Media mbi aktivitetin e Delegacionit shtetëror të Kosovës për bisedimet me Serbinë

0
204

Në fillim të janarit, në Bruksel u zhvillua takimi i parë ndërmjet Delegacionit shtetëror të Kosovës për dialog me Serbinë dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.

Mediat njoftuan pas takimit se dy bashkëdrejtuesit e Delegacionit shtetëror të Kosovës, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, kishin prezantuar rezolutën dhe Ligjin për dialogun, si dhe i kishin sqaruar Mogherinit rolin e këtij delegacioni dhe gatishmërinë për të diskutuar për të gjitha temat e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat do të çonin deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me kushtin parësor, njohjen reciproke.

Koha Ditore në kryeartikullin e saj mbi këtë takim raportoi se ‘pezullimi’ i taksës  shihej nga BE-ja si e vetmja rrugëdalje për vazhdimin e dialogut dhe se “BE-së s’i intereson se kë e dërgon Kosova në Dialog, kërkesë e vetme është heqja urgjente e taksës”. Delegacioni shtetëror kishte deklaruar se gjatë takimit kishte insistuar që ky delegacion shtetëror është tash adresa e vetme për dialog, e “madje edhe ftesat për presidentin duhet të shkojnë përmes këtij delegacioni”. Sipas Kohës Ditore, pyetja kryesore e shteteve që po shqetëson shumë shtete anëtare te BE-së është se “a do të ketë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbështetjen në Kosovë për të arritur një marrëveshje e cila do të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve të sotëm të Kosovës”.

Mediat njoftuan se delegacioni shtetëror i kishte kërkuar presidentit Thaçi raportin mbi bisedimet me Serbinë duke i dhënë edhe afat kohor deri më 11 janar. Gazeta “Zëri” njoftoi se presidenti Thaçi nuk e kishte përfillur këtë afat kohor të vënë nga delegacioni shtetëror dhe se “një veprim i tillë i Thaçit, sipas përfaqësuesve të partive opozitare, që nuk janë pjesë e dialogut, dëshmon qartë se ekipi, i udhëhequr nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, është vetëm një patericë e kreut të shtetit dhe nuk ka kurrfarë roli në procesin e negociatave me Serbinë.” Kallxo.com njoftoi se presidenti Thaçi u kishte dorëzuar këtë raport bashkëkryesuesve të dialogut vetëm më 21 janar gjatë një takimi me ta. Bashkëkryesuesi, Shpend Ahmeti, u tha mediave se “ky është raport i Presidencës për delegacionin shtetëror, na është raportuar mbi temat, nuk është transkript por raport për temat si të zhdukurit, të zhvendosurit, trashëgimia kulturore e dy shteteve” dhe se kishin marrë përgjigje nga presidenti Thaçi se nuk kishte një draft marrëveshje të shkruar me Serbinë deri në këtë fazë të dialogut.

Nga mesi i janarit mediat njoftuan se kryeparlamentari, Kadri Veseli, kishte thirrur një takim midis përfaqësuesve të partive, ekipit negociator, presidentit Thaçi dhe kryeministrit, Ramush Haradinaj. Në takimin ku, sipas Gazetës Metro, u diskutua për punën e deritashme dhe koordinimi i punës Ekip Negociator – Qeveri – Presidencë – Kuvend, nuk morën pjesë partitë opozitare LDK dhe VV, e as presidenti Thaçi, i cili kishte deleguar përfaqësuesit e tij në këtë takim. RTV 21 njoftoi se kryeparlamentari Veseli kishte thënë se para dhe pas çdo takimi të palës kosovare në Bruksel, do t’i ftojë të gjithë akterët politikë nga pozita dhe opozita për t’u koordinuar për fazën finale të dialogut.

Në fund të muajit, mediat njoftuan se delegacioni shtetëror pati edhe një takim në Bruksel, por se këtë herë u prit nga një delegacion i BE-së i kryesur nga Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm, Angelina Eichhorst. Zyrtarët e BE-së i kishin bërë të ditur Radio Evropës së Lirë se në këtë takim BE-ja dhe bashkëkryesuesit e dialogut nga Prishtina kishin rishikuar përparimin e arritur deri më tani në normalizimin e raporteve në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se “bashkëkryesuesit nga Prishtina kanë ofruar të dhëna rreth zhvillimeve të fundit, përfshirë edhe Ligjin për dialogun dhe punën e komisionit që po punon në platformën për dialog”.

Mediat po ashtu njoftuan se gjatë janarit pritej që delegacioni shtetëror ta prezantojë para Kuvendit platformën për dialogun me Serbinë. Sipas medieve, bashkëkryesuesi i delegacionit, Shpend Ahmeti, në dhjetor kishte thënë se kjo platformë do t’i përcaktonte parimet për këtë delegacion dhe për dialogun me Serbinë dhe se ajo do t’i prezantohej Kuvendit të Kosovës brenda 30 ditësh. Së voni, bashkëkryesuesi Limaj i kishte thënë Radio Evropës së Lirë se platforma do të ishtë gati javën e fundit të janarit dhe se objektivi i kësaj platforme është bërja publike e pozicionit të Republikës së Kosovës në dialogun e ardhshëm dhe çka pret Kosova në atë dialog. Sipas Limajt, platforma “reflekton vullnetin dhe gatishmërinë për dialog, por, njëkohësisht edhe pritjet tona për epilogun e dialogut”.

Me vonesën e prezantimit të kësaj platforme sipas afatit të paraparë, Koha Ditore konsideroi se “rezoluta për dialogun me Serbinë është shkelur nga vetë Delegacioni shtetëror i formuar me këtë dokument” pasi në të parashihej që delegacioni ta finalizonte Platformën e dialogut brenda një muaji, prej kur Rezoluta do të miratohej nga deputetët. Kujtojmë se kjo Rezolutë është miratuar nga Kuvendi në dhjetor.

Në fillim të shkurtit, Kuvendi  miratoi me 61 vota projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetërorë të Kosovës, në procesin e dialogut me Serbisë. Mediat njoftuan se VV ka paralajmëruar se do ta dërgojnë këtë projektligj në Gjykatën Kushtetuese sepse projektligji sipas tyre është “skandaloz në aspektin politik, por po ashtu edhe kundër kushtetues”.

SHARE