Media mbi Samitin e Sofjes

Muajin e kaluar u mbajt Samiti i Sofjes në Bullgari ku u mblodhën 28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe partnerët nga Ballkani Perëndimor. Temat kryesore në të ishin kolektiviteti në fushën e transportit, energjisë, infrastrukturës digjitale, edukimit, inovacioni dhe ekonomia digjitale. Pjesëmarrësit e samitit nënshkruan një deklaratë të përbashkët, me 17 pika, të cilat do të tregojnë përkushtimin për të ardhmen e përbashkët evropiane.

0
409

Disa javë para samiti, mediat në Kosovë njoftuan se ai mund të shkonte drejt dështimit për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës në të pasi vendet që nuk e kanë njohur Kosovën kërcënonin me bojkot. Radio DW transmetoi se BE-ja tentoi që përmes “finesave diplomatike” ta rregullojë këtë çështje. Kështu, sipas DW, në deklaratën përfundimtare të takimit në Sofje nuk do të flitej për vendet e Ballkanit Perëndimor, por për partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe vendet ku do të uleshin krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, do të shënoheshin me emrat e zyrtarëve dhe jo si zakonisht me emrat e vendeve. Po ashtu, asnjë shtet nuk u paraqit me flamuj dhe simbolet e veta shtetërore. Pavarësisht këtyre lëshimeve, kreu i qeverisë spanjolle, Mariano Rajoy, nuk mori pjesë në Samit.

Sipas mediumit bullgar SofiaGlobe, ministrja e Presidencës bullgare të BE-së, Lilyana Pavlova, kishte deklaruar se ajo beson që “në fund uniteti do të mbizotërojë, në emër të unitetit, pavarësisht dallimeve që kemi, për shembull për njohjen e Kosovës.”

Vetëm disa ditë para mbajtjes së Samitit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, njoftoi për një bisedë të zhvilluar me kryeministrin bullgar. Thaçi tha se e kishte siguruar kryeministrin bullgar, Boyko Borisov, se “ne në Kosovë, jemi të gatshëm që në relacion me Serbinë ta mbyllim kapitullin e konflikteve dhe ta hapim atë të paqes” si një ndër kushtet kryesore për anëtarësim në BE.

Në vigjilje të Samitit, Këshilli i BE-së konfirmoi se përfaqësuesit e 28 shteteve anëtare të BE-së kishin rënë dakord për tekstin e deklaratës së përbashkët që do të miratohej në samitin për Ballkanin Perëndimor, ndërkaq nga pala kosovare u njoftua se presidenti Thaçi do ta përfaqësonte Kosovën në këtë samit. Ministrja e integrimit europian, Dhurata Hoxha, i tha gazetës austriake “Wiener Zeitung” se nga samiti i Sofjes priste që “politikanët e BE-së të marrin hapa më konkretë në procesin e zgjerimit”, ndërsa kishte shprehur keqardhje për faktin se Spanja tërhiqte një paralele midis Katalonisë dhe Kosovës, pasi, sipas saj, këto dy raste nuk krahasohen mes vete.

Me të arritur në Sofje, presidenti Thaçi, përmes Facebook-ut, njoftoi se ishte takuar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić. Sipas presidentit Thaçi, ata ishin pajtuar që faza përfundimtare e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të fillojë në një të ardhme të afërt, me një mbështetje unike të BE-së, SHBA-së dhe aktorëve të  tjerë. Pas këtij takimi, agjencia serbe e lajmeve FoNet transmetoi se Thaçi u kishte deklaruar gazetarëve se fundi i dialogut do t’i mundësojë Kosovës njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në OKB dhe se, ndonëse asnjëri vend nuk do të fitojë 100%, “e sigurt është se Kosova dhe Serbia me arritjen e marrëveshjes detyruese ligjore do të bëhen pjesë e familjes evropiane”. Ndërkaq, agjencia tjetër serbe e lajmeve, Tanjug, raportoi se dy kushtet që presidenti Vučić i kishte vënë Mogherinit për vazhdimin e dialogut ishin formimi i AKS-së dhe kompromisi nga pala kosovare.

Portali Koha.net njoftoi se presidenti Thaçi ishte takuar me komisionerin e Zgjerimit të BE-së, Johannes Hahn, i cili kishte theksuar se ishte optimist se do të arrihet një zgjidhje në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Ndërkaq, gjatë mbajtjes së seancës plenare të këtij Samiti, mediat njoftuan se presidenti Thaçi, në fjalën e tij, e kishte theksuar mbështetjen e Kosovës për përmbajtjen e Deklaratës së këtij samiti dhe të agjendës prioritare të Sofjes. Presidenti kosovar kishte thënë se Kosova i mbështetë “plotësisht parimet kyçe të bashkëpunimit të forcuar, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe nevojës për zgjidhje të qëndrueshme dhe të detyrueshme të mosmarrëveshjeve dypalëshe.” Sipas mediave, presidenti kishte thënë po ashtu se Kosova është e gatshme të hyjë në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin.

Samiti rezultoi me nënshkrimin e një deklarate të përbashkët, përmes së cilës shtetet e Ballkanit Perëndimor konfirmuan përkushtimin dhe vendosmërinë për të ardhmen evropiane të rajonit. Agjencia FoNet e përcolli një kumtesë të Partisë Demokratike të Serbisë, e cila nënshkrimin e deklaratës së përbashkët nga presidenti Vučić me presidentin Thaçi e ka cilësuar si “edhe një hap i Vučić-it drejt njohjes së Kosovës”. Reagime ndaj pjesëmarrjes së Kosovës në këtë Samit ka pasur edhe nga akterë të tjerë, njoftoi agjencia e lajmeve KosovaPress. Sipas saj, para Qendrës së Kulturës në Sofje, janë parë “pesë serbë, të cilat kanë protestuar kundër pranisë së delegacionit kosovar”. Agjencia thotë se mediet në Serbi janë alarmuar me pjesëmarrjen e Kosovës në Samit, duke e cilësuar këtë pjesëmarrje të përbashkët si njohje e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

DW raportoi se sipas burimeve të saja, në një takim joformal në Sofje, kancelarja gjermane Angela Merkel ka kërkuar nga presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë që të angazhohen maksimalisht që çështja e normalizimit të raporteve të shkojë sa më shpejt përpara. Po për këtë medium, presidenti Thaçi ka deklaruar se marrëveshja e plotfuqishme juridike për normalizimin e raporteve do të mund të nënshkruhej brenda gjashtë deri nëntë muajve; ndërkaq Vučić kishte refuzuar të përgjigjet drejtpërdrejtë rreth kësaj periudhe kohore. Por, ai ka thënë se “Serbia i ka plotësuar të gjitha kërkesat që rezultojnë nga Marrëveshja e Brukselit, ndërsa Kosova nuk e ka plotësuar të vetmin kusht që parashikohet me këtë dokument – themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Megjithatë, Vučić ka thënë se Serbia do të vazhdojë të jetë sa më konstruktive në realizimin e obligimeve të saj “për të mirën e popullit serb”. 

SHARE