Me të njëjtën monedhë

0
1126

Krenar Gashi

Marrëveshja u arrit. Sikur të gjitha marrëveshjet në dialogut e Brukselit, megjithatë, edhe kjo e fundit për Bashkësinë e Komunave Serbe të Kosovës, është shkruar në frymën e Jean Monnet dhe konceptit të dykuptimësisë kreative.

Përderisa kjo frymë ka funksionuar për merak në integrimet evropiane, p.sh., nuk është treguar aq funksionale në bisedimet e deritanishme mes Kosovës e Serbisë. Kjo, për shkak të mospranimit të saj si të tillë nga vetë palët, të cilat në vend se ta pranojnë natyrën e dykuptimshme të marrëveshjeve të arritura, me t’u kthyer në kryeqytete janë kthyer edhe në pozitat fillestare të negociatave. Marrëveshja u arrit, por gjithçka varet nga zbatimi i saj. Prandaj, bashkëqytetarë të mi serbë, topi është në anën tuaj, dhe, rrjedhimisht, e ardhmja e juaj në vendin tonë të përbashkët tani varet nga vetë ju.

Marrëveshja e fundit ka dy karakteristika: në njërën anë krijon një autonomi të gjerë të vetëqeverisjes lokale për serbët, ndërsa në anën tjetër ruan rendin kushtetues dhe ligjor të Kosovës, rend ky ku serbët janë bashkësi përbërëse. Në sensin funksional, përkundër vështirësive, bashkekzistenca e këtyre dy karakteristikave është lehtë e realizueshme. Megjithatë, do varet nga ju, nga përfaqësuesit që keni zgjedhur dhe do zgjedhni në të ardhmen dhe prioritetet që ata do zgjedhin për ju.

Nënshkrimin e marrëveshjes nga ana e institucioneve të Kosovës, duhet parë si një hap të tyre të madh. Kjo për shkak se marrëveshja del përtej dispozitave të Ahtisaarit, të cilat bota akademike i vlerëson si ndër më të mirat të mundshme për akomodimin e bashkësive jo-shumicë. Krijimi i Bashkësisë është një hap i madh tutje drejt këtij akomodimi. Bashkësia përfaqëson gjithçka që një demokraci konsocionale mund të ofrojë, madje duke rrezikuar edhe vetë funksionimin e saj. Prandaj tani topi është te ju.

Nëse përfaqësuesit tuaj zgjedhin që të punojnë për ju, pra t’u japin përparësi brengave tuaja për siguri, mirëqenie e zhvillim, atëherë Bashkësia do funksionojë për merak. Këtë mund ta bëjë madje edhe duke injoruar çështje të ndjeshme politike si puna e pavarësisë së vet shtetit në të cilin do funksionojë. Nëse ata, megjithatë, zgjedhin të punojnë për interesa të ngushta të padronëve të tyre në Beograd, duke u munduar që Bashkësinë dhe gjithë qeverisjen lokale ta kthejnë në luftë kundër vetë shtetësisë së Kosovës, atëherë asgjë nuk do funksionojë. Kjo për shkak se në frymën e dykuptimësisë kreative të marrëveshjes, institucionet e Kosovës, prej Qeverisë e deri te Gjykata Kushtetuese, do ta kenë të lehtë ta ndalojnë një përpjekje të tillë mesjetare, gjithnjë në suaza të marrëveshjes së arritur.

Gjendja e krijuar është sikur një dilemë e të burgosurve, të cilën Teoria e Lojës e sqaron shumë mirë. Me zgjerimin e vetëqeverisjes që institucionet e Kosovës e benë përmes marrëveshjes së fundit, u bë një hap i madh mirëbesimi ndaj juve, serbëve të Kosovës. Kthimi me të njëjtën monedhë nga ana juaj do jetë arsyeja më e fuqishme që këto institucione dhe gjithë shoqëria kosovare ta pranojë demokracinë konsocionale që po e ndërtojmë dhe ta çojmë atë më tutje. Do jetë hap i madh drejt bashkëjetesës. Dhe, mbi të gjitha, duke u dhënë përparësi politikave zhvillimore dhe duke i harruar inatet mesjetare, do jetë hap kryekëput në të mirën tuaj.

E kundërta na çon në bllokadë. E nga bllokadat përfitojnë një grusht njerëzish që merren ekskluzivisht me bllokada politike, qofshin ata serbë apo shqiptarë. E kundërta, na çon në ngrirje. E besoj se e keni kuptuar se sado që ngrirja iu duket se po iu shërben interesave tuaja për ta mohuar Kosovën si shtet, krejt çka ka bërë është e ka mohuar të drejtën tuaj për një jetë më të mirë.

http://kossev.info/strana/arhiva/milo_za_drago/6024