Media mbi marrëveshjet e fundit Kosovë-Serbi

0
754

I dërguari special i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, brenda pak kohësh arriti të ndërmjetësojë nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë për vendosjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, si dhe pajtimin në parim të palëve për rivendosjen e linjës hekurudhore midis Prishtinës dhe Beogradit. Arritja e marrëveshjes së parë u cicërrua (në twitter) edhe nga vetë presidenti Trump, që e konsideroi këtë veprim sukses të administratës së tij.

Mediat raportuan se me marrëveshjen e parë u rivendos linja ajrore ndërmjet Beogradit e Prishtinës pas 21 vjetësh. Agjencia e lajmeve, Kosova Press, njoftoi se në një ceremoni në Ambasadën Amerikane në Berlin, përfaqësuesë të kompanisë ajrore Lufthansa, në prani të ambasadorit Grenell, i kanë dorëzuar Autoritetit të Aviacionit Civil në Kosovë letrën me të cilën i kanë njoftuar për synimin e linjës dhe kanë kërkuar që institucionet e Kosovës t’u ofrojnë përkrahjen e nevojshme si për fluturimet tjera.

Fill pas kësaj, mediat e përcollën postimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në profilin e tij në Facebook, ku kishte deklaruar se e mirëpret hapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd, Sipas Thaçit, kjo ngjarje “shënon një hap tjetër në përpjekjet tona për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”. Në anën tjetër, mediat serbe raportuan se presidenti serb, Aleksandar Vučić, këmbënguli që në linjën Beograd – Prishtinë të mos operojë transportuesi serb Air Serbia, duke arsyetuar se lidhja e marrëveshjeve të nevojshme me autoritetet e Kosovës për kontrollin e trafikut ajror do të përbënte një lloj njohje.

Ndërkaq, RTK raportoi se përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan në fund të janarit në Berlin, nën ndërmjetësimin e Grenellit, për të diskutuar për rivendosjen e linjës hekurudhore midis Prishtinës dhe Beogradit dhe lëshuan një Letër Synimi. Grenell tha, sipas RTK-së, se diskutimet do të vazhdonin në javët e mëvonshme. Kohavision raportoi se presidenti Vučić kishte deklaruar se për vendosjen e hekurudhës mes Beogradit dhe Prishtinës duhet hequr taksa. Sipas Vučić-it, nuk ka kuptim të ekzistojë linja pa mallra. “Nuk mundemi të kontrollojmë qeset e njerëzve sa herë që udhëtojnë. Vetëm në një vit, ne humbëm 435 milionë euro.” Megjithatë, Vučić-i kishte shtuar se Beogradi është i gatshëm për zgjidhje dhe kompromis, dhe kjo pasi sipas tij, bëhet për të mirën e popullit serb në Kosovë.

Arritja e këtyre dy marrëveshjeve nga analistë të fushës u pa nga këndvështrime të ndryshme. Për disa ishte diskutabile vendosja e theksit të administratës amerikane në zhvillimin ekonomik si zgjidhje për situatën mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq për të tjerët, nisma e Grenellit tregonte zhvendosje të rolit kyç në dialog nga BE tek SHBA.

Flaka Surroi, e grupit KOHA, konsideroi se këto marrëveshje nuk mund të jenë kryer për dy ditë, por se janë ‘pasojë e bisedave që me siguri kanë vazhduar prapa perdeve ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit.’. Sipas Surroit, heshtja e gjatë e Thaçit dhe mungesa nga ekranet televizive për një kohë nuk do të ketë qenë pasojë e pushimit të zgjatur dimëror, ‘por pikërisht vazhdimi i një negociate të pakokë dhe krye më vete që do të na kushtojë shtrenjtë po nuk u ndal ky njeri.’ Surroi më tutje shtoi se me gjithë respektin për shtetin të cilin e përfaqëson Grenell, ‘nuk mund t’i gëzohem një euforie të këtillë blickrigu – ku na thuhet harrojeni politikën e kthehuni nga ekonomia, kur pikërisht i gjithë problemi ekonomik i Kosovës e ka bazën te politika.

Analisti, Agon Maliqi, në një vështrim të tij në platformën Sbunker, konsideroi se nisma e Grenellit mbase edhe ka gjasa për të pasur sukses, por se ato duken vetëm teorike. Sipas Maliqit, ka arsye për të besuar se marrëveshjet e transportit janë vetëm një shkallë për t’u ngjitur drejt një marrëveshjeje më e madhe, e cila me sa duket është qëllimi dhe mandati i Grenellit. “Në këtë kontekst, marrëveshjet e shpallura janë më të rëndësishme për sinjalet që ato i përçojnë sesa për përmbajtjen e tyre (sepse ato në vetvete nuk kanë kuptim).” shkruan ai.

Ndërkaq, në një intervistë për Gazeta Express, analisti gjerman dhe njohësi i çështjeve politike që ndërlidhen me Ballkanin Perëndimor, Bodo Weber, tha se marrëveshjet parimore Kosovë – Serbi që po nënshkruhen me ndërmjetësimin e përfaqësuesit special presidencial, Richard Grenell, nuk ofrojnë zgjidhje për zhbllokimin e dialogut Kosovë – Serbi. Sipas Weber-it, anashkalimi i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borell, dhe Gjermanisë, si fuqi kryesore, e kthen këtë progres të vogël të Richard Grenell në një “fitore të Pirros”. Edhe eksperti gjerman konsideron se qasja e administratës së Donald Trumpit nuk ofron zgjidhje, pasi që, sipas tij, problemi Kosovë – Serbi është problem politik dhe ideologjik.

Siç raportoi Gazeta Metro, analisti dhe eksperti i çështjeve që ndërlidhen me politikën e jashtme, Toby Vogel, vlerëson se arritja e marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë – Beograd që u ndërmjetësua nga ambasadori Grenell e ka lënë në hije Bashkimin Evropian dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel. Sipas Vogel, ‘dështimi i Bashkimit Evropian në raport me dialogun Kosovë – Serbi i ka hapur rrugën presidentit amerikan, Donald Trump, për të deklaruar suksesin në arritjen e marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë – Beograd.’

Në një artikull të shkruar për New Perspektivën,  Eric Gordy, njohës i zhvillimeve në Ballkan, konsideroi se rrugët që çojnë përpara nuk ka gjasa të gjenden përmes formulimeve të thjeshta ideologjike për fuqinë e tregut, ose përmes ujdive pa kontekst që nuk marrin parasysh ndërlikimet reale në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Gordy vlerëson se ky zhvillim i ri ‘duket se është në përputhje me atë që shumë vëzhguesë i kanë këshilluar qeveritë për ca kohë: meqenëse nivelet e besimit të ndërsjellë aktualisht janë aq të ulëta saqë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për statusin duket e pamundur, përpiquni në vend të kësaj të arrini marrëveshje të vogla për çështje konkrete që kanë potencial për të përmirësuar jetën e qytetarëve.’