Më i mirë një nacionalist hipokrit se një nacionalist konsistent

Pajtimi mes shoqërive tona nuk do të mbërrihet nëse mbesim konfuzë. Nëse nuk përpiqemi të shohim përtej opinioneve të kastës e të klasës, një ditë do të luftojmë për to. Dhe kjo është mosvet e rrezikshme. Vazhdoj të mendoj që serbët e Kosovës, të paktën pjesa më e ngritur e tyre, do të duhej të ndaheshin me nacionalizmin romantik, dhe me pragmatizëm të integroheshin në shoqërinë kosovare.

0
1197

Shoqe dhe shokë, më lejoni t’ua them troç që Serbia e ka humbur Kosovën. Prandaj, është e kotë të mbështjellim nacionalizmin romantik me konfuzitet e pyetje, ose me paralelizma që nuk qëndrojnë. Është e kotë poashtu të artikulojmë përmes logjikës së masës. Është fyese madje. Ne jemi individë dhe duhet ta përcaktojmë identitetin tonë, e jo të shkrihemi në atë që masa dëshiron e beson.

Jo, zoti Milutinović, serbët e Kosovës së sotme nuk janë në të njëjtën rrethanë me shqiptarët e Kosovës gjatë kohës së Miloshević-it. Në atë vakt, shtypja nuk ishte e shpërndarë mbi baza ekonomike, por mbi baza etnike. Sot, shtypja është e pranishme po ashtu. Papunësia është shumë e lartë. Varfëria është po ashtu shumë e lartë. Kemi diskriminim në baza gjinore. Por jo në ato etnike. Shqiptarët e Kosovës i kanë paguar faturat elektrike të serbëve të Kosovës për 18 vjet, me një kosto që shkon mbi 40 milionë euro. E shqiptarët e Kosovës, një pjesë shumë e madhe e tyre, nuk kanë mundësi të paguajnë as faturat e tyre. Sot, sistemi ekonomiko-politik shpërndan shtypje pa marrë parasysh aspektin etnik. Kosova është projekt i internacionalizmit liberal dhe natyrisht që nuk mund të prodhojë e as afirmojë politika identitare. Edhe Vetëvendosje, një parti politike e qendrës së majtë që në programin e saj politik e ka Bashkimin Kombëtar, nuk ka folur asnjëherë kundër serbëve të Kosovës. Kështu që nëse nuk mund të pranoni Kosovën si shtet tuajin, të paktën pranojeni që Kosova nuk iu diskriminon.

Po, është shumë e nevojshme që t’i shprehim haptas ato që i mendojmë. Nëse dikush mendon që Kosova i përket Serbisë, OK, le ta thotë. Por unë nuk mendoj ashtu dhe e them po ashtu haptas. Nuk mendoj as që i takon Shqipërisë, siç mendojnë disa shqiptarë të këtushëm. Kosova ka një mundësi të mirë para vetes, një të tillë që nuk e ka as Serbia e as Shqipëria: të çlirohet njëherë e mirë nga politikat identitare. Të bëj një shpërndarje të shtypjes dhe privilegjeve bazuar në skemën e prodhimit. Mundësisht të jetë sa më meritore kjo gjë. Por, e ka krejtësisht të pamundur që të bëjë padrejtësi duke u ndikuar nga motivet etnike.

Prandaj, nuk duhet të akuzojmë Vučić-in për hipokrizi nëse iu bën thirrje serbëve të Serbisë që të pranojnë realitetin e Kosovës. Nuk duhet të ushqejmë iluzionin që një lider i një vendi ballkanik të jetë jokonformist dhe të thyejë tabutë në mënyrë të hapur e të qartë. Është më e çmueshme hipokrizia sesa konsistenca e vazhdueshme në gabime. Është më e çmueshme që njëherë të vetme të paktën, të përpiqesh e të thuash gjëra që urrehen nga masa. Dhe për këtë e çmoj Vučićin në këtë pikë. Në atë letër. Serbët e Kosovës, të paktën, do të duhej të shihnin përtej kësaj hipokrizie. Të shihnin një lider që vuan nga nacionalizmi qorr i një shoqërie. Të zgjedhesh president ose kryeministër në ballkan pa përdorur kartën e nacionalizmit është e pamundur. Prandaj më shumë e çmoj një nacionalist hipokrit sesa një nacionalist konsistent.

Pajtimi mes shoqërive tona, nuk do të mbërrihet nëse mbesim konfuzë. Nëse nuk përpiqemi të shohim përtej opinioneve të kastës e të klasës, një ditë do të luftojmë për to. Dhe kjo është mosvet e rrezikshme.

Vazhdoj të mendoj që serbët e Kosovës, të paktën pjesa më e ngritur e tyre, do të duhej të ndaheshin me nacionalizmin romantik, dhe me pragmatizëm të integroheshin në shoqërinë kosovare.