Mediat  mbi debatin rreth ndarjes/shkëmbimit të territoreve midis Kosovës e Serbisë

Mediat në Kosovë e Serbi gjatë muajit korrik e mbuluan gjerësisht debatin mbi ndarjen e Kosovës apo shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë si opsione për një marrëveshje finale mes të dyja shteteve.

0
57

Tema e ndarjes së Kosovës apo e shkëmbimit të territoreve tërhoqi vëmendje të shtuar kur në emisionin “Rubikon” Kohavision-it, ambasadori amerikan, Greg Delawie, refuzoi të përgjigjej nëse administrata amerikane do të ishte dakord me çfarëdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, një ndër të cilat mund ta sillte ndarjen e Kosovës. Koha.net e interpretoi këtë ndryshim të qëndrimit të prerë amerikan si alarmant. Sipas saj, ky ndryshim vihej re te kalimi “prej përjashtimit absolut të ‘ndarjes’ si opsion ‘i rrezikshëm’ e deri te relativizimi i skajshëm i kësaj teme nën arsyetimin se ‘kjo iu mbetet palëve’. Nga kjo intervistë u perceptua se administrata e re e SHBA-së nuk ishte më kategorikisht kundër ndryshimit territorial të Kosovës.

Agjencia serbe e lajmeve, Beta, njoftoi për këtë intervistë ambasadorit Delawie duke shtuar se ndarja e Kosovës deri tash kishte qenë zyrtarisht jashtë tryezës së bisedimeve nga komuniteti ndërkombëtar pasi asnjë politikan kosovar nuk kishte thënë se do ta pranonte një gjë tillë. Po kjo agjenci njoftoi se presidenti serb Vučić kishte deklaruar se besonte që nuk do të lejohet ndarja e Kosovës “jo për shkak të frikës së pasojave, por për shkak se askush nuk do që Serbia të duket se po fiton”. Por, Koha Ditore në ballinë njoftonte se “Thaçi e Vuçiqi s’e mohojnë mundësinë e ndryshimit të kufijve”.

Menjëherë pas deklaratës se Delawie, reagoi kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha se deklarata e ambasadorit ishte keqkuptuar dhe se ndarja do të thoshte luftë. Ndërkohë prononcimi i kryeministrit kosovar u përcoll në mediat serbe, agjencia beogradase Tanjug njoftoi se presidenti Vučić kishte thënë se shpresonte që nuk do të vinte deri te lufta, por se nuk do të arrihet marrëveshje nëse Prishtina thotë se gjithçka është e saja. Duhet shtuar se vetë ambasadori Delawie reagoi ndaj interpretimeve që i bëheshin deklaratës së tij duke i quajtur ato “fake news”.

Gazeta Express, bazuar në “burime diplomatike” njoftoi se Administrata e Donald Trump-it i kishte dhënë dritën e gjelbër opsionit të ndarjes së Kosovës. Sipas të njëjtit burim kishte mundësi që “Trump për këtë gjë është marrë vesh me Presidentin rus, Vladimir Putin, në samitin e Helsinkit.” Këtë fundit, po ashtu të transmetuar nga mediet serbe duke pasur për burim Gazetën Express, e mohoi Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë. “Ne deklarojmë me përgjegjësi të plotë se sikurse të tjerat hamendësime të mediave për një marrëveshje të veçantë arritur në Helsinki, edhe kjo është një dezinformatë.”

Për më tepër, Gazeta Express, bazuar në një blog të ish-diplomatit Daniel Serwer, doli me titull eksplicit për takimin që ishte paralajmëruar në mes të ministrit të jashtëm të Serbisë dhe këshilltarit amerikan për çështje të sigurisë. “Daçiq nesër takon John Boltonin, këshilltarin e Trumpit – prezanton idenë e ndarjes së Kosovës”. Zëri i Amerikës në gjuhën serbe njoftoi se Ivica Dačić kishte thënë se ishte ndryshim i madh me administratën e re të SHBA-së, pasi tash ata ishin të gatshëm për të gjetur një kompromis mes Kosovës dhe Serbisë, ndërkaq më herët thoshin se “kjo është çështje e zgjidhur”.

Megjithëse në secilën konferencë e mbajti, presidenti Thaçi tha se nuk ka ndarje të Kosovës, vetëm Radiotelevizioni i Kosovës e transmetoi si të tillë. Gjatë takimit që presidenti pati me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, gazeta Metro raportoi se Thaçi “edhe zyrtarisht” e kishte pranuar se me Serbinë do të diskutohet shkëmbimi i territoreve dhe se ky ishte qëllimi i nënkuptuar i takimit; ndërkaq B92 raportoi se Thaçi gjatë këtij takimi kishte deklaruar se ky takim nuk ka të bëjë aspak me asnjë lloj ndarjeje të Kosovës.

Në disa prononcime të tjera në fund të muajit, presidenti Thaçi tha se raportimet për ndarjen potenciale të Kosovës ishin lajme të rrejshme dhe se ai nuk do t’i komentonte. Pavarësisht insistimit të presidentit Thaçi se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, këtë deklaratë, Kohavisioni, Gazeta Express dhe disa media të tjera e morën si dëshmi se “presidenti nuk e përjashton mundësinë e ndarjes”.

Gazeta Koha Ditore bazuar në “burime të saj” publikoi atë që e quajti plan për “shkëmbimin e një pjese të veriut me një pjesë Luginës”. Ndërkohë mediat në Kosovo filluan të publikojnë edhe plane të supozuara për ndarjen e Kosovës; mediat në Serbi transmetuan deklarata të presidentit Vučić dhe ministrit të jashtëm Dačić cilët thanë se ende nuk kanë ndonjë zgjidhje për Kosovën.

comments

SHARE