Më mirë status quo apo shkëmbim territori?

Përveç destabilizimit rajonal që do të mund të sillte ndryshimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, edhe vetë skenari i një ndarjeje potenciale është i komplikuar në praktikë. Kjo sepse shkëmbimi i territoreve nënkupton edhe lëvizje të mundshme të popullsisë. Ky skenar do të mund të sillte lëvizje jo të rregullta të popullsisë.

0
163

Njëra ndër temat e cila ka pushtuar me të drejtë vëmendjen e opinionit në Kosovë dhe Serbi është edhe mundësia për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Me këtë lloj kompromisi, Kosova supozohet të marrë Luginën e Preshevës ndërsa në anën tjetër Serbia të marrë Mitrovicën e Veriut. Ndonëse fjala kompromis ka një lloj konotacioni pozitiv, në rastin e Kosovës dhe Serbisë, duke konsideruar implikimet që prodhohen nga shkëmbimi potencial i territoreve mund të argumentohet që status quo-ja është opsion më i mirë në raportin Kosovë – Serbi. Kjo, për shkak se shkëmbimi i territoreve mund të ketë implikime vërtetë negative.

Së pari, është argumentuar nga David Phillips, ish-këshilltar i Departamentit Amerikan të Shtetit, që ndryshimi i kufijve mund të destabilizojë rajonin dhe po ashtu do të ndikonte në nxitjen e dhunës në këtë pjesë të Ballkanit. Phillips merr si shembull rastin e ndarjes së Indisë (1947), në Indi dhe Pakistan, që rezultoi me dhunë dhe migrim masiv. Duke u ndërlidhur me këtë, ne duhet të kemi parasysh që jetojmë në një rajon i cili shquhet nga prirje nacionaliste serioze mes etniciteteve, dhe, në këto rrethana, konflikti etnik do të mund të ndodhte në Kosovë dhe rajon. Kjo, shton Phillips, do t’i destabilizonte edhe më tej shtetet e brishta në Ballkan të cilat kanë përbërje multietnike.

Përveç destabilizimit rajonal që do të mund të sillte ndryshimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, edhe vetë skenari i një ndarjeje potenciale është i komplikuar në praktikë. Kjo sepse shkëmbimi i territoreve nënkupton edhe lëvizje të mundshme të popullsisë. Ky skenar do të mund të sillte lëvizje jo të rregullta të popullsisë. P.sh., siç thekson Phillips, shqiptarët që jetojnë në pjesën veriore të Ibrit do të ishin mes dilemës të qëndrojnë në atë zonë apo për ta do të duhej të mendohej procesi i migrimit dhe kompensimit të tyre. Në procesin e shkëmbimit të tokave do të duhej të mendohej edhe për mënyrën e një ndarjeje të drejtë të tokave e cila do të kishte parasysh edhe vlerën e këtyre tokave.

Për shkëmbimin e territoreve ekziston një lloj mospajtimi edhe brenda vetë shteteve të Kosovës dhe Serbisë. Njohësi i çështjeve të rajonit, Ben Andoni, thotë që as Kosova e as Serbia nuk kanë arritur një pajtueshmëri brenda shteteve të tyre lidhur me mënyrën më të përshtatshme për shkëmbimin e territoreve. Përveç se e quan këtë ide të rrezikshme, ai thekson se vetë kisha serbe nuk ka qenë gjithmonë dakord për mënyrën se si do të bëhej shkëmbimi i territorit. Kjo komplikon edhe më tepër procesin e ripërcaktimit të kufirit  mes dy shteteve.

Është e rëndësishme të theksohet që ndonëse ripërcaktimi i kufijve përbën një përpjekje për kompromis mes Kosovës dhe Serbisë dhe supozohet që u kontribuon interesave përkatëse të shteteve për integrim në strukturat e ndryshme mbikombëtare, në të vërtetë, ky proces duket do të vononte integrimin e Serbisë dhe Kosovës në këto struktura. Në këtë kontekst, janë eksponentë të rëndësishëm nga shtetet kyçe të strukturave mbikombëtare si kancelarja gjermane Angela Merkel e cila thekson që Kosova dhe Serbia duhet të prioritarizojnë integrimin në strukturat evropiane dhe se një skenar i shkëmbimit të territoreve nuk duhet të ndodhë. Merkel thotë në mënyrë shumë të qartë: “Ekziston një perspektivë evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.” Këto fjalë kanë tone optimizmi dhe shprese e mbi të gjitha i shtojnë vlerë argumentit se shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë nuk është opsioni më i mirë i mundshëm.

comments

SHARE