Mbështetje rekord – cilës politikë?

Pse mbështetja për partinë në pushtet është aq e madhe dhe deri më tani e paparë kur politika e po asaj partie kurrë nuk ka qenë më e paqartë? Veçanërisht sa i përket serbëve të Kosovës. Për çfarë votuan ashtu serbët në numër aq të madh, nuk ka përgjigje. A është në pyetje politika për Kosovën, e cila thuajse nuk ekziston ose është tejet e paqartë?  Apo ndoshta bëhet fjalë për diçka tjetër, diçka që nuk ka lidhje me politikën por vetëm me ekzistencën dhe mbijetesën e thatë.

0
81

Të dielën, më 21 qershor, në Serbi u mbajtën zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Edhe pse fushata zgjedhore dhe procesi kaluan në luftë me koronën, e mandej me anashkalimin absolut të pandemisë, kjo nuk e ndali partinë në pushtet në Serbi, Partinë Përparimtare Serbe (SNS), që në zgjedhje të nxjerrë numrin maksimal të përkrahësve të saj. Nga ana tjetër, disi sipas zakonit, opozita në Serbi nuk u tregua në dritën e saj më të mirë. Derisa një pjesë e opozitës e bojkotoi procesin zgjedhor, një pjesë tjetër doli në zgjedhje dhe përfundoi me rezultate edhe jo aq të lakmueshme. Në fund, në Kuvendin e Serbisë hynë vetëm tri lista, koalicioni i deritashëm udhëheqës, SNS me më shumë se 62% dhe SPS me mbi 10%,  si dhe një parti opozitare në krye me ish-vaterpolistin, Aleksandar Šapić, me 4,2%. Është e qartë se situata demokratike në Serbi edhe nuk është në ndonjë nivel të lartë, por kjo meriton një artikull dhe vështrim të veçantë.

Ajo që mbetet interesante është dalja në zgjedhje e serbëve të Kosovës. Në fakt, siç ndodh zakonisht, serbët e Kosovës votuan edhe në këto zgjedhje të caktuara nga Republika e Serbisë. I tërë procesi u monitorua dhe u përcoll nga ana e misionit të OSBE-së. Derisa partia në pushtet në Serbi festonte fitoren absolute, arrinin edhe rezultatet nga Kosova. Presidenti i Serbisë, njëkohësisht edhe kryetar i SNS-së, Aleksandar Vučić, lavdërohej me rezultatin dhe daljen e serbëve të Kosovës. “Vetëm para dy ditëve, neve dhe popullin tonë na gënjenin se si serbët në Kosovë nuk do të mund të marrin pjesë në zgjedhje, e serbët dolën në një numër që kurrë nuk ka qenë më i madh. Për të parën herë në histori, në Mitrovicë kemi pasur më shumë se 10.000 votuesë, më shumë se 10.000 votues në Mitrovicën e veriut e kanë dhënë votën e tyre, kanë votuar më shumë se 56.000 serbë, pra, një dalje të tillë nuk e kemi pasur asnjëherë në zgjedhje,” tha Vučić.

Pra, sipas rezultateve të komunikuara, dalja e serbëve të Kosovës nuk ka qenë asnjëherë më e madhe kurse mbështetja për SNS-në në pushtet është rreth 86%.

Në fund, kur të ndalemi tek rezultatet përfundimtare në Serbi, nuk ka këtu asgjë të çuditshme. Mirëpo, kur e pyesim veten se për çka ashtu konkretisht paskan votuar serbët e Kosovës në një numër asnjëherë më të madh, shumë pyetje dhe paqartësi renditen njëra pas tjetrës. 

Duke e pasë parasysh politikën e gjertanishme të Aleksandar Vučić-it, e cila ndaj Kosovës është absolutisht e paqartë dhe varion nga refuzimi definitiv i njohjes deri tek ajo që Kosova nuk do të njihet në këta kufij, çka është ajo e mirë që iu ofrua serbëve që ata të dalin në një numër aq të madh dhe kryesisht të mbështesin politikën e deritashme të Aleksandar Vučić-it?

Nga ana tjetër, nëse e marrim parasysh fushatën zgjedhore dhe spotin e SNS-së në të cilin Serbia u paraqit, ashtu të themi, pa Kosovën, si është e mundur që askush në Kosovë nuk i kushtoi vëmendje kësaj?

Nëse shkojmë më tutje, vendimet e Serbisë për Kosovën tek duhet të merren; ky vit do të sjellë me vete takime ku tema para së gjithash do të jetë procesi i mëtutjeshëm i negociatave midis Beogradit dhe Prishtinës. Askujt nuk iu tha se cili do të jetë qëndrimi e çfarë do të jetë politika e Serbisë në ato takime.

Fundja, tashmë qe disa muaj po spekulohet për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë e cila para së gjithash ka të bëjë me raportin ndaj Kosovës dhe sipas të gjitha gjasave  ndryshimin e preambulës. Duke pasur parasysh që SNS-ja tani mori 2/3 e ulëseve në Kuvend, e pikërisht aq janë të nevojshme për ndryshimin e Kushtetutës, si është e mundur që askush nuk po e pyet veten se çka do të ndodhë pas kësaj ?

Në fund të fundit, poenta është vetëm një: pse mbështetja për partinë në pushtet është aq e madhe dhe deri më tani e paparë kur politika e po asaj partie kurrë nuk ka qenë më e paqartë? Veçanërisht sa i përket serbëve të Kosovës. Për çfarë votuan ashtu serbët në numër aq të madh, nuk ka përgjigje. A është në pyetje politika për Kosovën, e cila thuajse nuk ekziston ose është tejet e paqartë?  Apo ndoshta bëhet fjalë për diçka tjetër, diçka që nuk ka lidhje me politikën por vetëm me ekzistencën dhe mbijetesën e thatë.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE