Mexhat janë në kokë

Mexha, në vend se në luginë (të Diellit), është fort e ngulitur në kokat e njerëzve, të cilët brenda kapsule rrinë dhe përgjojnë oborrin e parregulluar të fqinjit, duke mos çarë kokën për atë se çka kanë në oborrin e vet. E oborre të tilla ka si në qytetin “verior” ashtu edhe në atë “jugor”.

0
397

Mexha, në vend se në luginë (të Diellit), është fort e ngulitur në kokat e njerëzve, të cilët brenda kapsule rrinë dhe përgjojnë oborrin e parregulluar të fqinjit, duke mos çarë kokën për atë se çka kanë në oborrin e vet. E oborre të tilla ka si në qytetin “verior” ashtu edhe në atë “jugor”.

Kur e pashë blogun “Lugina pa mexhë”, të autores Florandë Morina, i cili ka të bëjë me kthimin, por edhe me projektin Lugina e Diellit, ndjeva nevojën që të them disa fjalë përkitazi me këtë çështje.

Është vështirë të flitet për kthimin sot kur ai, për shkak të mungesës së vullnetit të mirë, nuk ka ndodhur atëherë kur është dashur. Shumica e njerëzve tashmë janë përshtatur në mjediset tjera dhe dosido, kanë organizuar jetën e tyre diku jashtë Kosovës. Për shembull, dikush që atëherë ka qenë 15 vjeç është shkolluar në ndonjë qytet tjetër, ka kërkuar punë në ndonjë vend tjetër dhe sipas të gjitha gjasave aty edhe ka krijuar familje sepse tanimë është 32 vjeçar.

Megjithkëtë, ka edhe të tillë që nuk i janë përshtatur atyre mjediseve dhe të cilët ajo “diçka” i ka tërhequr që t’u kthehen rrënjëve të tyre. Nuk do të hyj në detaje të projektit Lugina e Diellit, por e ndiej nevojën që të bëj disa komente dhe pyetje për tekstin e përmendur.

Deri në fund të vitit 1999 në Kosovë u kthyen të gjithë shqiptarët derisa kjo nuk ndodhi me serbët as sot, shtatëmbëdhjetë vite pas konfliktit. Kam patur rastin të bisedoj me njerëz që janë kthyer në fillim të viteve dymijë dhe me ata që kanë punuar në atë kthim. Thënë më së shkurti – mision i pamundur.
Në vitin e largët 2001 ndodhi kthimi i parë i serbëve në Kosovë, në fshatin Osojan – komuna Istog. Dhe ja me pak fjalë si dukej ai. Vijnë rreth 50 veta, e shohin një djerrinë (livadh) dhe asgjë tjetër. “Gjithçka është ndryshe përveç qiellit mbi kokat tona dhe Bjeshkëve të Nemuna në largësi”, tha njëri nga të kthyerit e atëhershëm, duke dashur kështu që të ngushëllojë fqinjët e tij.

U kthyen në muajin gusht dhe kanë jetuar në tenda, të cilat në atë moment as që kanë qenë të përgatitura, porse është dashur vetë të kthyerit t’i montojnë. Disa kanë qëndruar në kushte të tilla edhe deri pesë muaj. Pra, në tenda edhe gjatë kohës së dimrit.

Kur e pyeta një nga përfaqësuesit e fshatit diçka për këtë temë ai u përgjigj: “Pas një kohe të caktuar e kuptova se për çka bëhet fjalë, pse nuk na ishin përgatitur kushte adekuate. Të gjithë ata që është dashur të organizojnë kthimin tonë, UNHCR, UNMIK, KFOR… nuk kanë besuar që me të vërtetë do të kthehemi, për këtë arsye nuk kanë qenë të përgatitur. Në vend që të punojnë për kthimin tonë, ata kanë bërë gjithçka që kjo të mos ndodhë”. Ashtu dukej atëherë, e situata nuk është shumë më e mirë as sot.

Në tekst është përmendur Ministria për Komunitete dhe Kthim si kompetente për këto çështje. Mirëpo, a mund të sigurojë kjo Ministri kthimin e qëndrueshëm të njerëzve? Kjo do të thotë që njerëzit që kthehen të mund të gjejnë punë, të kthejnë pronën e uzurpuar, të shkollojnë fëmijët në gjuhën e tyre amtare, të kenë liri të lëvizjes, kudo që të jetë.

Pajtohem plotësisht që edhe shqiptarët duhet të kthehen në veri, po ashtu do të doja që institucionet të jenë aq funksionale sa të mund të sigurojnë jetë normale për të gjitha komunitetet në Kosovë. Por në praktikë nuk është ashtu. A nuk e keni pyetur veten se pse po ndërtohet një lagje e përbashkët në pjesën veriore të Kosovës dhe pse ata njerëz nuk po kthehen në vendet ku kanë jetuar më parë? A e dinë të rinjtë shqiptarë që në qytetet e Kosovës kanë jetuar dikur do serbë? Në artikull u përmend shifra prej 10 mijë shqiptarëve që do të duhej të ktheheshin në veri. A është reale që 12 mijë serbë të kthehen në Prizren apo 40 mijë në Prishtinë, gjegjësisht që 230 mijë serbë të kthehen në Kosovë?

Për hir të së vërtetës, dua të rikujtoj që Mitrovica e veriut është i vetmi qytet në Kosovë që i ka tri lagje multietnike, në të cilat në mënyrën më normale jetojnë tri komunitete të ndryshme, e bëhet fjalë për Lagjen e Boshnjakëve, Kodrën e Dëshmorëve dhe Tre Soliterat. Sa lagje multietnike ka në Mitrovicën e jugut, Prishtinë, Prizren, Gjakovë, në cilindo mjedis urban në Kosovë?

Në po atë qytet “verior“, janë varrezat myslimane që janë të paprekura, për dallim nga ato ortodokse, serbe, në jug, të cilat janë rrënuar pa numër herë.

Në veri të Kosovës çdo ditë takoj shqiptarë që punojnë atje me firmat e tyre ndërtimore, shqiptarë që janë përfaqësues të komunitetit të tyre në vetëqeverisjet lokale dhe ata në pozita të larta në po ato organe ligjvënëse. I takoj edhe ata që në Çabër, Koshutovë, Bistricë të Shalës, Cerajë, Zhazhë dhe në shumë fshatra tjera, sipas parimit të prioritetit, gëzojnë një pozitë veçanërisht të privilegjuar. I takoj edhe ata që bëjnë tregti me dru për ngrohje dhe mallra ushqimore, si dhe shumë të tjerë që me targa RKS kalojnë nëpër veri të Kosovës.

Këtë kthim të vetëm të mbetur të shqiptarëve në mjedisin e vetëm urban multietnik në tërë Kosovën duhet ta bëjmë sa më parë, menjëherë, që nesër. Kjo dilemë nuk ekziston. Dhe asnjëherë nuk ka ekzistuar. Dilema e vetme e vërtetë është nëse ndonjëherë do të merret një vendim global, botëror, politik për kthimin e një populli, atij serb, rrënjëve të tij, pronës, vendeve të punës. Por edhe nëse nuk do të jetë global, botëror, do të mund të ishte një vendim i sinqertë, i ndershëm, fqinjësor. A thua vallë është e nevojshme që, nëse kemi qëllime të ndershme, të kërkojmë rrugëdalje në konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut apo në fjalën e urtë popullore – rreh ujë në havan. Kërkojmë justifikim për atë që ne nuk do të bënim, për shkak të kësaj apo asaj nga e kaluara. Kthimi i serbëve tani është i domosdoshëm dhe nuk ka arsyetime, justifikime apo shpjegime pse të mos ndodhë kjo. Nuk ka minimizime, thjeshtësime, paralelizma… Rrugëdalja është qartazi në rishikimin e vetes, ndërgjegjes dhe vetëdijes personale.

Mexha, në vend se në luginë (të Diellit), është fort e ngulitur në kokat e njerëzve, të cilët brenda kapsule rrinë dhe përgjojnë oborrin e parregulluar të fqinjit, duke mos çarë kokën për atë se çka kanë në oborrin e vet. E oborre të tilla ka si në qytetin “verior” ashtu edhe në atë “jugor”.

comments

SHARE