Lojë politike 

A është kjo aktakuzë një ndërkëmbje, kalë i Trojës, a është ajo fare reale në këtë moment? Për interesin nacional serb është mirë që ndodhi kjo aktakuzë. E kaluara është e tillë që lind skepticizëm dhe mosbesim në drejtësi. Mirëpo, ndoshta është shfaqur vullneti politik që të plotësohet drejtësia. Ky mund të jetë edhe një lloj presioni ashtu që të fitohet bashkëpunimi i presidentit të Kosovës. Në çdo rast, me këtë propozim-aktakuzë do të manipulohet në mënyra të ndryshme.

0
59

Një varg krimesh kundër njerëzimit dhe krime të luftës, përfshirë vrasje, zhdukje e dhunshme e personave, përndjekje dhe tortura janë pikat mbi të cilat është shpallur propozim-aktakuza kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit. Përveç tij, në propozim-aktakuzë u gjetën edhe Kadri Veseli dhe disa pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në propozim-aktakuzë thuhet që Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë bartin përgjegjësi penale për rreth 100 vrasje ndaj serbëve, shqiptarëve, romëve dhe joshqiptarëve të tjerë në Kosovë.

Mbledhja që ishte caktuar në Uashington u shty për shkak të propozim-aktakuzës. Po, pikërisht në këtë moment u gjet dikush nga Gjykata speciale që të rrënojë planet e të dërguarit special për Kosovë, Richard Grenellit. Merreni me mend, kush ashtu mund të jetë më me ndikim se sa administrata e shtetit më të fortë në planet? Mendoni se është rastësi që të bëhet publike aktakuza vetëm disa ditë para takimit? A thua nuk ka qenë e mundur që aktakuza kundër Thaçit të ngritej pas përfundimit të takimit? Është aq shumë e qartë që takimi duhej të shtyhej. Mirëpo, çka fshihet pas kësaj, pas vendimit që të shpallet aktakuza? Ndoshta një ndarje e thellë amerikane po e shfrytëzon propozim-aktakuzën si mjet për të rrënuar këto negociata. Një gjë është e qartë, kjo propozim-aktakuzë është e drejtuar kundër negociatave. 

A është kjo aktakuzë një ndërkëmbje, kalë i Trojës, a është ajo fare reale në këtë moment? Për interesin nacional serb është mirë që ndodhi kjo aktakuzë. E kaluara është e tillë që lind skepticizëm dhe mosbesim në drejtësi. Mirëpo, ndoshta është shfaqur vullneti politik që të plotësohet drejtësia. Ky mund të jetë edhe një lloj presioni ashtu që të fitohet bashkëpunimi i presidentit të Kosovës. Në çdo rast, me këtë propozim-aktakuzë do të manipulohet në mënyra të ndryshme.

Gjykata speciale për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë, nëse nuk e vërteton fajësinë për së paku një të tretën e akuzave që theksohen në propozim-aktakuzën ndaj Hashim Thaçit do të dalë shumë qesharake, si dhe qëllimi i ekzistencës së saj. Kjo gjykatë është mbase evropiane, por prokurorët janë amerikanë, me gjasë Evropa nuk ka prokurorë! Mbase me këtë aktakuzë gjykata dëshiron të arsyetojë pritjet e opinionit publik, që mandatin e saj pesëvjeçar i cili përfundon në këtë vit, 2020, ta përfundojë me aktakuzë kundër presidentit. Të rikujtoj, përveç presidentit edhe kundër ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, ishte ngritur aktakuzë si dhe kundër disa funksionarëve nga Kosova.

A është ndoshta ky ndikim i Gjermanisë që propozim-aktakuza kundër Thaçit të jetë një ”kurth” në këtë moment, vetëm që të sabotohet presidenti amerikan Donald Trump dhe administrata e tij? Ideja e Grenellit që fillimisht të bisedohej për një lloj zone të lirë ekonomike në Kosovë dhe insistimi në atë që të mos bisedohet me prioritet për statusin e Kosovës duket se nuk i pëlqeu dikujt. Sipas fjalëve të shumë politikanëve serbë sytë janë drejtuar kah gjiganti i Evropës, Gjermania. Ndoshta ky shtet me kredibilitetin e vet pati mundësi që të minojë këtë mbledhje. 

Situata e cila iu paraqit opinionit publik sipas mendimit tim është vetëm blerje e kohës, edhe një lojë politike. Pak a shumë e kanë të qartë edhe qytetarët e Serbisë dhe të Kosovës se çka do të ndodhë me këtë aktakuzë. Populli serb madje as nuk  i gëzohet këtyre veprimeve të prokurorisë speciale. Mbase rasti i Ramush Haradinajt e mbyti atë pak shpresë dhe besim në mesin e popullatës serbe, sikur drejtësia është e paarritshme për viktimat serbe. Nuk di nëse ka ndonjë njeri në Serbi i cili beson se Hashim Thaçi mund të dënohet? Edhe pse probabiliteti është minimal, nëse një gjë e tillë ndodh, do të jetë ky një dënim simbolik për presidentin aktual të Kosovës. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE