Media mbi rastin e Dragica Gašić-it 

0
89

Rasti i të kthyerës Dragica Gašić në banesën e saj në Gjakovë – rasti i parë i një serbeje të kthyer në këtë qytet – tërhoqi vëmendjen e medias muajt e fundit.

Mediat raportuan se me t’u kthyer Gašić në banesën e saj në Gjakovë, komuna e Gjakovës ngriti padi ndaj saj me kërkesën “për anulimin e kontratës për dhënien me qira të banesës me kërkesë për masë të përkohshme.” Në të njëjtën kohë, Komuna e Gjakovës kishte kërkuar që të paditurës t’i caktohet një përfaqësues ligjor i përkohshëm, pasi që asaj nuk i dihej vendbanimi. Në fillim të gushtit u raportua se Gjykata Themelore e Gjakovës hodhi poshtë këtë padi. Gašić u kthye në Gjakovë pasi Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës e lejoi atë të përdorte përsëri banesën e saj, pasi ajo ishte uzurpuar nga persona të tjerë menjëherë pas luftës në Kosovë, kur Gašić ishte zhvendosur për të jetuar në Beograd, në Serbi. 

Megjithatë, që prej kthimit të saj më 6 qershor të këtij viti e deri të hedhja poshtë e padisë nga Gjykata Themelore e Gjakovës, Gašić u përball me shumë pakënaqësi nga qytetarët e Gjakovës. 

Organizatat e shoqërisë civile në Gjakovë e akuzuan komunën se ia kishte mundësuar Gašić-it të kthehej dhe kishin paralajmëruar se nëse Komuna e Gjakovës nuk vepron për ta larguar atë, do ta nxirrnin me dhunë nga banesa. “Ajo le ta dinë, le ta mban mend e edhe të tjerët, që këtu vend nuk kanë. Ne urgjentisht duhet me shku në banesë dhe qysh na kanë qitë jashtë me dhunë, me dhunë do ta qesim. Nuk ndijmë më, sepse durimit i ka ardhë fundi. Mjaft më”, u raportua të ketë thënë Luljeta Sharani nga Shoqata “Thirrjet e Nënave”. Kjo shoqatë kishte paralajmëruar edhe një protestë, por pastaj u raportua se është anuluar.

Nga mesi i korrikut, u raportua se Gašić-it i është thyer banesa. Gašić pretendoi se në banesë i mungonin sendet e saj personale, ushqimi, kamera e sigurisë dhe pajisja e internetit. Gjëja më e vështirë, sipas saj, është se dera e përparme nuk mund të mbyllet tani dhe se ajo nuk e di se si do ta kalojë natën në këto kushte. Mediat kishin raportuar se Gašić-it nuk i ishte lejuar të vendoste derë të blinduar për shkak se i duhej leja komunale. Në fund të korrikut, u njoftua se personi që kishte sulmuar banesën e saj ishte arrestuar dhe se i akuzuari e kishte pranuar veprën. 

Në anën tjetër, në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, Gašić kishte thënë se nuk e kishte ndërmend të largohej, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme nga komuniteti ku jeton. “Unë e lajmëroj policinë se më sulmojnë, se më gjuajnë, që më qëllojnë, që më ngjitin fotografi të ndryshme në dyert të banesës, ata më trokasin në derën e banesës, të cilës i është zbehur ngjyra si një trëndafil. Po e godite me një shqelm do ta shkallmoni”, tha Gašić duke shtuar se shkon gjithkund nën përcjelljen e policisë. 

Pakënaqësia e komunitetit ndaj Gašić-it vjen edhe prej faktit se ajo kishte punuar në Policinë e Serbisë, gjë të cilën e ka pranuar edhe vet ajo, por se ka thënë se e ka pasur vetëm rolin e pastrueses aty. 

Ndërkaq, Koha raportoi se drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petković, e vizitoi Gašić-in në mes të korrikut ku ndër tjera kishte thënë se rastin e saj e ka ngritur edhe në takimet e fundit në Bruksel. “Mesazhet që dërgohen si në rastin e Dragica Gashiqit janë mesazhe të frikësimit të personave të zhvendosur brenda vendit. Ne kemi marrë një vendim për të ndihmuar financiarisht, për pajisje shtesë të banesës, për të siguruar kushte, dhe shteti i Serbisë do të ndihmojë gjithçka që mundet, kryesisht në aspektin e sigurisë, sepse kjo është gjëja më e rëndësishme”, citohet se ka thënë Petković. Sipas Kohës, zyrtarët serbë po bëjnë politikë me këtë rast.

Për këtë rast reaguan akterë të ndryshëm në Kosovë. Ambasada Amerikane përmes një reagimi tha se viktimat meritojnë drejtësinë dhe personat e zhvendosur të drejtën për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.

“Ministra dhe kryetarë të komunave – ju lutem lini mënjanë politikën dhe bashkëpunoni për të siguruar që të gjithë kosovarët të gëzojnë paqe dhe siguri, pa ngacmime dhe frikësime. Kosova ka sukses kur respektohet sundimi i ligjit”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FHDK) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut Kosovë (YIHR Kosovë) shprehën shqetësimin e tyre përmes një reagimi të përbashkët në të cilin thuhet se “duke pasur parasysh se veprimet e znj. Gašić kanë qenë konform procedurave për kthim, duke mos cënuar apo rrezikuar asnjë person tjetër, konsiderojmë se situata e krijuar si rezultat i ardhjes së saj dhe ndërmarrja e veprimeve ligjore, janë në kundërshtim me frymën demokratike dhe multietnike të shtetit të Republikës së Kosovës dhe nuk kontribuon në procesin e ballafaqimit me të kaluarën”. 

Drejtoresha ekzektutive e OJQ-së New Perspektiva, Joanna Hanson, mbështeti të drejtën e kthimit të Gašić-it në shtëpinë e saj duke qenë se “ka ndjekur procedurën e duhur për ta bërë këtë”. Hanson shtoi se personat që qëndrojnë pas vendimit për ta çuar çështjen në gjyq dhe ata që kanë protestuar e ata që e frikësojnë këtë zonjë duhet të reflektojnë për mantra-n se faji nuk është kolektiv por personal. “Nuk mund t’i dënojmë ose fajësojmë individët për mëkatet e bashkëkombësve të tyre” shkruan Hanson. 

SHARE