Mbi takimin e fundit Kurti – Vučić, me tone pozitive

Ndonëse vazhdon qasja e ngurtë e shteteve në shumë pika të debatit, duket që problemet mes Kosovës dhe Serbisë kanë filluar të dekonstruktohen në mënyrë më të qartë.

0
101

Takimi i fundit mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, paraqet edhe një episod tjetër të konsideruar si përgjithësisht jo i frytshëm sa i përket raportit mes dy vendeve. Ndonëse një takim i tillë nuk mund të ndërlidhet me ndonjë progres evident, duhet patur parasysh që debati i takimit të fundit ka qenë dukshëm më substancial në kuptimin që fillojnë të trajtohen disa elemente që deri më tani duket se janë trajtuar vetëm sipërfaqësisht. Pra, rëndësia e këtij takimi qëndron në shprehjen e vullnetit për të çuar përpara procesin duke u përballur me pikat më kritike të mospajtimeve mes dy shteteve. Diskutimi i fundit përfshiu përsëri elemente si çështjen e të pagjeturve, Asociacionin e komunave, ridizajnimin dhe, si përfundim, edhe njohjen por duke patur parasysh njohjen në funksion të pranimit të të dyja shteteve në Bashkim Evropian. Kjo retorikë më përmbajtësore shërben për të qartësuar pritjet në proces, definon qëndrimet e shteteve dhe mbi të gjitha ofron ndoshta qasjen më konkrete për të arritur deri te një zgjidhje eventuale.

Së pari, takimi i fundit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vučić është relevant në kuptimin që janë bërë të qarta pretendimet e shteteve mbi të ardhmen në raportin mes tyre. Ndonëse njoftimet nga Brukseli jepnin përshtypjen për një takim plotësisht jofrytdhënës, në fakt mund të konsiderohet që takimi i realizuar mes Kurtit dhe Vučić ka qenë  produktiv në kuptimin se janë qartësuar disa pritje si: puna mbi çështjen e pagjeturve dhe dënimi i personave përgjegjës, ridizajnimi i marrëveshjes së CEFTA-s, mospërfillja e Asociacionit nga ana e Kosovës dhe njohja e ndërsjellë mes dy shteteve me idenë se kjo do të duhej të çonte në rrugën drejt BE-së per shtetet. Vlen të theksohet se ndonëse kjo qasje tashmë tejet agresive nga ana e Kosovës rrezikon të zgjasë bllokimin e marrëveshjes por që të paktën vendosë kritere të qarta mbi të ardhmen e dialogut. Në këtë drejtim, duke konsideruar të ardhmen evropiane të shteteve, është evidente që koncesione të mëdha do të duhet të bëhen nga të dyja shtetet.
Dialogu i fundit ishte i dobishëm edhe në një dimension tjetër. Bëri të qartë edhe qëndrimet e shteteve duke ritheksuar se në fakt tani të dyja shtetet, Kosova dhe Serbia, ndonëse me disa ide të ngurta, janë të prirura për të punuar drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Një perceptim i tillë vjen edhe nga përfaqësuesi i BE-së, Miroslav Lajčak. Lajčak shprehet për Kurtin dhe Vučić se “të dy liderët kanë pasur deklarata të sinqerta rreth asaj se çfarë duan palët nga dialogu. Për Bashkimin Evropian është e rëndësishme që të dy liderët konfirmuan se nuk ka rrugë tjetër përveç normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”. Pra, ndonëse vazhdon qasja e ngurtë e shteteve në shumë pika të debatit, duket që problemet mes Kosovës dhe Serbisë kanë filluar të dekonstruktohen në mënyrë më të qartë dhe që pavarësisht rrugës që shtetet zgjedhin, synimi mbi normalizimin e raportit mes dy shteteve dhe e ardhmja evropiane është e përbashkët.

Takimi i fundit në Bruksel mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë mund të perceptohet si pozitiv edhe për vazhdimësinë e procesit të dialogut pasi që ky diskutim thelbësor mund të shërbejë si bazë e mirë për të informuar takimin e radhës mbi atë se si shtetet pritet t’i qasen këtij procesi. Pra, pa marrë parasysh ngurtësinë evidente, dialogu pritet të vijojë në linja të qarta mbi atë se si i shohin Kosova dhe Serbia temat e ndryshme brenda këtij procesi. Relevant është edhe fakti që duke patur parasysh që të dy liderët, Kurti dhe Vučić, janë në fillim të mandateve të tyre përkatëse dhe vazhdimësia në qasje që këta liderë sjellin në dialog mund t’i kontribuojë edhe kulminimit eventual të këtij procesi.

Takimi i fundit i liderëve të Kosovës dhe Serbisë në të cilin “shtetet nuk janë pajtuar për asgjë” mund të shihet në fakt me tone pozitive. Kryeministri Kurti u shpreh kështu për bisedimet: “tashmë po i trajtojmë gjërat në thelbin e tyre, e nuk po përpiqemi ta evitojmë elefantin në dhomë.” Duket që një deklaratë e tillë ka vërtetësi sepse temat e shtjelluara në këtë debat kanë substancë dhe në këtë mënyrë shpalosin pritjet dhe qëndrimet e shteteve duke krijuar kështu një kornizë shpresëdhënëse mbi një konkludim eventual të këtij procesi.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE