjithash BE-në si ndërmjetësues – dhe i vendosi para një problemi të pazgjidhshëm, sepse qëndrimi se nuk hiqet dorë nga ato kërkesa paraqet pengesë për procesin negociator në përgjithësi.  

Fakt është që negociatat janë të ngadalshme dhe të mundimshme për të dyja palët, por qëndrimi që ato edhe më shumë të ngadalësohen është raport i keq ndaj negociatave dhe thjesht dëshirë e qartë që ato maksimalisht të ngadalësohen e që veten ta prezantojnë si mbrojtës së interesave kombëtare. Koha do të tregojë se një qëndrim i tillë është i keq sado që ai mund të duket i fortë dhe stabil. Lista e kërkesave dhe dëshirave është një gjë kurse realiteti është diçka tjetër, kështu që nëse Serbisë i bëhet thirrje të pranojë realitetin atëherë edhe pala tjetër do të duhej të mblidhte forcë dhe të shikojë realitetin në sy. Por realiteti këtu është vetëm një emër abstrakt në të cilin askush nuk beson e as që dikush guxon ta shikojë në sy. Sido që të jetë, shumë vetë do të ndërrohen në postin e negociatorëve e nuk do të arrihet deri tek zgjidhja nëse vazhdohet me një ritëm të tillë. Mes tjerash, nuk po respektohet as ajo që është nënshkruar e çka mund të thuhet për do marrëveshje të ardhshme.  

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE