Marrëveshja për Asociacionin nuk do të rinegociohet

Nuk do të ketë ndryshime, as rinegocim të marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Gjykata Kushtetuese për asnjë pikë të vetme të marrëveshjes nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës. Kështu tha për KosovaPress, Besnik Berisha, këshilltarë për çështje juridike i kryeministrit Isa Mustafa.

0
950

Berisha tha se do të respektohen në përpikëri aktet juridike të dhëna nga Gjykata Kushtetuese.

“Nuk do të ketë ndryshime të marrëveshjes, respektivisht rinegocim të marrëveshjes sepse Gjykata Kushtetuese për asnjë pikë të vetme të marrëveshjes nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës. Ka konstatuar mos plotësim të standardeve dhe ka dhënë disa vërejtje të cilat duhet të kihen parasysh nga hartuesit e statutit dhe ata që duhet të merren me nënshkrimin, respektivisht përpilimin e aktit juridik me të cilin i hapët rrugë themelimit të Asociacionit. Sigurisht, do të respektohen në përpikëri arsyetimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese dhe të mbrohet legjislacioni me karakter vital të Republikës së Kosovës dhe do të mbrohet kushtetutshmëria e këtij vendi”, tha Berisha.

Berisha për KosovaPress tha se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nëse lexohet në tërësi të saj është i kuptueshëm, mirëpo nëse shikohet pjesë-pjesë sigurisht që ka një paqartësi në vete, ngase gjykata, sipas tij, nuk ka sqaruar mos përmbushjen e standardit dhe nuk ka treguar se çfarë do të duhej të përmbante një dispozitë e caktuar e parimeve dhe elementeve kryesore për themelimin e Asociacionit.

“Gjykata Kushtetuese nxori një aktgjykim. për bindjen time jo mjaftueshëm i sqaruar dhe i kristalizuar. Sidoqoftë asnjë aktgjykim mbase nuk mund të arrij 100 për qindëshin e qartësisë juridike të nevojshme. Por është i mjaftueshëm për të mbrojtur ligjshmërinë dhe siguruar kushtetutshmërinë e këtij vendit. Në qoftë se aktgjykimi shikohet në tërësi atëherë mendoj që është mjaftueshëm i kuptueshëm se çfarë duhet të bëhet me akte tjera të cilat pasojnë në këtë aktgjykim. Në qoftë se shihet pjesë-pjesë sigurisht që ka një paqartësi në vete, sepse gjykata nuk ka sqaruar mos përmbushjen e standardit dhe nuk ka sqaruar se çfarë do të duhej të përmbante një dispozitë e caktuar e parimeve dhe elementeve kryesore për themelimin e Asociacionit, në mënyrë që të ishte në përshtatshmëri të plotë me Kushtetutën”, tha Berisha.

Ai tha për KosovaPress se opozita po bënë interpretim të gabuar të aktgjykimit dhe se sipas tij Qeveria do vazhdoj të punoj në hartimin e aktit juridik të cilin e ka kërkuar GJK-ja.

Këshilltari për çështje juridike i kryeministrit Mustafa, Besnik Berisha po ashtu tha se në aktgjykim të gjykatës thuhet në që akti i themelimit të Asociacionit nuk janë parimet e datës 25, por Asociacioni themelohet me marrëveshjen e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me 84 vota ku shumica e deputetëve të kësaj opozite ishin dakorduar për atë marrëveshje dhe për themelimin e Asociacionit, e që sot natyrshëm për interesa politike po e kontestojnë.

Berisha po ashtu tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në asnjë mënyrë nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. (KosovaPress, 12/01/2016)