A mund ta imagjinosh?

Ky grup i njerëzve të mrekullueshëm vendosi që së bashku të ndërmarrë diçka dhe të punojë në largimin e paragjykimeve e stereotipeve dhe të vazhdojë këtë miqësi të mrekullueshme që u krijua për 10 ditë të Kampit në Budapest. Në plan është alpinizmi për paqe në veri dhe në jug të Kosovës, shkolla verore, bërja e muraleve dhe shumë aksione të tjera të cilat para së gjithash kërkojnë mbështetjen e të gjithë neve.

0
307

Na ishte njëherë në një shtet të largët… Në këtë mënyrë zakonisht fillojnë përrallat, apo jo? Kështu zakonisht fillojnë rrëfimet në të cilat nuk besoni dhe që janë gjithçka tjetër vetëm jo realiteti. Por kjo është në të njëjtën kohë edhe mënyra që të fillohet një tregim që është shumë i besueshëm dhe shumë i vërtetë. Na ishte njëherë në një qershor në Budapest… Më saktësisht, prej 26 qershorit deri më 3 korrik në Qendrën rinore evropiane në Budapest u mbajt Youth Peace Camp në organizim të Këshillit të Evropës. Siç ishte rasti edhe viteve të kaluara, edhe këtë vit qëllimi i këtij kampi është tubimi i të rinjve nga zonat e konfliktit anembanë Evropës dhe përmes ofrimit të hapësirës së sigurtë për ta t’u jepet atyre shansi që të njihen me njerëzit nga  “ana tjetër e konfliktit” dhe mundësia që së bashku të punojnë në ndërtimin e paqes. 

Atë 26 qershor në Budapest arritën 12 serbë dhe shqiptarë nga Kosova. Dymbëdhjetë njerëz të jashtëzakonshëm të gatshëm që të njihen me njëri-tjetrin, të punojnë së bashku dhe t’i largojnë të gjitha paragjykimet. Ashtu siç ndodh zakonisht, në fillim i iket politikës edhe pse të gjithëve u intereson se çka mendojnë këta “nga ana tjetër”. Por këta dymbëdhjetë njerëz i lejuan vetes që të njihen në një mënyrë tjetër, që të largohen nga propaganda dhe ndikimi i mediave dhe politikës. Vendosën që të jenë vetëm njerëz dhe miq. “Më në fund e kuptova që edhe ata janë të shoqërueshëm ashtu siç jemi edhe ne. Që jemi tejet të ngjashëm” tha njëra nga pjesëmarrësit.

Mandej në Kamp erdhi dita e cila quhej “dita e dialogut.” Në sallën e konferencës hynin njerëzit dukshëm të shqetësuar, të frikësuar. Të gjithë prisnin që kjo do të jetë dita kur do të diskutohet për politikën, asociacioni i parë për të gjithë ishte dialogu, ai në Bruksel dhe në nivelin e lartë shtetëror. Por kjo nuk ishte ajo që edukatorët kishin përgatitur për ta. Fytyra të mallëngjyera, heshtje dhe ndonjë koment si “kam frikë që kjo ditë do ta prish miqësinë që e krijuam” përcollën hyrjen në atë hapësirë vetëm për serbët dhe shqiptarët ku më në fund duhej të niste “dialogu” dhe dita kyçe e Kampit, siç e quajnë shumë njerëz këtë. Disa ditë para dialogut, po këta njerëz u bënë miq, qeshnin dhe shoqëroheshin së bashku, por këtë mëngjes ata vetëm shikonin njëri-tjetrin dhe prisnin se çka do të ndodhë. Në vend të politikës, në vend të kopjes së dialogut të Brukselit, këta njerëz përjetuan diçka krejtësisht tjetër. Prej tyre u kërkua që në vend të politikës, propagandës dhe diskutimeve t’i ndajnë rrëfimet e tyre personale për luftën. Në vend të konfrontimit, këta dymbëdhjetë persona ndanë me njëri-tjetrin gjëra për të cilat ka qenë vështirë edhe të mendohet e lëre më të ndahen me dikë i cili do të duhej të ishte “armiku” juaj. Lot, emocione, empati dhe mirëkuptim shoqëruan ditën D në kamp. Ata dëgjuan njëri-tjetrin, qanë së bashku, u përqafuan në shenjë të mbështetjes. E kuptuan. Disa ndoshta për të parën herë në jetën e tyre. Në vend të pikëpyetjes për miqësinë e tyre, kjo ditë u dha atyre shumë më tepër dhe i lidhi ata si kurrë më parë. “Kurrë nuk do ta harroj këtë ditë” tha njëri prej tyre. Dhe me të vërtetë nuk do ta harrojnë. Ditët që pasuan ishin dëshmi për këtë. 

Ky grup i njerëzve të mrekullueshëm vendosi që së bashku të ndërmarrë diçka dhe të punojë në largimin e paragjykimeve e stereotipeve dhe të vazhdojë këtë miqësi të mrekullueshme që u krijua për 10 ditë të Kampit në Budapest. Në plan është alpinizmi për paqe në veri dhe në jug të Kosovës, shkolla verore, bërja e muraleve dhe shumë aksione të tjera të cilat para së gjithash kërkojnë mbështetjen e të gjithë neve. Fushata mori emrin „Bridg(e)ing differences“ kurse qëllimi është që të gjithë së bashku t’i tejkalojmë dallimet të cilat vite me radhë nuk po na lejojnë të ndërtojmë miqësi me njëri-tjetrin, ashtu siç i ndërtuan këta të rinj.   

Titulli shtroi pyetjen: a mund ta imagjinosh? Dhe me të vërtetë, a mundeni? Miqësinë, empatinë, mirëkuptimin me “anën tjetër”? A mund ta imagjinoni paqen? Shikoni fotografinë e serbëve dhe shqiptarëve pas ditës së dialogut. A ju flet ajo mjaft? Mua m’i thotë njëmijë fjalë! Rrëzon çdo barrierë, çdo paragjykim, çdo urrejtje. Rrëzon çdo propagandë politike dhe tregon që është e mundur! Është e mundur që të jetojmë së bashku, që të kuptojmë, që të jemi miq. Që të ndërtojmë paqen! Për këtë arsye, le të jenë shembull për ne këta 12 njerëz të mrekullueshëm. Le të përpiqemi t’u ndihmojmë që të sendërtojnë planin e tyre dhe t’i kapërcejnë dallimet. Dhe siç e tha njëri nga pjesëmarrësit “më në fund u bëmë ne” e jo dy anë, jo serbë dhe shqiptarë, por ne. Nëse mundën ata, atëherë mundemi të gjithë. Mundemi NE. 

comments

SHARE