“Mirëdita”, e kaluar!

Ajo që po tregon ky festival është se në vend që ta pranojnë atë që ka ndodhur dhe të punojnë për drejtësinë dhe normalizimin, politika, jo vetëm në Beograd, po ndez nacionalizmin dhe po mbjell farën e vjetër të ndarjes e urrejtjes.

0
98

“Mirëdita, Dobar dan”, fjalë përshëndetëse, në gjuhën shqipe e serbe, që për më shumë se tri dekada vazhdojnë të jenë më pak të përdorura në komunikimin mes dy etniteteve. Në mes fjalëve ka gjak, ka mizori të kryera deri në kufij të gjenocidit – është shkatërrimi i jetëve të një gjenerate të tërë.

Vitet e fundit, një festival i quajtur thjesht “Mirëdita, Dobar dan” është bërë ngjarje unike, gati e vetmuar, që po synon të sjellë në Beograd një pjesë të vogël të skenës kulturore kosovare, në një përpjekje për të krijuar komunikim ndërmjet artistëve dhe aktivistëve për të drejtat e njeriut.

Me agjendën e tij konstruktive, përmes artit dhe një lidhje bashkëpunimi e shkëmbimi idesh e vizionesh, festivali është edhe një skenë e vazhdueshme e perceptimit të shoqërisë karshi krimeve të kryera në Kosovë.

Dhe në skenë shfaqet edhe një gjë tjetër, më e vështira për ta tejkaluar, mosdurimi etnik, shpërfillja dhe mohimi i krimeve.

“Problemi është në afrimin dhe njohjen e shoqërive, që të vazhdojnë t’i thonë njëra-tjetrës ‘Mirëdita, Dobar dan’”, thotë  Ivan Đurić, drejtor i Programit të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, një nga organizatorët e festivalit.

Në qendër të njohjes, ky festival ka një figurë shqiptare të skenës në Beograd, Bekim Fehmiun, që dikur mblidhte adhurues pa etni, një simbol i bashkëjetesës dhe ndarjes njëkohësisht.

Në skenën e këtij festivali parakalojnë figura të tjera, që shpesh mund të ndajnë e largojnë më shumë se që mbledhin. Në qendër të një ekspozite, publiku në Beograd duhet të ballafaqohet me fotografinë e Ferdonije Qerkezit nga Gjakova që kërkon djemtë e zhdukur të saj gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë. 

Në një film (Shtëpia e Agës) është një fëmijë i lindur nga dhunimi i mijëra grave shqiptare të Kosovë. Ai fëmijë kërkon të atin, një nga shumë  pjesëtarë të forcave serbe që morën pjesë aktivisht në dhunim si një armë lufte, e që nuk do ta njohë kurrë. 

Ashtu si ai, një gjeneratë e fëmijëve të padukshëm të Kosovës të lindur nga përdhunimet e kryera nga ushtarakë dhe paramilitarë serbë u braktisën, u adoptuan ose në disa raste edhe u mbytën, pa mësuar kurrë të vërtetën e tyre. 

Ballafaqimi me ta, për publikun në Beograd, është ballafaqim me të kaluarën, një proces i rëndësishëm i vendeve që kanë dalë nga luftërat e përgjakshme që vazhdon të mbetet një barrë e rëndë në supet e të dy shoqërive.

Këtë vit, sikurse edhe viteve tjera, pati përpjekje direkte për ta penguar këtë në festival. Në rrjetet sociale gjithashtu kishte shumë komente përçmuese për shqiptarët me cilësime që theksojnë se “në Kosovë nuk ka kulturë dhe e vetmja që ka mbetur është ajo e Serbisë”. Një shenjë që ka ende një linjë të fortë, të gozhduar në propagandën politike të urrejtjes dhe mohimin etnik.

Një realitet që konfronton mundësinë e një normalizimi të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes shoqërive në Serbi e Kosovë. 

“Festivali është një platformë për atë çka i bashkon dhe ndan shoqëritë tona. Gjithashtu tregon se ballafaqimi me të kaluarën ende nuk ka ndodhur njëmend”, thotë Nora Ahmetaj, një aktiviste për të drejtat e njeriut, pjesëmarrëse në këtë festival në Beograd.

Cilat janë pasojat e luftës sot? Ky festival reflekton pikërisht mbi këtë pyetje, duke identifikuar trashëgiminë kulturore, por edhe politike, përmes prizmit të vazhdimësive dhe këputjeve mes së kaluarës dhe të tashmes së kësaj hapësire të ish-Jugosllavisë.

Ajo që po tregon ky festival është se në vend që ta pranojnë atë që ka ndodhur dhe të punojnë për drejtësinë dhe normalizimin, politika, jo vetëm në Beograd, po ndez nacionalizmin dhe po mbjell farën e vjetër të ndarjes e urrejtjes. 

Trashëgimia e së kaluarës së dhunshme ende mbetet e fortë në rajon, duke mohuar të drejtat e qindra e mijëra viktimave. Mungesa e vullnetit politik dhe mosgatishmëria për të ndëshkuar krimet e kaluara po mban peng të vërtetën dhe pajtimin që nuk mund të arrihen pa drejtësi.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës

SHARE