Mosaplikimi i “Elektroseverit” në ZRRE mban peng zbatimin e marrëveshjes për energji

0
17

Kompania serbe “Elektrosever” ende nuk ka aplikuar për licencë të operimit në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë. Hapi që ka bërë kjo kompani ashtu siç kërkohet me Marrëveshjen e Brukselit për energji në mes të palës kosovare dhe asaj serbe të nënshkruar në 2013, është regjistrimi në Agjencinë e Regjistrimit të bizneseve në nëntor të vitit të kaluar, shkruan sot Koha Ditore.

Megjithatë, sipas institucioneve vendore, kjo kompani nuk është e interesuar që të aplikojë për licencë operimi. Qëllimi për këtë, sipas tyre, është që sa më shumë të shtyhet ky proces, Serbia do të mund të fitojë të hyra më të mëdha nga shfrytëzimi i aseteve interkonektive.

Bazuar në disa të dhëna të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut nga viti 2008 e deri në tani Serbia ka përfituar rreth 65 milionë euro në mënyrë të paligjshme. Edhe energjia që është tërhequr në mënyrë të paautorizuar nga 2 dhjetori i 2017-s e deri tani është rreth 20 milionë euro.

Në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë kanë thënë për gazetën se ende nuk kanë pranuar asnjë aplikim për licencim nga kjo kompani. Ndërsa sa u përket kushteve të licencimit, ky institucion ka bërë të ditur se kushtet janë të njëjta për të gjitha kompanitë. E pyetur për vendin se ku do të mund të operojë kjo kompani, zëdhënësja e ZRRE-së, Adelina Murtezi-Bajrami, ka thënë se licencimi vlen për operim në tërë territorin e Kosovës, por që është në diskrecion të kompanisë se a dëshiron që të operojë vetëm në një territor të caktuar apo në gjithë vendin.

(koha.net, 08/10/2019)

SHARE