Media mbi fillimin e fazës së re të Dialogut

0
383

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vučić, u takuan në Bruksel të dielen e fundit të qershorit në kuadër të fazës finale të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuara nga Bashkimi Europian.

DW në shqip njoftoi se në këtë takim palët po hynin me fokus të ndryshëm. Presidenti Thaçi para takimit kishte folur për domosdoshmërinë e definimit të sovranitetit territorial të Kosovës. Ndërsa presidenti Vučić po fliste për një luftë për mbrojtjen e interesave serbe, ndërkohë që Bashkimi Evropian paraqitej neutral.

Gazeta Koha Ditore në kryeartikullin e 2 qershorit fliste për “katër shtyllat e zgjidhjes finale” e të cilat, sipas zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, do të shërbenin si matëse të fundit të procesit: “Të dyja vendet mund të jenë në raporte normale; Mund ta deklarojmë si përmbyllje të konfliktit 100-vjeçar; Si zgjidhje të çështjes së hapur bilaterale Kosovë-Serbi; Njohje e ndërsjellë.”

Gjatë qershorit, para dhe pas takimit, protagonist i raportimeve të mediave rreth dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit ishte presidenti Thaçi. Specifikisht, nëse ai ka të drejtë të udhëheqë palën kosovare në bisedime.

Koha Ditore, përmes një opinioni të pronares, Flaka Surroi, doli kundër presidentit Thaçi që të jetë prijës i negociatave. Ajo e konsideron presidentin Thaçi si “i vetëcaktuar”, i cili e përçon mesazhin se “unë bëj atë që dua, e askush nuk mundet të bëjë asgjë”, dhe thekson seThaçi mund të jetë kryetar, por assesi edhe simbol i unitetit të shtetit, për shkak se madje edhe partitë e koalicionit qeveritar nuk ia japin përkrahjen për të qenë bartës i bisedimeve.”  

Ndërkohë, pothuajse të gjitha mediet vazhduan të njoftojnë se presidenti Thaçi konsiderohej të ishte “pengesa” për konsensus nacional për këto bisedime pasi partitë politike po e kundërshtonin platformën për bisedime, e cila ndër tjerash, e përcaktonte presidentin Thaçi si përfaqësues të ekipit të Kosovës.

Megjithatë, platforma e dërguar në Kuvend për shqyrtim, u tërhoq nga Qeveria, respektivisht nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, për t’i dhënë kohë debatit dhe “për të mos krijuar thyerje mes grupeve politike”.

Thaçi dhe Vučić u takuan me 24 qershor me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, në Bruksel, pas të cilit takim presidenti kosovar deklaroi se kishte qenë takim i vështirë, por me “tone pozitive”. Presidenti Thaçi tha se kjo fazë është “momentum i duhur” dhe nëse e lëshonin nga dora këtë momentum “do të paguajmë shtrenjtë të dy palët”. Mediat, më tutje, njoftuan se presidenti Thaçi kishte deklaruar se nuk kishin diskutuar për çështje konkrete, por për rrugën përfundimtare të gjetjes së zgjidhjes. Në anën tjetër, presidenti Vučić kishte deklaruar se nuk ishte optimist por se kishin rënë dakord që të gjitha problemet të zgjidhen në paqe. Ai po ashtu tha se do t’i drejtohet popullit serb rreth zgjidhjes së “problemit të Kosovës”. Ndërkohë, Mogherini e vlerësoi takimin si “i vështirë, por inkurajues”.

Ndërkaq, një ditë para se muaji qershor të përmbyllet, mediet njoftuan se presidenti Thaçi ka raportuar para kabinetit qeveritar për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me atë rast ai u ka bërë sërish thirrje subjekteve politike të bëhen pjesë delegacionit kosovar në bisedime.

Në anën tjetër, Radio Europa e Lirë (REL) njoftoi se dialogu po shkonte drejt bllokadës për shkak se nuk kishte ndonjë informacion se kur do të vazhdonte dialogu teknik në Bruksel, dialog për të cilin ishte mbajtur vetëm një takim brenda 8 muajve. REL raportoi se Avni Arifi, koordinator i Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, kishte thënë se pala kosovare kishte kërkuar që të adresohen marrëveshjet e pazbatuara, por se nuk kishin asnjë indikacion se kur do të ketë takime me delegacionin serb për temat e mbetura.

Sa i përket zbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë, mediet njoftuan se publicistit Shkëlzen Maliqii ishte ndaluar hyrja në territorin e Serbisë, ku ai po shkonte me disa kosovarë të tjerë për të marrë pjesë në  në një diskutim me rastin e lansimit të publikimit “20 Vjet Përtej/Preko/Beyond”, që përmbledh një kronologji të 20 viteve të bashkëpunimit kulturor ndërmjet akterëve kulturor nga të dyja shtetet. Beogradi zyrtar deri më sot, nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë ndalesë ani pse ky veprim nga zyrtarët kosovarë u cilësua si “shkelje e vrazhdë” e marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve më 2015 për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë.

comments

SHARE