Media mbi debatin rreth ‘korrigjimit të kufijve’

0
77

Edhe gjatë muajit gusht, ashtu si edhe në korrik, media në Kosovë e Serbi u përqëndruan në debatin mbi ‘korrigjimin e kufirit’ midis Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, disa herë gjatë muajit përsëriti se nuk do të ketë ndarje të Kosovës e as shkëmbim të territoreve, por vetëm korrigjim kufijsh me Serbinë dhe njohje reciproke. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Kosovapress, ai tha se ky term nuk ishte shpikur nga ai por se njihej si praktikë e shpeshtë në historinë e shteteve si mjet “për të tejkaluar hasmëritë, për të zgjidhur problemet, për të krijuar paqe afatgjate”. Ky korrigjim kufijsh, u raportua, do të përfshinte edhe Luginën e Preshevës. Në anën tjetër, mediat serbe njoftuan se presidenti, Aleksandar Vučić, kishte deklaruar se e mbështeste korrigjimin e kufijve me Kosovën duke thënë se nuk e fsheh këtë fakt, ani pse kjo ide mund të mos e marrë përkrahjen e qytetarëve. BBC në serbisht, përderisa shkruante për idenë e korrigjimit të kufijve, duke e marrë parasysh edhe historikun e kësaj ideje që daton nga elaboratet e Dobrica Čosić-it në vitin 1991, tha se krejt kjo ide ishte “rrëfim i vjetër, paketim i ri”.

Megjithatë, mediat në Kosovë dhe Serbi, njoftuan se nuk ka konsensus për idenë për korrigjim të kufijve as nga akterët politikë në Kosovë dhe Serbi e as nga faktori ndërkombëtar. Ato e përcollën deklaratën e kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila u shpreh bindshëm se është kundër çfarëdo ndryshimi të kufijve në Ballkan. Në një intervistë për televizionin kosovar T7, ambasadori britanik në PRishtinë, Ruari O’Connell, deklaroi se Britania e madhe është kategorikisht kundër idesë pasi kjo mund të sjellë precedentë të tjerë në Ballkan – “kufijtë shkruhen me fjalë por ndryshohen me plumba,” tha ai. Ndërkaq, për një prononcim për Deutsche Welle (DW), zëvendëszëdhënësi i shtypit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Fahran Haq, tha se ndonëse nuk kishin një deklaratë zyrtare, përkrahnin çdo lloj diskutimi midis Prishtinës dhe Beogradit dhe se diskutimet mbi korrigjimin e kufijve u takonin palëve. Sa i përket BE-së, mediat përcollën deklaratën e kryediplomates Federica Mogherini, e cila tha se BE do të mbështesë çfarëdo marrëveshje midis Serbisë e Kosovës, që do të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe që shmang krijimin e shteteve të pastra etnikisht. Ngjashëm u raportua se gjatë Forumit të mbajtur në Albach te Austrisë, specifikisht në panelin ku morën pjesë edhe presidenti kosovar dhe ai serb, komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn kërkoi nga presidentët e të dyja vendeve që të arrinin një marrëveshje që siguronte stabilitet në rajon. Lidhur me qëndrimin e SHBA-së, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për siguri, John Bolton, u raportua se ka thënë që SHBA nuk do ta pengojë shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, si mënyrë për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet – nëse Prishtina dhe Beogradi arrijnë marrëveshje “që kënaq të dyja palët”.

Mediat kosovare dhe ato serbe po ashtu njoftuan se reagimeve të akterëve ndërkombëtarë iu përgjigjën edhe presidenti kosovar dhe ai serb. Presidenti Vučić kërkoi hapësirë që vetë serbët dhe shqiptarët ta gjejnë zgjidhjen për Kosovën, ndërkaq homologu i tij kosovar siguroi bashkësinë ndërkombëtare se nuk duhet të kenë frikë nga një marrëveshje potenciale mes Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse kjo nënkupton korrigjim të kufirit, pasi kjo zgjidhje nuk është e paprecedent dhe si e tillë nuk do ta destabilizonte rajonin.

Sa i përket akterëve politikë vendorë, mediat kosovare njoftuan se presidenti Thaçi është krejt i vetëm në iniciativën për korrigjim të kufijve. Transmetuesi publik i Kosovës, RTK raportoi se presidenti Thaçi nuk e kishte as mbështetjen e kryeministrit Ramush Haradinaj e as të partive të tjera politike, ndërkaq Radio Evropa e Lirë solli një artikull me titullin “Thaçi ecën vetë”. Në fund të gushtit, mediat njoftuan se shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, kishte dorëzuar në kryesi të Kuvendit kërkesën për seancë të jashtëzakonshme ku synohej të miratohej rezoluta që i ndalon Presidentit dhe kujtdo tjetër të negociojë për tërësinë territoriale të Kosovës. Kjo seancë, ndërkaq, pritet të mbahet në fillim të shtatorit. Ndërkohë, sipas gazetës serbe Novosti nevojitet një konferencë ndërkombëtare – të tipit “Dayton 2” – në të cilën do të arrihej zgjidhja për çështjen e Kosovës. Ish-ministri i Qeverisë së Kosovës, njëherësh kryetari i Partisë Progresive Demokratike, Nenad Rašić, në një intervistë dhënë Telegrafit, është deklaruar kundër ndarjes apo shkëmbimit të territoreve pasi “do të ndikonte negativisht në jetën e serbëve që jetojnë këtu, po ashtu do të kishte pasur ndikim negativ në tërë rajonin”. Rašić tha se presidenti Hashim Thaçi, me deklaratat e tij për korrigjim të kufijve, është treguar i papjekur politikisht.

comments

SHARE