Media mbi zgjedhjet e jashtëzakonshme në Veri

0
155

Ka më shume se katër muaj qëkur katër komunat e Veriut janë pa kryetarë. Në shenj proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vënë taksë 100% për mallrat serbe si dhe arrestimeve të serbëve të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanović-it, kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, që të gjithë nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje nga postet e tyre në fund të nëntorit të vitit të shkuar. Në letrat e dorëheqjes që i dorëzuan në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ata iu referuan Kosovës si “Kosovë e Metohi”. Për qeverinë, ky emërtim shërbeu si justifikim që dorëheqjet të mos konsiderohen të rregullta e për pasojë nuk u ndërmorën deri tash veprime që do t’i hapnin rrugë zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë në të katër komunat.

Në fillim të prillit, Presidenti, Hashim Thaçi, mori vendim që komunat e Veriut të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme me 19 maj të këtij viti. Vetëm dy ditë më pas mediat njoftuan se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi Planin Operacional, por, sipas njoftimeve, deri sot asnjë subjekt politik tjetër përpos PDK-së nuk ka paraqitur aplikimin për të certifikuar pjesëmarrjen në to. Afati i fundit për aplikim është data 18 prill, ora 24:00.

Vendimin e presidentit Thaçi për zgjedhje në veri e ka mirëpritur edhe shefi i ekzekutivit, Ramush Haradinaj. Mediat njoftuan se kryeministri Haradinaj ka ftuar subjektet politike në Kosovë që të jenë pjesë e këtyre zgjedhjeve.

Lista Serbe (LS), pasi u takua me presidentin serb, Aleksandar Vučić, deklaroi se do të marrë pjesë në këto zgjedhje të parakohshme. Siç njoftoi Radio Evropa e Lirë, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakić, ka thënë se ky subjekt politik do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme, në mënyrë që, siç citohet se ka thënë, shqiptarët të mos i udhëheqin komunat me shumicë serbe. Sipas Rakić-it, me këtë akt ata dëshirojnë t’i tregojnë “Prishtinës dhe bashkësisë ndërkombëtare unitetin tonë”.

Por, sipas Koha Ditores, në këtë pjesë gjendja pritet të mos ndryshojë edhe pas certifikimit të rezultatit sepse kryetarët e rinj pritet të dorëhiqen menjëherë pasi ta marrin zyrtarisht detyrën. Pas takimit me Listën Serbe, siç njofton agjencia serbe e lajmeve, Tanjug, presidenti Vučić ka thënë se personalisht do të dëshironte që përfaqësuesit e LS-së të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të katër komunave në veri të Kosovës, t’i fitojnë ato dhe pastaj sërish të japin dorëheqje. Në po këtë shkrim raportohet se presidenti Vučić u ka bërë thirrje serbëve të Veriut të mos i lejojnë shqiptarët t’i zgjedhin përfaqësuesit e vet që do t’i përfaqësonin serbët para botës.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rašić, për RTV Kim ka thënë se shpallja e zgjedhjeve për katër komunat në veri ka qenë e panevojshme dhe se fjala është “për diçka që vetëm dy presidentët e dinë”. Sipas Rašić-it, është absurde shpallja e zgjedhjeve pasi që dorëheqjet e përfaqësuesve të komunave nuk janë pranuar, përkatësisht, ato janë hedhur poshtë nga Qeveria e Kosovës.

Ndërkaq, në një storie të realizuar nga KTV në Veri, Ksenija Božović, nënkryetare e Iniciativës Qytetare serbe, deklaroi se situata në Veri nuk ka ndryshuar aspak që nga zgjedhjet e shkuara dhe se këtë herë kërkojnë kërkojnë kushte më të mira të sigurisë dhe garanci që të mund të gjithë të dalin lirshëm e të votojnë.

Siç njoftojnë mediat, sipas KQZ-së numri i votuesve në këto katër komuna është: 58 mijë e 520 votues, apo 1 mijë e 507 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2017. Mbështetur në të dhënat jopërfundimtare të KQZ-së, numri i votuesve në Mitrovicën e Veriut është 22 mijë e 242; në Zubin Potok 8 mijë e 612; në Leposaviq 18 mijë e 390; dhe në Zveçan 9 mijë e 276.

SHARE