Mendja apo zemra

Porositë politike janë një gjë dhe ato shërbejnë vetëm për fitimin e poenave politik dhe asgjë më tepër, derisa një vendim i arsyeshëm i cili do të sillte një zgjidhje më të qëndrueshme assesi nuk është i popullarizuar sepse nuk i nxeh emocionet e popullit dhe nuk mbart atë dozën e arsyetimit të krenarisë popullore, e si i tillë nuk është i popullarizuar as te njëra e as tek pala tjetër.

0
93

Procesi i zgjidhjes së çështjes së Kosovës, apo, siç e thonë disa, problemit të Kosovës, ngadalë por sigurt po largohet madje edhe nga ajo që ishte arritur ndonëse edhe ajo është tejet e vogël. Gjatë tërë këtyre viteve negociatash, nganjëherë bile për një moment paraqitej shpresa se ekziston mundësia e marrëveshjes dhe se të dyja palët janë të gatshme t’i bashkërendojnë kufijtë e interesave të tyre dhe ashtu të ndihmojnë, secili në mënyrën e vet, që megjithatë të arrihet deri tek ndonjë marrëveshje. Por, që ky është Ballkani, e për më tepër Kosova, na e dëshmuan shumë shpejt ata që vendosin për të gjithë neve, sado që kjo të tingëllojë paradoksale.   

Përpjekjet që të arrihet deri tek zgjidhja nganjëherë kanë qenë të bazuara në emocione, nganjëherë në vendime të arsyeshme dhe reale, e pothuajse gjithmonë në baza të pastërta ekonomike, që në botën bashkëkohore është shumë më përpara se të dy kategoritë e përmendura më lart. Shumë shpesh kemi pasur rastin të dëgjojmë përmes deklaratave të zyrtarëve të të dyja palëve se zgjidhjen nuk duhet kërkuar me zemër por me kokë dhe me arsye dhe këtu do të mund të pajtohesha me përfaqësuesit e të dyja palëve. Dhe e tërë kjo është mjaft e mirë dhe e tërë kjo duket shumë mirë, por për fat të keq, nuk funksionon në terren. Është e qartë se nuk funksionon pikërisht për arsye se pushteti dëshiron që emocionet e popullit t’i kënaq ashtu që do të heqë dorë nga vendimet e rëndësishme që do të sillnin zgjidhje, natyrisht, duke i bërë lëshime palës tjetër.   

Merreni me mend se si do të dukej sikur pushtetet e të dyja vendeve të ndërmerrnin diçka jashtë vullnetit publik të popullit. Mund të thuhet se do të ishte tejet e papërshtatshme për ata që janë në pozitat kyçe, sepse, sipas shprehisë, vullneti i popullit është diçka e shenjtë. Natyrisht nuk po bëj thirrje për diktaturë, por të jemi realist, bile për një moment, megjithatë ne – e kam fjalën edhe për serbët edhe për shqiptarët – jemi tepër emotiv në këtë aspekt. Derisa serbët duan ta kthejnë tërë Kosovën, në anën tjetër shqiptarët nuk duan ta japin veriun, ndonëse edhe njëra edhe tjetra palë janë të vetëdijshme që as njëra e as tjetra nuk janë të tyre. Serbët janë larguar nga Kosova qysh në kohën e RSFJ-së, nën presionin e shqiptarëve, dhe ky është fakt për të cilin ka një milion argumente dhe prova dhe kështu kanë bërë që, edhe sipas parimit më të thjeshtë demografik, ajo pjesë e territorit teknikisht të mos jetë më serbe. Po ashtu, shumica e tanishme shqiptare assesi të pranojë që veriu i Kosovës kurrë nuk ka qenë, e vështirë që edhe do të jetë, nën kontrollin e plotë të pushtetit në Prishtinë, pa marrë parasysh integrimin e shërbimeve publike disa vite më parë. Porositë politike sipas parimit se lufta më 1999 është bërë për tërë Kosovën assesi nuk qëndrojnë me argumente sepse në veri të Kosovës më 1999, edhe para edhe pas luftës serbët kanë qenë dhe kanë mbetur shumicë, e gjatë kësaj edhe nuk është zhvilluar lufta e përmendur, përveç në disa pjesë të komunës së sotme të Mitrovicës së veriut.   

Porositë politike janë një gjë dhe ato shërbejnë vetëm për fitimin e poenave politik dhe asgjë më tepër, derisa një vendim i arsyeshëm i cili do të sillte një zgjidhje më të qëndrueshme assesi nuk është i popullarizuar sepse nuk i nxeh emocionet e popullit dhe nuk mbart atë dozën e arsyetimit të krenarisë popullore, e si i tillë nuk është i popullarizuar as te njëra e as tek pala tjetër.

Pyetja arsyeja apo zemra, mbetet aty, midis nesh; vetë e zgjedhim atë që është më shumë në interesin tonë, megjithëse nganjëherë as ajo zgjedhje nuk është e qëlluar, por është kështu si është, ne jemi të tillë çfarë jemi. Por nëse veç bëjmë zgjedhje në atë mënyrë, le të mos i fajësojmë të tjerët që me arsye i shfrytëzojnë zemrat dhe emocionet tona. 

SHARE