Loja e Kosovës me pakicat

Shumica e shqiptarëve të Kosovës beson që komuniteti serb, ashtu si komunitetet e tjera, është i privilegjuar. Lista Serbe me votat e fituara ia doli që vetë t’i fitonte 8 deputetë, pa ndihmën e ligjit për ulëset e rezervuara për pakicat. Vetëm dy deputetë i fitoi me anë të diskriminimit pozitiv. Por, përtej të ashtuquajturave privilegje që kinse garanton Kushtetuta e Kosovës, ekziston një shpërfillje dhe moskokëçarje e tmerrshme për ekzistencën e tyre.

0
1025

Shteti i Kosovës ka një obsesion interesant për pakicat. Bile, edhe për pakicat e pakicave në mënyrë të veçantë. Ky është internacionalizmi liberal, me pak fjalë. Kushtetuta beson që shumica ka prirje të shtypë pakicën. Jo vetëm shumica e përgjithshme, dmth shqiptarët, por edhe shumica e pakicës, dmth serbët.

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme, neni 111 i tij, specifikon që partia shumicë e komunitetit pakicë duhet të përpjesëtojë numrin e përgjithshëm të votave me 1 (deputeti i parë), 3 (deputeti i dytë), 5 (deputeti i tretë), 7 (deputeti i katërt) e kështu me radhë, ndërsa partia pakicë e po asaj pakice fiton koeficientin në bazë të përpjesëtimit me 1 për deputetin e parë që kërkon.

Si rrjedhojë, numri i përgjithshëm i votave të Listës Serbe (LS) në këto zgjedhje duhej të pjesëtohej me 19 (deputeti i dhjetë) në mënyrë që SLS-ja si oponentja kryesore në këto zgjedhje të fitonte një ulëse në Legjislaturën e VII të Kuvendit të Kosovës. Nuk ka lidhje që SLS-ja mund të ishte nëntëmbëdhjetë herë më e dobët se Lista Serbe, ose që deputeti i tyre të ishte më pak i votuar se deputeti i Listës Serbe.

Kësisoj, numri 53861 i votave që mori LS-ja u pjesëtua nga KQZ-ja me 19. Rezultati ishte 2834.diçka. Në mënyrë që SLS-ja të fitonte një ulëse në Kuvend, duhej t’i kishte 2835 vota gjithsej, madje edhe nëse deputeti i tyre më i votuar i merrte veç njëqind vota. Por, SLS-ja i fitoi veç 1859, ose gati një mijë më pak se që duheshin për të fituar një ulëse në Kuvend.

Nga kjo del se Lista Serbe ka fituar 95,51 për qind të votave të komunitet serb. SLS ka fituar 3.29 ndërsa Sloboda vetëm 1.19.

Nga një përllogaritje e thjeshtë del se me pak më shumë se 5 për qind të votave, SLS-ja mund të siguronte një deputet, dmth t’ia merrte LS-së që mund t’i kishte në atë rast pak mbi 93 për qind. Kjo do të bënte që 93 përqindëshi të kishte nëntë deputetë, ndërsa 5 përqindëshi një. Kjo ndarje përbën jo veç gabim në pjesëtim, dmth gabim matematik, kjo ndarje shpreh prirjen që përmes ligjit për pakicat të shtypen pakicat.

Në këtë mënyrë, IRDK-ja e egjiptianëve arriti ta fuste një deputet në Kuvend, Elbert Krasniqin, edhe pse dy deputetë të Partisë Egjiptiane Liberale ishin më të votuar se ai.

Pra, obsesioni me pakicat është një mashtrim i shumicës në dëm të pakicës.

Por, serbët e Kosovës nuk e pësuan nga ky truk. Përkundrazi, ata u mobilizuan më shumë se kurrë, pati edhe incidente e parregullsi në garën e tyre, dhe në fund fitoi Beogradi. Përfaqësimi politik i serbëve u homogjenizua krejtësisht. 95.51 për qind e përfaqësimit i takon Listës Serbe që drejtohet nga qeveria serbe ndërkaq veç 4.99 dy partive/koalicioneve tjera.

Serbët e Kosovës nuk kanë pluralitet në përfaqësimin politik jo vetëm si rezultat i zgjedhjeve që bënë më 6 tetor apo i zgjedhjeve që kanë bërë paraprakisht. Pluraliteti mungon pikërisht sepse shqiptarët i rrasën hundët aty ku nuk iu takonte dhe munguan aty ku duhej të ishin.

Të vetmit që e pësuan ishin pakicat e tjera, duke qenë të ndarë në disa subjekte e në të cilat për shkak të ligjit mund të zgjidhen njerëz edhe nëse kanë më pak vota nga i njëjti komunitet.

Por, edhe këto komunitete përmes këtij ligji të padrejtë rrezikojnë që të fusin ndërmjet dhunën e parregullsitë në mënyrë që të homogjenizojnë përfaqësimin e tyre politik. Edhe ashtu, nuk është se autoritetet shqiptare (të Kosovës) lodhen që të ndërhyjnë në këto incidente.

Shumica e shqiptarëve të Kosovës beson që komuniteti serb, ashtu si komunitetet e tjera, është i privilegjuar. Lista Serbe me votat e fituara ia doli që vetë t’i fitonte 8 deputetë, pa ndihmën e ligjit për ulëset e rezervuara për pakicat. Vetëm dy deputetë i fitoi me anë të diskriminimit pozitiv. Por, përtej të ashtuquajturave privilegje që kinse garanton Kushtetuta e Kosovës, ekziston një shpërfillje dhe moskokëçarje e tmerrshme për ekzistencën e tyre.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.