Muhabet joformal

- “Po më zhgënjen gjithnjë e më shumë!” - “Sa më i zemëruar që je, i madhi Pacolli, aq më i kënaqur jam unë!” Në shikim të parë duket sikur bisedë e një çifti dashnorësh pas ndarjes. Nejse, ndarje, në një mënyrë edhe është, por çift dashnorësh… nuk janë. Në fakt, kjo është pjesë e një shkëmbimi që patën ministrat e punëve të jashtme të Serbisë dhe Kosovës, Ivica Dačić dhe Behgjet Pacolli. Diplomatë serioz, të karrierës.

0
1466

Tërë kjo filloi kur ministri i punëve të jashtme i Serbisë iu drejtua mediave me porosinë se Surinami e ka tërhequr njohjen e Republikës së Kosovës. Këtë lajm së pari e demantuan zyrtarët kosovar, e pastaj ministri Dačić e publikoi notën me të cilën konfirmohet ky vendim i Surinamit dhe kështu “e vërtetoi fitoren e madhe të Serbisë” dhe që “ende nuk ka marrë fund”. Disa ditë pas kësaj shtyrjeje rreth njohjes/mosnjohjes së Republikës së Kosovës nga ana e Surinamit, pasoi një  deklaratë e re e ministrit Dačić. Kësaj here ai e bën të ditur se Guinea Bisao e ka tërhequr njohjen e Republikës së Kosovës që e bëri në vitin 2011. Në të njëjtin drejtim mediave, Dačić po ashtu parasheh që Kosova do të bie në “nën njëqind njohje”. Çfarë ofensive e diplomacisë serbe!

Mirëpo, pason një kundërgoditje e vërtetë diplomatike e ministrit të punëve të jashtme të Kosovës, Behgjet Pacollit: “Kur bëhet fjalë për paralajmërimet e Dačić-it për tërheqjen e njohjeve – këto janë përpjekje donkishotiane. Sa i vogël që je Ivica Dačić. Po më zhgënjen gjithnjë e më shumë!” porositi ai ministrin serb të punëve të jashtme. Ndërkohë, mediat në Prishtinë kanë bërë të ditur që edhe Madagaskari e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Atëherë kjo melodramë dashurie merr edhe përfundimin e saj të pritur: “Sa më i zemëruar që je, i madhi Pacolli, aq më i kënaqur jam unë!” Nuk e di për ju, por sa për mua këtu mungonte vetëm ajo “Eja merri gjërat e tua, nuk do të jem në banesë të premten prej orës 13:00 deri në 15:00.”

Sido që të jetë, dashuria mbaroi, lidhja u ndërpre, por të gjithë edhe më tej po vuajnë. Serbia po vuan që nuk ka absolutisht kurrfarë pushteti mbi territorin e saj, që Kosova po njihet gjithnjë e më shumë, ndoshta jo me numrin e vendeve që po e njohin formalisht, por faktikisht po, gjë të cilës në mënyrë domethënëse i ka kontribuar edhe vetë pushteti i tanishëm në Serbi. Vullnetarisht apo jo, ky fakt nuk po ndryshon. Dhe në tërë këtë më së paku ka rëndësi se a e kanë njohur Republikën e Kosovës si të tillë më pak apo më shumë se njëqind shtete. E rëndësishme është që Kosovën si të tillë e kanë krijuar dhe njohur faktorë ndërkombëtarë të cilët sigurisht nuk do të lejojnë që ky projekt i tyre të shkatërrohet lehtë. Për këtë Serbia po bindet çdo ditë. E sa i përket dashnorit të dytë të kësaj melodrame, as ai nuk është i kënaqur, dhe sigurisht ka pritur shumë më tepër nga kjo ndarje. Shoqëria kosovare është shumë e ndarë dhe kryesisht e varfër, ndërtimi i shtetit nuk po rrjedh pikërisht ashtu siç është planifikuar, ka aty shumë probleme. Integrimet evropiane gjithnjë e më shumë janë në dyshim, kanë dështuar disa përpjekje për anëtarësim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, e edhe dashuria e Amerikës dhe Bashkimit Evropian ndaj Kosovës gjithnjë e më shumë po zbehet.

Në një situatë të tillë nuk u mbetet tjetër palëve pos që t’i gëzohen fatkeqësisë së tjetrit.