Luftë ekonomike apo të shtëna kuturu

A bëhet fjalë këtu, në fund të fundit, për krenarinë kombëtare ashtu që përmes prizmit të produkteve po shikohet ndikimi i Serbisë në rajon, e para së gjithash në Kosovë? Natyrisht, të gjithë pajtohen se kjo është në fakt një nga arsyet kryesore. Ndërsa shpjegimet që i ofron Kryeministri i Kosovës janë, thënë më së buti, qesharake.

0
296

Mediat në Serbi dhe në regjion këto ditë i ka dridhur lajmi se Qeveria e Kosovës mori vendim  për ngritjen e taksës për importimin e mallrave nga Serbia dhe BeH, së pari për 10% e disa ditë më vonë për madje 100%. Për çmendurinë e një ideje të tillë nuk duhet të flitet, sepse, siç pajtohen shumica e ekonomistëve, një hap të tillë nuk do ta bënte as studenti më i keq i ekonomisë – në Kosovë, shumë veprimtari dhe shërbime janë të lidhura pikërisht me prodhimet nga Serbia, e me këtë masë të gjitha ato janë vënë në pikëpyetje! Mediat në raportet e tyre flasin për shtrenjtimin e artikujve ushqimor, dhe atë as më pak e as më shumë por dyfish, e në disa raste edhe më shumë. Këtë çmim do ta paguajnë pikërisht qytetarët e të gjitha komuniteteve, e, natyrisht, edhe shumica shqiptare. Disa do të thoshin se konsumatorët në Kosovë do t’i zëvendësojnë prodhimet serbe me prodhime tjera, por në mënyrë konstante po anashkalohet fakti se shumica e prodhimeve ushqimore që banorët e Kosovës i konsumojnë në nivel ditor janë ose prodhime të Serbisë ose janë të prodhuara në Kosovë nga lëndë të para të importuara nga Serbia, sepse, thënë realisht, ekonomia e Kosovës është në një nivel shumë më të ulët se ajo e Serbisë.   

A bëhet fjalë këtu, në fund të fundit, për krenarinë kombëtare ashtu që përmes prizmit të produkteve po shikohet ndikimi i Serbisë në rajon, e para së gjithash në Kosovë? Natyrisht, të gjithë pajtohen se kjo është në fakt një nga arsyet kryesore. Ndërsa shpjegimet që i ofron Kryeministri i Kosovës janë, thënë më së buti, qesharake. Mirësjellja kërkon që të mos përdorim ndonjë fjalë më të rëndë.

Mirëpo, fytyra e vërtetë e tërë kësaj u zbulua kur kryeministri i lartëpërmendur deklaroi se këto masa do të mbeten në fuqi derisa Serbia të mos e njohë Kosovën si shtet të pavarur. E këtu mirësjellja vetëm se bëhet çmenduri. Një deklaratë të cilën secili njeri normal mund ta karakterizojë si aforizëm apo ironi, por jo edhe deklaratë të një politikani serioz. Kur e shihni në supermarkete çmimin prej 7 eurosh të Pllazmës tanimë të famshme, atëherë do ta kini çdo gjë të qartë. Por t’i lëmë tani prodhimet ushqimore, edhe pse ato janë më të rëndësishmet në nivel ditor. Si do t’ia shpjegojë dikush qytetarëve tanë kur të ngriten çmimet e barnave, apo çmimet e karburantit, apo çmimet e lëndëve të para për disa reparte në Kosovë. Me qëllim i përmenda barnat sepse shumë shqiptarë vijnë në veri për të blerë barna serbe që janë shumë më cilësore sesa ato që importohen nga institucionet shtetërore të Kosovës, e me një pension mesatar prej 75 eurosh mund të jenë vetëm besimtarë dhe të luten për shërim sepse nuk do të kenë para për barna. Ka shumë shembuj të këtillë, por duhet të jesh ekonomist i shkolluar për ta parë këtë, e është e qartë se nën maskën e nacionalizmit dhe shovinizmit ose nuk ka të tillë ose nuk guxojnë të japin mendimin e kundërt.

Përveq qëllimit që Serbia të pranojë Kosovën, gjë që është qesharake të pritet, një vendim i tillë është marrë që serbëve të mbetur në Kosovë t’u japë goditjen e fundit dhe që në këtë mënyrë t’ua tregojë rrugën vetëm në një drejtim, e kjo është shpërngulja. Sepse është e qartë se pushteti aktual po udhëhiqet me atë maksimën e Stalinit Nuk ka njeri, nuk ka as problem, e kaherë është bërë e qartë se serbët e mbetur në Kosovë kurrë nuk janë konsideruar, e as që do të konsiderohen, qytetarë të barabartë. Për këtë kam shkruar edhe unë disa herë, por siç po shihet, kjo ka qenë e kotë. E që kulmi i marrëzisë të jetë sa më i lartë, dikush vendosi që demontrativisht në Kaçanik dhe Deçan t’u vë zjarrin prodhimeve serbe. Mua si historian kjo jashtëzakonisht shumë më kujton djegien e librave në Berlin më 1933, por këtë atëherë e bënë nazistët e Adolf Hitlerit, kështu që ka këtu pak dallim, apo nuk ka?

Serbët e Kosovës janë mësuar kaherë me sjelljen e këtillë të autoriteteve në Prishtinë, por kur dikush për shkak të një vendimi ekonomik i lëviz edhe njësitë e armatosura, e këtu diçka nuk është në rregull. Shteti që para disa ditësh aplikoi për anëtarësim në Interpol dhe i cili synon t’i bashkohet botës së qytetëruar, nuk guxon t’i lejojë vetes një luks të tillë. Por tamam kur po mendojmë se kanë kaluar 20 vite që nga lufta dhe që e kemi tejkaluar sjelljen e egërsuar, disa faktorë po na bindin në të kundërtën dhe po na kthejnë prapa jo vetëm 20 vite, por 2 shekuj. 

Pa qëllim që të fyej këdo, por disa faktorë të caktuar në pushtet do të duhej të ktheheshin në bankat e shkollës nga të cilat një herë kanë ikur dhe të mësojnë aty bazat e edukatës e tolerancës. Kurse disa ekonomistë le t’i kthejnë diplomat e tyre me dinjitet sepse ata padyshim nuk i meritojnë ato. Populli i Kosovës, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, do ta paguajë çmimin e marrëzisë së dikujt.

Për fund, nuk do të na bëjë keq pa ironi, sepse këtu arsyeja ka kohë që është e papërdorshme. Të gjitha këto zhvillime vetëm e konfirmojnë atë fjalinë e Ajnshtajnit: Vetëm dy gjëra janë pa fund, universi dhe marrëzia njerëzore, porse për universin nuk jam i sigurt. E, more Albert…

SHARE