Marrëveshja e Uashingtonit

3
778

Marrëveshja për normalizim ekonomik e nënshkruar ndaras nga Kosova dhe Serbia më 4 shtator 2020 në Uashington, në një letër pa logo zyrtare, mbulon 17 pika kryesore. Shumica nga këto pika janë përsëritje e temave që tashmë janë në agjendën e normalizimit të lehtësuar nga BE ndërsa të tjerat kanë të bëjnë në mënyrë specifike me objektiva të politikës së jashtme të SHBA-së. Në vazhdim ju sjellim listën me këto pika dhe komente të shkurtra të New Perspektivës.

Normalizimi ekonomik

Serbia (Beogradi) dhe Kosova (Prishtina) pajtohen të vazhdojnë normalizimin ekonomik duke u dakorduar si më poshtë:

Të dyja palët do ta zbatojnë marrëveshjen për autostradën Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më herët, më 4 shkurt të vitit 2020.

Të dyja palët do ta zbatojnë marrëveshjen për linjën hekurudhore Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më herët, më 4 shkurt të vitit 2020.

Për më tepër, të dyja palët zotohen për një studim të përbashkët të fizibilitetit për opsionet e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port detar të thellë në Adriatik.

Kosova (Prishtina) dhe Serbia (Beogradi) do të punojnë me Koorporatën Ndërkombëtare për Zhvillim Financiar të ShBA-ve dhe EXIM-it në memorandumet e mirëkuptimit për të operacionalizuar:

Autostradën e Paqes

Lidhjen hekurudhore mes Prishtinës dhe Merdarit

Lidhjen hekurudhore mes Nishit dhe Prishtinës

Sigurimin e financimit për të mbështetur kreditë e kërkuara për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM)

Projektet e tjera bilaterale

Praninë e plotë ndërkombëtare të Koorporatës Ndërkombëtare të ShBA-ve për Zhvillim Financiar në Beograd, Serbi.

– Shumica e këtyre pikëve përsërisin ato për çka është rënë dakord në fillim të janarit dhe shkurtit këtë vit si “deklarata të qëllimit”. Disa nga marrëveshjet përfshijnë pika të veçanta të cilat janë hartuar dhe pajtuar me BE-në më 2019. Disa nga projektet e infrastruktures, p.sh. Autostrada e Paqes, janë duke u zbatuar dhe duke u financuar nga BE, me hua nga Banka Evropiane e Investimeve dhe BERZh-i. Ekziston po ashtu edhe një projekt hekurudhor Kosovë-Serbi i financuar nga BE që bazohet në rrugë hekurudhore që tashmë ekzistojnë por u nevojitet riinvestim dhe rindërtim.

Të dyja palët do ta hapin dhe do ta funksionalizojnë objektin në Pikëkalimin e Përbashkët Kufitar në Merdar.

– Një pikëkalim i re, modern dhe eko-miqësor, i financuar nga BE është ndërtuar në Merdare. Autoritetet kufitare të Kosovës janë tashmë duke punuar në të, ndërsa policia kufitare serbe dhe dogana vazhdojnë në dy kontejnerë të vjetër në afërsi pasi që Serbia ka refuzuar të autorizojë përdorimin e një objekti të përbashkët.

Të dyja palët do t`i bashkohen “zonës mini-Shengen” të njoftuar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019 dhe do shfrytëzojnë plotësisht përfitimet e saj.

– Kosova deri më sot nuk ka qenë pjesë e procesit mini-Shengen që është një inciativë politike dhe anëtarësimi formal nuk është i nevojshëm. Kosova nën qeverinë Hoti tani po tregon interes për pjesëmarrje.

Të dyja palët do të njohin reciprokisht diplomat dhe certifikatat profesionale.

– Ky është një zotim që tashmë ekziston në kuadër të procesit të lehtësuar nga BE dhe është shënuar progres. Komisioni kosovar për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut ka filluar punën në maj 2016. Deri në qershor 2020, janë pranuar 1727 aplikime dhe janë verifikuar pozitivisht 1647. Të diplomuarit e Universitetit po inkuadrohen në Kosovë. Çështja krysore aktualisht është njohja e diplomave të Universitetit të Kosovës nga Serbia. Kjo posaçërisht prekë të diplomuarit që jetojnë në regjionin e Preshevës, kryesisht me përkatësi shqiptare.

Të dyja palët pajtohen të punojnë me Departamentin e Energjisë të ShBA-ve, si dhe me subjektet e tjera përkatëse të Qeverisë së ShBA-ve në një studim të fizibilitetit për qëllim të shfrytëzimit të përbashkët të liqenit të Gazivodës/Ujmanit, si burim të qëndrueshëm të ujit dhe furnizimit me energji.

– Ky është një sugjerim i vlefshëm nëse mund t’i përmbahen ndonjë marrëveshjeje në baza thjesht ekologjike dhe energjetike. Liqeni është një objekt ndërkufitar ujor dhe kjo deklaratë, megjithëse e paqartë, i referohet qartazi shfrytëzimit të përbashkët të liqenit.

Të dyja palët do të diversifikojnë burimet e tyre të energjisë

– Procesi i normalizimit i lehtësuar nga BE ka arritur një marrëveshje për energjinëi por ka pasë dështim në implementimin e saj, kryesisht nga ana e Serbisë. Kosova tashmë i është bashkuar rrjetit energjetik të Shqipërisë, kështu që ka diversifikim.

Të dyja palët do ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të furnizuara nga shitës jo të  besueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku këto pajisjet janë tashmë të pranishme, të dyja palët zotohen se do t’i heqin,  si dhe për përpjekje të tjera të ndërmjetësimit në kohë të duhur.

– Kjo është një çështje e politikës së jashtme amerikane për të larguar shtetet nga përdorimi i rrjeteve kineze të telekomunikimit, në veçanti Huawei.

Të dyja palët do të rrisin kontrollin e pasagjerëve në linjat ajrore, shkëmbimin e informacionit midis tyre, edhe në kuadër të bashkëpunimit më të gjerë të ShBA-ve në Ballkan dhe do të zotohen për përmirësimin e teknologjisë për t’i luftuar aktivitetet e paligjshme duke zbatuar dhe duke funksionalizuar sistemet e kontrollit dhe të informacionit të siguruara nga ShBA, duke përfshirë PISCES, APIS, ATS-G dhe SRTP.

– Zotimi për të implementuar sisteme amerikane të kontrollit dhe informimit mund të sjellë probleme në negociatat e tyre të anëtarësimit në BE-së, pasi që ato përfshijnë devijime nga kërkesat e BE-së. Nuk ka ndonjë implikim specifik për marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Të dyja palët zotohen që ta mbrojnë dhe ta promovojnë lirinë e fesë, duke përfshirë komunikimin e rinovuar ndërfetar, mbrojtjen e vendeve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore në lidhje me Kishën Ortodokse Serbe dhe kthimin e vazhdueshëm të pasurive hebraiket të patrashëguara dhe të pakërkuara të epokës së Holokaustit.

– Kjo është një referencë valide që i bëhet mosmarrëveshjes lidhur me rrugën që po ndërtohet rreth Manastirit të Deçanit në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Të dyja palët zotohen që t’i përshpejtojnë përpjekjet për të gjetur dhe për t’i identifikuar mbetjet e personave të zhdukur. Të dyja palët zotohen që të identifikojnë dhe të zbatojnë zgjidhje afatgjata, të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Të dyja palët zotohen që të identifikojnë një pikë kontakti për t’i udhëhequr këto përpjekje brenda ministrive të tyre përkatëse të qeverisë dhe për koordinim midis Beogradit dhe Prishtinës dhe do të sigurojnë një rifreskim vjetor të numrit të rasteve të zgjidhura dhe atyre në pritje.

– Kjo është një çështje e rëndësishme, e cila tashmë është e përfshirë në agjendën e lehtësimit nga ana e BE-së ku zhvillohet mledhje të njëpasnjëshme për të, ashtu si edhe në shumë forume të tjera. Palët duhet të punojnë me ato qendra dhe të mos krijojnë resurset të reja të dyfishta.

Të dyja palët do të punojnë me 69 vendet që e kriminalizojnë homoseksualizmin për të nxitur dekriminalizimin.

– Kjo është një çështje befasuese për t’a vendosur në këtë marrëveshje ekonomike pasi që nuk është me ndonjë interes specifik as për Serbinë e as për Kosovën. Asnjëra nuk e kriminalizon homoseksualitetin, asnjëra nuk ka kapacitete diplomatike t’i influencojë ato 69 shtete. Të dyja shtetet duhet të bëjnë më shumë përpjekje për të ndikuar në pranimin më të madh dhe të drejtat e komuniteteve të tyre LGBT.

Të dyja palët zotohen që ta përcaktojnë Hezbollahun në tërë territorin e tij si organizatë terroriste dhe t’i zbatojnë plotësisht masat për t’i kufizuar operacionet dhe aktivitetet financiare të Hezbollahut në juridiksionet e tyre.

– Kjo pikë ka pak rëndësi për Kosovën dhe Serbinë ku Hezbollahu nuk zhvillon asnjë aktivitet. Është pikë e politikës së SHBA-së. Bashkimi Evropian i klasifikon si terroriste organizatat e armatosura të lidhura me Hezbollah, por jo të tërë grupin politik.

Kosova [Prishtina] do të pajtohet që të zbatojë një moratorium njëvjeçar për kërkimin e anëtarësimeve të reja në organizatat ndërkombëtare. Serbia [Beogradi] do të pajtohet për një moratorium njëvjeçar për fushatën e saj të çnjohjeve dhe do të ndalojë së kërkuari zyrtarisht apo jozyrtarisht nga cilido komb apo organizatë ndërkombëtare çnjohjen e Kosovës [Prishtinës] si shtet i pavarur. Të dyja marrëveshjet për të hequr dorë nga aktivitetet e lartpërmendura do të hyjnë në fuqi menjëherë.

– Formulimi i këtij paragrafi është i diskutueshëm pasi që nuk është e mundur t’i bëhet kërkesë një kombi sipas të drejtës ndërkombëtare. Ky paragraf – përmes implikimit – mund të nënkuptojë se nuk ka gjasa që Serbia të njohë Kosovën brend një viti.

Shteti i Kosovës [Prishtina] dhe ai i Izraelit bien dakord që ta njohin njërin-tjetrin në mënyrë reciproke.

Presidenti Vučić nënshkroi një paragraf tjetër final: Serbia [Beogradi] pajtohet që të hapë një zyrë komerciale dhe një të Ministrisë së Shtetit në Jerusalem më 20 shtator 2020, dhe të zhvendosë ambasadën në Jerusalem deri më 1 korrik, 2021.

– Njohja e Kosovës nga Izraeli është lajm i mirë. Hapja e ambasadave në Jerusalem është një tjetër zotim që nuk është në përputhje me pozitën e përbashkët të BE-së lidhur me Jerusalemin që me vendosmëri i përmbahet qëndrimit për Jerusalemin si kryeqytet të të dy shteteve në të ardhmen.

4 shtator 2020

* Teksti i marrëveshjes në shqip është marrë nga Zyra e Kryeministrit: https://kryeministri-ks.net