Marrëveshja e Brukselit: shans i humbur për BE-në

Kritikat dhe pakënaqësitë për Marrëveshjen e Brukselit janë më të vjetra sesa vet marrëveshja. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në shikim të parë, duket të mos ketë qenë prioritet i opinionit publik në të dyja vendet. Përderisa serbët e konsideronin marrëveshjen si humbje të përhershme të Kosovës për Serbinë, shqiptarët e Kosovës mëtonin se veçse kishin lëshuar shumë pe në raport më fqinjin e tyre verior. Kësisoj, kritikat për marrëveshjen u bënë trend në sferat publike të të dy shoqërive.

0
1279

Kritikat dhe pakënaqësitë për Marrëveshjen e Brukselit janë më të vjetra sesa vet marrëveshja. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në shikim të parë, duket të mos ketë qenë prioritet i opinionit publik në të dyja vendet. Përderisa serbët e konsideronin marrëveshjen si humbje të përhershme të Kosovës për Serbinë, shqiptarët e Kosovës mëtonin se veçse kishin lëshuar shumë pe në raport më fqinjin e tyre verior. Kësisoj, kritikat për marrëveshjen u bënë trend në sferat publike të të dy shoqërive.

Kjo marrëveshje, megjithatë, konsiderohet si tejet e suksesshme nga një perspektivë tjetër – ajo e Brukselit. Në sytë e Bashkimit Evropian (BE), marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është një ndër sukseset më të mëdha të politikës së jashtme dhe të sigurisë. Natyrisht, ky sukses është deklarativ, i bazuar vetëm në vlerësimet e vet udhëheqësve të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) si dhe të disa nga vendeve anëtare të BE-së. Përderisa në dy kryeqytetet, Prishtinë e Beograd, marrëveshja është parë vetëm me sy kritik, ajo që kam vërejtur është se në Bruksel ka munguar tërësisht vlerësimi kritik për marrëveshjen. Sot po merrem vetëm me njërin nga shumë këndet kritike përmes të cilave mund të shikohet kjo marrëveshje si e arritur e madhe e BE-së, duke e bërë një pyetje të thjeshtë: a ka mundur BE-ja të arrijë një marrëveshje më të mirë, më të saktë, më të fuqishme, e cila njëmend do të normalizonte marrëdhëniet mes dy vendeve? Unë them se po. BE-ja ka mundur të arrijë shumë më tepër sesa një marrëveshje disapikëshe me tekst të shumëkuptimtë. Pasojnë argumentet:

Në marrëdhëniet ndërkombëtare, BE-ja shihet si një aktor i veçantë dhe një fuqi e çuditshme. Kjo për shkak të natyrës së vet politit, që është shumë më shumë sesa një organizatë ndërkombëtare ku shtetet janë anëtare, por në të njëjtën kohë shumë më pak sesa një shtet federal ku shtetet do të ishin njësi federale. Kësisoj, BE-ja ka një rend të vetin ligjor ndërshtetëror por edhe një identitet të veçantë në sistemin politik global. Studiuesit e Evropës janë përpjekur të vënë shumë epitete për fuqinë që Evropa e përfaqëson në botë, duke hipotetizuar për natyrën e kësaj fuqie. Një ndër emërtimet më të debatuara është ai i Ian Manners i Fuqisë Normative të Evropës, bazuar në konceptin Ueberian të normës. Sipas Manners, BE-ja mund t’i bëjë vendet e tjera të ndryshojnë, përmes socializimit, duke i promovuar normat dhe vlerat evropiane.

Kjo fuqi transformuese e BE-së, në kontekst më të gjërë dhe përtej emërtimit të Manners, është studiuar sidomos në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, ku BE-ja ka qenë faktor determinues i tranzicionit të tyre prej komunizmit e deri të anëtarësimi i plotë në BE. Sot, politika e kushtëzimit, përmes së cilës BE-ja i kushtëzon vendet që dëshirojnë t’i bashkohen për të bërë reforma të thella ligjore e ekonomike si dhe të përqafojnë vlerat dhe normat evropiane, në studimet evropiane cilësohet si një ndër politikat më të suksesshme të jashtme të BE-së. Studiuesit si Milada Vachudova kanë konstatuar se kushtëzimi i BE-së është shumë më i fuqishëm dhe efikas në rastet kur BE-ja mund t’u ofrojë vendeve të treta statusin e anëtarit të plotë, në fund të procesit reformues. Me fjalë të tjera, sa më shumë që ka për të ofruar për vendet e treta, aq më faktor i rëndësishëm është BE-ja.

T’i kthehemi tash Marrëveshjes së Brukselit. Në kohën kur kjo marrëveshje u arrit, në prill të vitit të kaluar, të dyja palët, edhe Kosova edhe Serbia, ishin në pritje të avansimit të statusit të tyre karshi BE-së. Kësisoj, BE-ja kishte në duar dy karrota të fuqishme, të cilat ua dha palëve fill pas nënshkrimit të marrëveshjes. Serbia u bë vend kandidat ndërsa Kosova vazhdoi procesin e Stabilizim Asociimit. Për mendimin tim, BE-ja i përdori këto karrota në mënyrë joefikase, duke mos bërë trysni mbi Kosovën, por sidomos jo mbi Serbinë, për të arritur një marrëveshje tjetër, më të pasur, më përfundimtare.

Se a ra BE-ja pre e opinioneve publike të manipuluara për konsum të politikës së brendshme në Prishtinë dhe Beograd, apo ishte pazotësia e Catherine Ashton dhe ekipit të saj, këtë nuk e di. Atë që e di është se nga këndvështrimi i politikës së jashtme të BE-së, fushë të cilën e studioj, nuk besoj që ka pasur ndonjë moment më të volitshëm që njëherë e përgjithmonë të arrihet një paqe e qëndrueshme dhe të vihet në binarë të qëndrueshëm procesi i normalizimit të marrëdhënieve. Plus kësaj, përkundër opinionit publik, edhe Kosova edhe Serbia kishin qeveri të fuqishme në pushtet, qeveri të cilat kur vinte puna për dialogun e Brukselit kishin përkrahje edhe më të gjërë. Kësisoj, me ofertë konkrete për të dyja palët dhe me qeveri stabile në të dyja vendet, u pat krijuar një moment i përkryer politik për t’i vënë kapak, njëherë e përgjithmonë, shpërndarjes së ish-Jugosllavisë. Andaj, përfundimisht, këtë marrëveshjen e famshme të cilën të gjithë po e shohin si storje të suksesit, unë po e shoh si humbje të një mundësie të mirë për BE-në. Të paktën nga ky këndvështrim.

(Ky shkrim është bazuar në artikullin “The 2013 Agreement between Kosovo and Serbia: a success story or a missed opportunity?” (Marrëveshja e vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë: storje e suksesit apo mundësi e humbur?), të botuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe e Sporteve e Austrisë, që mund ta gjeni në këtë link: http://www.bmlv.gv.at/pdf_pool/publikationen/pfpc_26_rssee.pdf )