Media mbi ekipin e ri negociator të Kosovës

0
291

Gjatë dhjetorit, në Kuvendin e Kosovës u miratua rezoluta mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Me të u përcaktua edhe delegacioni shtetëror i Kosovës që do ta përfaqësojë vendin në dialogun me Serbinë, të lehtësuar nga BE-ja. Bashkëdrejtues të këtij delegacioni u emëruan Fatmir Limaj, zv/kryeministër dhe kryetar i Nismës Socialdemokratike, dhe Shpend Ahmeti nga radhët e Partisë Social Demokrate (PSD). Takimi i parë konsultativ i këtij delegacioni me përfaqësuesit të Shërbimit Diplomatik Evropian (EEAS) u njoftua se do të mbahej në fillim të janarit.

një letër që kryeministri Haradinaj mori nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, komisionerja për tregti, Cecilia Malmström, dhe komisioneri Johannes Hahn, thuhet se dialogu Kosovë – Serbi nga pala kosovare udhëhiqet nga presidenti Thaçi. Përfaqësuesit e BE-së këtë letër shkruajnë se rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës është një zhvillim i rëndësishëm dhe do të kontribuojë për ta forcuar peshën e autoriteteve të Kosovës dhe do të duhej të mundësonte lehtësimin, përshpejtimin e vazhdimit të procesit në mënyrë konstruktive, në kuadër të organizimit aktual të Dialogut të Nivelit të Lartë.

Më tutje, në letër thuhet se me këtë ekip uniteti që posedon mbështetje të gjerë nga partitë në qeveri dhe opozitë, dhe propozimin që i kontribon punës së ekipit negociator që mbështetë presidentin Thaçi, është koha për t’iu kthyer dialogut të lehtësuar nga BE. Në fund, përfaqësuesit e BE-së theksojnë se është thelbësore që ky ekip me gjithë peshën e tij t’i vihet pas përpjekjeve të presidentit në Dialog.

Kësaj letre iu kundërpërgjigjen dy partitë më të mëdha opozitare, VV dhe LDK, të cilat nuk morën pjesë në votimin e rezolutës dhe vazhdojnë të refuzojnë të jenë pjesë e këtij delegacioni. Në letrën drejtuar Mogherini-t dhe Hahn-it, shefat e grupeve parlamentare të LDK-së dhe VV-së, Avdullah Hoti dhe Glauk Konjufca, theksuan se ‘opozita kryesore që përfaqëson shumicën e elektoratit të vendit, siç shpjegohet më lartë, nuk kemi votuar për këtë “ekip të unitetit” të cilit i referoheni. Për pasojë, nuk ka “mbështetje të gjerë” për këtë ekip, siç shkruani ju në letrën tuaj.”

Deklaratën e përfaqësuesve të lartë BE-së rreth rolit të presidentit Thaçi në dialogun me Serbinë, analisti dhe gazetari Enver Robelli, në një kolumne në Dialog Plus, e cilësoi si ‘komedi me dy aktorë të dështuar’. Sipas Robellit, Mogherini po i jep të drejtë vetes t’i zgjedhë përfaqësuesit e Kosovës që do të marrin pjesë në takime në Bruksel. Mogherini po sillet në stilin e një guvernatoreje arrogante, konsideron Robelli, dhe po e trajton Kosovën si koloni afrikane të shekullit të ’19, “duke e injoruar Kuvendin dhe qeverinë e Kosovës, përfshirë kryeministrin”.

Në një intervistë për të përditshmen ‘Zëri’, analisti, Imer Mushkolaj, konsideroi se Bashkimi Evropian nuk mund të zgjedhë kush do ta udhëheqë dialogun. Sipas Mushkolajt, Kosova duhet t’ia bëjë të qartë BE-së se kjo e fundit nuk mund ta përcaktojë kush e udhëheqë dialogun, por se ky vendim i takon Kosovës. “Kosovën në dialog me Serbinë duhet ta përfaqësojë ekipi i cili është krijuar dhe i cili është votuar në Parlament.”

Grupi për Studime Politike dhe Juridike, organizatë që merret me politika publike, po ashtu e ka konsideruar deklaratën e përfaqësuesve të lartë të BE-së si një përpjekje për ta kontestuar kornizën demokratike të vendimmarrjes së Republikës së Kosovës. Sipas tyre, në një demokraci parlamentare, siç është Kosova, institucioni i Parlamentit gëzon rol qendror në përcaktimin e pozicionit negociues në rastet kur diskutohen çështje të rëndësisë jashtëzakonshme, sikurse është marrëveshja finale me Serbinë dhe se ‘kushdo që synon ta tejkalojë një rol të tillë i shërben të kundërtës së qëllimit të normalizimit të marrëdhënieve’.

Korrespondent i rregulltë nga Brukseli për grupin medial ‘Koha’, Agustin Palokaj, konsideron se qeverisë së Kosovës i kërkohet nga BE-ja të punojë në shërbim të dialogut dhe se ekziston përshtypja se dialogu konsiderohet më i rëndësishëm se vetë Kosova. Palokaj konsideron se të gjitha zhvillimet në Bruksel maten me atë se si do të ndikojnë në dialog dhe se ‘gjithçka duhet t’u përshtatet nevojave të dialogut dhe asgjë Kosovë mund të dëmtojë apo të ngadalësojë apo ta vë pikëpyetje këtë dialog nuk duhet të ndodhë.’ Sa i përket përfaqësimit të Kosovës në dialog, sipas Palokajt, kushdo që merr ndonjë përgjegjësi për këtë dialog, mund të mirëpritet nga Brukseli, ‘por gjithmonë duhet ta ketë parasysh se duhet të shërbejë mbështetje të Thaçit’ pasi presidenti shihet nga Brukseli si bartës i përgjegjësive për dialog.

Ndërkaq, Jeta Krasniqi, menaxhere e projekteve të Institutit Demokratik të Kosovës rreth rolit të Kuvendit në mbikëqyrjen e qeverisë për dialogun Kosovë-Serbi, konsideron se ekipi negociator në takimin me përfaqësuesit e BE-së e paraqet Kosovën të koordinuar në dialog. Krasniqi e vlerëson të nevojshëm koordinimin mes ekipit negociator, presidentit dhe partive opozitare që të arrihet deri te ‘qëndrimi i shtetit të Kosovës në këto bisedime dhe të mos kemi diskrepanca që jemi duke parë aktualisht‘.

Përcjellësit e Thaçit’, kështu e pagëzoi ekipin e ri negociator të Kosovës, drejtoresha e Grupit ‘Koha’, Flaka Surroi, në kolumnen e saj të rregulltë. Sipas saj, votimi i rezolutës për delegacionin shtetëror negociator dëshmon se nuk ka kush që ia konteston pushtetin absolut presidentit Thaçi. Megjithatë, shkruan ajo, ‘fakti se dy partitë mëdha opozitare nuk bëjnë pjesë këtë ekip tregon se Kosovës i mungon konsensusi, në kohën më pavolitshme të mundshme për Kosovën.’ Votimi i kësaj rezoluta nga PDK-ja, sipas Surroit, tregon se ‘ajo është hartuar ashtu që e ka kënaqur kërkesën kryesore të partisë Thaçit, pra që ky të jetë kryenegociatori i padiskutueshëm’ dhe se të tjerët, përfshirë bashkëkryesuesit, do të jenë përcjellësit e tij në shëtitjet që do t’i bëhen Brukselit.

Edhe redaktori i Aktiv Press, Agron Halitaj, konsideroi se rezoluta e miratuar në Kuvend nuk reflekton konsensus të gjerë politik për procesin e dialogut. Bile, Halitaj konsideron se me këtë rezolutë është krijuar një hendek edhe më i gjerë mes opozitës reale dhe koalicionit qeverisës dhe kreut të shtetit. Sipas tij, serioziteti i atyre që e kanë përpiluar, e më pas edhe i atyre që e kanë votuar këtë rezolutë ‘shihet në atë se kë e kanë zgjedhur të jetë bashkëkryesues, e kë anëtar të ekipit shtetëror dialogues.’ Meqë marrëveshja përfundimtare me Serbinë kërkon konsensus të gjerë politik, konsideron Halitaj, mbi presidentin Thaçi rëndon përgjegjësia që ta sigurojë mbështetjen e shumicës parlamentare për çfarëdo marrëveshjeje që nënshkruan me homologun serb, ‘e kjo mbështetje nuk mund të arrihet pa shkuar vendi në zgjedhje, në mënyrë që më pas, të formohet një Qeveri e koalicionit të gjerë.

SHARE