Media mbi vendosjen e taksës 100% për produktet nga Serbia dhe BeH

0
140

Qeveria e Kosovës këtë javë vendosi të zbatojë si masë taksën prej 100% ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Për më shumë, përmes këtij vendimi, Qeveria obligoi Doganën e Kosovës që ta ndalojë importin dhe hyrjen në treg të të gjitha produkteve të cilat në etiketën apo deklaracionin e tyre kanë përmbajtjen: Importues për në “Kosovë e Metohi” “Kosovo Unmik”, “Kosovo 1244”, “Kosovo Resolution 1244” sikurse edhe ato në të cilat përdoret vetëm emri i qyteteve pa emrin e shtetit, apo edhe çdo emërtim tjetër në kundërshtim me emërtimin kushtetues të Republikës së Kosovës. Me këtë vendim u obliguan të gjithë operatorët ekonomikë që t’i largojnë nga tregu të gjitha produktet të cilat përmbajnë të dhënat e mësipërme. Mediat raportuan se qeveria e mori këtë vendim për shkak të veprimeve të vazhdueshme destruktive të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës që kërkojnë të minojnë sovranitetin e Kosovës.

Eksperti i ekonomisë, Naim Gashi, për Kallxo.com tregoi se kjo taksë doganore prej 100% për produktet serbe dhe boshnjake nënkupton që vlerës së çdo malli që ka origjinë nga Serbia i shtohet 100% taksë. “Ta zëmë një mall që kushton 1 euro, me taksën 100% bëhet 2 euro, një mall që kushton 10 euro bëhet 20 euro dhe një mall që kushton 50 euro bëhet 100 euro. Domethënë, vlerës së mallit i shtohet edhe taksa 100% në pikat kufitare të Kosovës”.

Ndaj kësaj mase reagoi menjëherë presidenti serb, Aleksandar Vučić. Deutsche Welle njoftoi se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, është takuar menjëherë pas vendimit me ambasadorët e Kinës dhe Rusisë, ata të vendeve të Kuintit – Gjermani, SHBA, Francë, Britani e Madhe dhe Itali, si dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. Njëkohësisht, ai ka organizuar edhe takimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Qeveria serbe, siç u raportua, e ka komentuar vendimin e qeverisë kosovare si kundërpërgjigje ndaj dështimit për t’u anëtarësuar në Interpol, për të cilin dështim diplomatik e fajësojnë Serbinë. Presidenti serb, Vučić, ka thënë se e bllokojnë praktikisht tregtinë mes Serbisë dhe Kosovës dhe se “Prishtina ka për qëllim të dëbojë serbët dhe të detyrojë Beogradin të kapitullojë“. Presidenti i Serbisë i dërgoi lutje shqiptarëve të Kosovës që të tërheqin këtë vendim. “Ju lus sikur Zotin, që të tërhiqni këto masa”, tha ai me shpjegimin se “të gjithë kemi nevojë për paqe”.

Ndaj kësaj mase ka reaguar edhe BE. Shefja e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që menjëherë të hiqet taksa prej 100% për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Sipas Mogherinit, ky vendim është shkelje e marrëveshjes së CEFTA-s dhe është kundër frymës së Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim mes BE-së dhe Kosovës. Edhe komisioneri i BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, kërkoi revokimin e menjëhershëm të këtij vendimi. Sipas Hahn-it, ky veprim ‘i dëmton konsumatorët dhe bizneset e Kosovës’. Ai paralajmëroi se do të marrë pjesë në Javën e CEFTA-s në Prishtinë, javën e ardhshme, dhe shpreson se deri atëherë kjo do të zgjidhet. Kundër këtij vendimi së fundmi doli edhe kancelari austriak, Sebastian Kurz, i cili përmes një postimi në Twitter tha se ndiente keqardhje që Kosova kishte vënë tarifa për produktet serbe dhe boshnjake. Sipas kancelarit Kurz, ‘duhet t’i thyejmë barrierat dhe jo të shpikim të reja.”

RTK njoftoi se reagimit të zytarëve të BE-së i është përgjigjur kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj, duke thënë se masa nuk do të hiqet derisa Serbia ta njohë Kosovën. Po të njëjtën ditë, kryeministri Haradinaj u ka dërguar letër ambasadorëve dhe BE-së, me një listë të arsyeve përse Qeveria ka marrë këtë vendim. Përmes saj, Haradinaj i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar “të mbështesë përputhshmërinë me marrëveshjet ndërkombëtare”. Në letër thuhet se ky vendim “është marrë në pajtim me nenin 18 të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe se “është një përgjigje ndaj veprimeve të vazhdueshme destruktive të Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës që kërkojnë të minojnë sovranitetin e Kosovës.” Disa ndër veprimet e qeverisë serbe që janë listuar si arsye për marrjen e këtij vendimi përfshijnë shkeljet “në mënyrë të përsëritur” të CEFTA-s nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, si dhe veprime që kanë kërcënuar “interesat thelbësore të sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Deklaratës së kryeministrit Haradinaj se masat nuk do të hiqen deri në njohjen e Kosovës nga Serbia iu përgjigj presidenti serb, Aleksandar Vučić. Sipas agjencisë serbe të lajmeve, FoNet, presidenti Vučić ka thënë se Serbia duhet të përgatitet për luftë të vështirë e të gjatë sepse pavarësinë e Kosovës nuk do ta njohë. Këtë deklaratë ai e ka bërë gjatë takimit që kishte me përfaqësuesit e Listës Serbe, të cilët i kishte ftuar në Beograd për të diskutuar për zhvillimet më të fundit. Mediat njoftuan se, për shkak të këtyre zhvillimeve, Lista Serbe kishte bojkotuar seancat e Kuvendit të Kosovës që u mbajtën gjatë kësaj jave. Kryetari i Partisë Progresive Demokratike në Kosovë, Nenaq Rašić, duke e komentuar vendimin deklaroi për media se ky veprim është i ngutshëm sepse “nëse punohet në një stabilizim të marrëdhënieve dhe harmonizim të dialogut atëherë këto vendime që janë pak ekstreme nuk shkojnë me parime të Bashkimit Evropian ku politika e ka një drejtim dhe ka një rrugë dhe shumë pak befasitë ekstreme ndodhin.”

Në anën tjetër, mediat njoftuan se vendimi po zbatohej në të gjitha pikat doganore në Kosovë. Sipas zëdhënësit të Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, janë vërejtur ulje të importeve, derisa deri tani janë kthyer prapa 20 kamionë pas pranimit të informatës për taksën e re. Këto zhvillime kanë nxitur në anën tjetër mobilizim vendor për përkrahjen e prodhuesve vendorë. Ekspertët e teknologjisë dhe vetë mediat kanë filluar fushatë për promovimin e produkteve vendore. Përmes një postimi në Facebook, drejtori ekzekutiv i agjencisë Hallakate, Valon Canhasi, ka bërë të ditur se ka hapur një uebfaqe për promovimin e produkteve vendore, ndërkaq gazeta online Insajderi ka ofruar hapësirë falas për reklamimin e produkteve vendore.

Në mbyllje të javës, mediat raportuan se të premten, në shenjë proteste ndaj vendimit për taksën 100%, një grup i serbëve të veriut të Kosovës bllokuan magjistralen që çon drejt pikës kufitare në Jarinjë. Në këtë protestë, kryetari i komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakić, tha se situata është shumë e rëndë dhe se presin mbështetje nga presidenti Vučić pasi ‘shtet tjetër nuk kemi’.

comments

SHARE