Marrëveshja për udhëtimet Kosovë-Serbi: jo domosdo progres pa vështirësi

Në negociatat ndërmjet Beogradit e Prishtinës, rrugët që çojnë përpara nuk ka gjasa të gjenden përmes formulimeve të thjeshta ideologjike për fuqinë e tregut, ose përmes ujdive pa kontekst që nuk marrin parasysh ndërlikimet reale në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

0
116

(Ky artikull është shkruar nergut për botim në New Perspektiva. Autori, Dr Eric Gordy, është profesor në London University College.) 

Pas një periudhe të gjatë përgjumjeje, Kosova dhe Serbia ditë më parë dolën me dy marrëveshje, të dyja të ndërmjetësuara nga përfaqësuesi amerikan Richard Grenell. Me njërën prej tyre hapet një lidhje ajrore udhëtimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, dhe me tjetrën hapet një lidhje hekurudhore. Edhe pse të kufizuara, këto marrëveshje janë promovuar si sukses në një proces që për një kohë të gjatë dukej se nuk po jepte rezultate.

Ky zhvillim i ri duket se është në përputhje me atë që shumë vëzhguesë i kanë këshilluar qeveritë për ca kohë: meqenëse nivelet e besimit të ndërsjellë aktualisht janë aq të ulëta saqë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për statusin duket e pamundur, përpiquni në vend të kësaj të arrini marrëveshje të vogla për çështje konkrete që kanë potencial për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Në këtë mënyrë mundet që gradualisht të gjenerohet momentum për marrëveshje më të mëdha, dhe që mund të përfshijnë çështje thelbësore simbolike që kanë të bëjnë me identitetin shtetëror.

Një parim i përgjithshëm për politikën në Ballkan, veçanërisht kur janë të përfshira çështje të kombësisë ose identitetit, është se njerëzit janë më të gatshëm të lëshojnë pe kur është fjala për shqetësime konkrete sesa për çështje simbolike. Problemi me këtë parim është se problemet konkrete dhe simbolike nuk dallohen aq lehtë nga njëri-tjetri – medoemos ato do të kenë gjëra të përbashkëta.

Një marrëveshje për udhëtime që tani tregon disa nga vështirësitë që shfaqen. Për marrëveshjen e udhëtimit ajror, presidenti serb, Aleksandar Vučić, këmbënguli që në linjën Beograd-Prishtinë të mos operojë transportuesi serb Air Serbia, duke arsyetuar se lidhja e marrëveshjeve të nevojshme me autoritetet e Kosovës për kontrollin e trafikut ajror do të përbënte një lloj njohje. Çështjet e pazgjidhura rreth lirisë së lëvizjes janë probleme për të dyja marrëveshjet, por veçanërisht për marrëveshjen e udhëtimit me tren, pasi është kufiri tokësor midis Kosovës dhe Serbisë ai ku ushtrimi i kontrollit kufitar është më tekanjoz.

Kjo do të thotë se edhe zbatimi i një gjëje aq lokale dhe praktike sa hapja e një linje udhëtimi ajror ose me tren domosdo duhet të përfshijë pyetje që prekin çështje me rëndësi simbolike, të cilat lidhen me mosmarrëveshjen themelore mbi njohjen. Llojet e lëshimeve që do të jenë të domosdoshme për të arritur objektivat e tjerë që ka përcaktuar z. Grenell, siç është heqja nga ana e Kosovës e vendimit për tarifat ndëshkuese dhe braktisja nga ana e Serbisë e fushatës për t’i bindur shtetet e vogla në Oqeani të tërheqin njohjet e Kosovës, do të përfshijnë më shumë këso çështjesh.

Një burim vështirësish mund të jetë fakti që SHBA, në përpjekje për të arritur marrëveshje të vogla, po zbaton vetëm pjesërisht këshillat e ekspertëve për t’i ulur ambiciet e tyre. Motivimi tjetër është ideologjik. Grenell i tha AP-së në një deklaratë të shkruar çuditshëm, Vizioni i Presidentit Trump po ndodh tani. Komuniteti i biznesit dhe përqendrimi në krijimin e vendeve të punës është [sic] duke prirë në këtë rrugë. Deklarata bie në sy për faktin se e lidh drejtpërdrejtë këtë zhvillim me fushatën për rizgjedhjen e Donald Trump-it, të cilit vështirësitë me korrupsionin ia ndërlikon edhe një mungesë e theksuar e arritjeve në politikën ndërkombëtare. Por ajo po ashtu spikat edhe për faktin se është e formuluar me gjuhën e fushatave zgjedhore, që është tejet e papërshtatshme për situatën në fjalë.

Por ekziston edhe një arsye tjetër përse deklarata mund të ofrojë shkak për shqetësim. Ajo rezonon me të menduarit konservator që thotë se nëse shtetet dhe politikanët mund të anashkalohen, atëherë tregjet do t’i zgjidhin problemet politike që janë dëshmuar si të pazgjidhshme. Ky është një pohim i dyshimtë në çdo rrethanë, dhe është edhe më i dyshimtë në një situatë kur forcat ekonomike nuk janë assesi autonome nga pushteti politik.

Konsideroni, për shembull, mundësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjes rreth tarifave. Edhe pse tarifat janë politikisht popullore në Kosovë si një dëshmi e aftësisë së qeverisë për të vepruar në mënyrë të pavarur, kostot ekonomike dhe barra që bie mbi jetën e qytetarëve në të gjitha shtetet e përfshira në këtë mosmarrëveshje duken mjaft qartë. Më pak i dukshëm është fakti se një grup i përzgjedhur njerëzish nxjerr përfitime të mëdha nga mundësitë e kontrabandës që ofrojnë tarifat, dhe në komunitetet kufitare ku Kosova ka arritur më së paku të vendosë kontrollin administrativ, ky grup nuk është assesi i pavarur nga aktorët politikë në Beograd.

Konkluzioni implicit është se në negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, rrugët që çojnë përpara nuk ka gjasa të gjenden përmes formulimeve të thjeshta ideologjike për fuqinë e tregut, ose përmes ujdive pa kontekst që nuk marrin parasysh ndërlikimet reale në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu ka ndodhur me marrëveshjet më të gjera që, në të kaluarën e afërt, janë nënshkruar por nuk janë zbatuar, dhe po kështu është rasti edhe me këto marrëveshjet aktuale më të vogla.

Mund të sugjerohet se marrëveshja e arritur reflekton dy gjëra. E para, marrëdhënien pragmatike midis presidentit serb, Aleksandar Vučić, dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilët gjatë viteve janë pajtuar për mënyrat se si të bëjnë minimumin e asaj që ndërkombëtarët duket se kërkojnë pa sjellë ndonjë ndryshim domethënës. E dyta është qasja unike diplomatike e z. Grenell, i cili perceptohet gjerësisht se vepron më shumë si një “zbatues” i pushtetit joformal të z. Trump sesa si një diplomat tradicional.

Nëse është ashtu, ndryshimet e mundshme në jetën politike në Kosovë nënkuptojnë se suksesi që përfaqësojnë dy marrëveshjet e arritura mund të mos përsëritet. Me ardhjen e Albin Kurtit, gjaknxehtë dhe doktrinar nga aspekti kombëtar, në postin e kryeministrit,  z. Vučić  do të humbë rezervën e mirëkuptimeve të ndërsjella të pathëna, ndërsa z. Grenell do të gjejë dikë më pak të ndijshëm ndaj argumenteve vetëm ekonomike. Nëse zoti Kurti është fare në gjendje të arrijë marrëveshje me Serbinë, këto do të duhet të jenë marrëveshje gjithëpërfshirëse në të cilat substanca nuk lihet jashtë.

Si bilanc, pas një stine të gjatë të thatë është mirë që të dyja shtetet kanë qenë në gjendje të bien dakord për çfarëdo. Por marrëveshjet për aeroplanët dhe trenat mund të mos jenë domosdo shenjë e një progresi pa vështirësi në të ardhmen.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE