Luftë propagandistike

Është indikative që edhe mediat kosovare edhe ato serbe filluan të merren me këtë temë pothuajse sipas komandës. Përnjëherë, nuk ka lajm i cili paraqitet në Serbi e që të mos përmendet  „katastrofa humanitare“, si dhe në Kosovë që të mos përmendet komploti i Serbisë, plani djallëzor, etj. etj.

0
66

Procesi i normalizimit apo siç e kam quajtur me një rast – procesi i jonormalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës këto ditë po arrin pikën e vlimit. Edhe juve ju duket kjo e çuditshme? Normalizim, e këndej pika e vlimit? Ja, arritëm ta bëjmë edhe këtë. Procesi i normalizimit të marrëdhënieve, apo „i negociatave midis Beogradit dhe Prishtinës“ nëse ju duket më mirë, po zgjatë tashmë shtatë vite. Gjatë kësaj kohe janë arritur shumë gjëra: shumë gjëra janë dakorduar, janë dhënë shumë premtime, shumëçka që është dakorduar dhe premtuar nuk është zbatuar dhe plotësuar, por në anën tjetër është bërë shumë që procesi i normalizimit dalngadalë të shndërrohet në proces të jonormalizimit dhe që i tërë ky proces të futet në një rrugë qorre.   

Me kalimin e kohës, me zhvillimin e negociatave, temperatura në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës do të duhej ngadalë të ulej, do të duhej t’i pranonim gjithnjë e më arsyeshëm qëndrimet e palës tjetër dhe që së bashku të arrijmë deri tek një zgjidhje e cila është më së paku e papranueshme për të dyja palët. Në vend të kësaj, fituam bllokadën e procesit, taksa jonormale, “katastrofë humanitare” në veri shtatë muaj pas vendosjes së atyre taksave jonormale mbi mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Pikërisht kjo e fundit, katastrofa humanitare, po i preokupon mediat njëjtë si në Serbi ashtu edhe në Kosovë. Duket që makina propagandiste këto ditë arriti pikën e tejnxehjes duke i zier të gjitha ato, paj do ta them, tekste të krisura. 

Nga njëra anë kemi mediat e Kosovës që si kurrë më parë merren me veriun e Kosovës dhe raportojnë se si tërë kjo është një plan djallëzor i Serbisë për të shkaktuar krizë në Kosovë dhe se si në të vërtetë nuk ka mungesë të gjërave ushqimore. Sikur të paktën pjesërisht ta kryenin punën e tyre dhe t’u hidhnin një sy shitoreve në veri të Kosovës, do ta shihnin se edhe nuk është bash ashtu.  Mungesë ka. Ky është vetëm fakt. Mungesa e barnave po vazhdon tash e një kohë në veri të Kosovës dhe njerëzit tashmë janë mësuar me të, edhe pse kjo nuk është gjendje normale me të cilën njerëzit do të duhej të mësoheshin. Por tani mungojnë edhe gjërat elementare ushqimore nëpër dyqane. Dhe secili medium që dëshiron të jetë profesional, ashtu do të duhej edhe të raportonte. Është tjetër çështje se pse erdhi deri tek mungesa, kush e shkaktoi, kush po e shtyen para dhe cila është në të vërtetë prapavija e tërë kësaj. Edhe kjo mund të analizohet, natyrisht, por kjo nuk e përjashton faktin që mungesa megjithatë ka dhe që këto media janë goxha joprofesionale në raportime lidhur me këtë çështje. Shembulli tjetër që gjithashtu më ra në sy është lajmi që nuk është lajm, porse do të mund të ishte lajm. Në të vërtetë, pashë një „zbulim ekskluziv“ sikur Serbia do të thotë se liqeni i Gazivodës është i helmuar. Pra, këtë askush nuk e ka thënë, ngjarja që është temë e atij lajmi nuk ka ndodhur, por nga kjo prapëseprapë është sajuar një lajm?! Unë në fakt nuk i përkas kësaj lëmie, por më tingëllon pak e pabesueshme që lajm mund të jetë diçka që nuk ka ndodhur.

Nga ana tjetër, poashtu, kemi mediat serbe të cilat (mund të them tashmë tradiocionalisht) e transmetojnë një lloj të vërtete të veten për situatën në Kosovë. Nëse i kemi në njërin ekstrem mediat kosovare që pohojnë se nuk ka mungesa mallrash në veri të Kosovës, në ekstremin tjetër janë mediat serbe që pothuajse raportojnë për apokalipsin. Dhe e tërë kjo shtatë muaj nga momenti kur janë vendosur taksat mbi mallrat nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Është indikative që edhe mediat kosovare edhe ato serbe filluan të merren me këtë temë pothuajse sipas komandës. Përnjëherë, nuk ka lajm i cili paraqitet në Serbi e që të mos përmendet  „katastrofa humanitare“, si dhe në Kosovë që të mos përmendet komploti i Serbisë, plani djallëzor, etj. etj.

Jemi dëshmitarë gjatë historisë se çka është në gjendje të shkaktojë propaganda mediale. Kemi shembuj të ndryshëm, që nga Lufta e II Botërore e deri tek ngjarjet në Kosovë të vitit 2004. Asgjë të mirë, në asnjë situatë gjatë historisë. 

SHARE