Ndahen çmimet për ese të historisë me metodologjinë shumë-perspektivëshe

Gara e shkrimit të eseve u realizua në kuadër të projektit të financuar nga Ambasada Britanike në Kosovë si pjesë e Projektit të tyre të Përfshirjes Sociale. New Perspektiva në kuadër të këtij projekti ka realizuar po ashtu trajnime për metodologjinë shumë-perspektivëshe të mësimdhënëies së historisë.

0
79

Në fund të janarit, në ambientet e ngrohta të Muzeut të Kosovës, u mblodhën gjimnazistë të gjashtë shkollave të mesme të larta të Kosovës. Shumë prej tyre po e vizitonin Muzeun për herë të parë. New Perspektiva organizoi ceremoninë e dhënies së çmimeve për garën e shkrimit të eseve mbi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999.

Nxënësit e pranishëm kishin marrë pjesë në një garë të organizuar nga New Perspektiva që synonte të nxiste hapjen e të menduarit rreth historisë së përbashkët të Kosovës dhe Serbisë duke e parë atë nga perspektiva të ndryshme. Gara bazohej në besimin se nëse nxënësit jetojnë në një shoqëri multietnike, por e mësojnë historinë vetëm nga një perspektivë, rrezikohet që distanca mes komuniteteve të rritet edhe më shumë dhe dëmton integrimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë mes tyre. Një perspektivë e vetme nuk arrin në zhvillojë shkathtësitë e tyre analitike e kritike dhe nuk ua mundëson nxënësve të zhvillohen si aktivist qytetarë e demokratë të vendeve ku jetojnë. Paraprakisht, atyre iu dërguan materiale udhëzuese se si të shkruhet një ese nga qasja shumë-perspektivëshe, të cilat përfshinin edhe shfrytëzimin e burimeve dhe interpretimeve të ndryshme. Joanna Hanson, drejtoresha ekzekutive e New Perspektivës, tha se esetë që këta nxënës i kishin shkruar treguan se ata kishin filluar ta sfidonin qasjen një-perspektivëshe të historisë, e cila është mbizotëruese në tekstet shkollore të historisë në Kosovë. Sipas saj, disa nga nxënësit kishin përmendur jo vetëm viktimat shqiptare gjatë kësaj ndërhyrjeje dhe konfliktit Kosovë – Serbi në përgjithësi, por edhe viktimat nga pala serbe. Ata e panë se të dyja palëve u kishte kushtuar ndërhyrje e NATO-s. Ata shkruan për Mejën, shkruan për Grackën. Disa e vendosën zhvillimin dhe aktivitetin e UÇK-së në kontekst.

Hanson vlerësoi se ndonëse kjo ishte përpjekja e parë, rezultatet e tyre ishin inkurajuese, nxënësit po bënin hapa jashtë kutisë së njëanshmërisë. “Esetë e tyre treguan një gamë të gjerë aftësish dhe megjithëse mbizotërimi i një perspektive të vetme ishte i dukshëm, ishte po ashtu e qartë se kishin filluar ta kuptojnë metodologjinë dhe të sjellin burime dhe interpretime të tjera në trajtimin e eseve.”

Vetë nxënësit thanë se kishin mësuar nga ky projekt. Ia vlen në veçanti të shënohet se në një shkollë thanë se për herë të parë e kishin mësuar se sa serbë kishin humbur jetën gjatë ndërhyrjes së NATO-s, vetëm si rezultat i burimeve të ofruara në garën për shkrimin e eseve.   

Nga një numër i madh esesh të cilat u përkthyen edhe në gjuhën angleze edhe në atë serbe, u ndanë 6 çmime, ku secilës shkollë pjesëmarrëse iu nda një çmim. Esetë ishin vlerësuar nga një juri e përbërë prej katër personave. Shkollat pjesëmarrëse vinin nga Mitrovica, Kamenica, Skënderaj, Prishtina, Prizreni dhe Novobërda. Nxënësve fitues nga shkollat e komunitetit shqiptar iu dhurua nga një kopje e librit të Noel Malcolm, “Kosova – një histori e shkurtër”, ndërkaq atyre serbë libri “Marrëdhëniet shqiptaro-serbe” në gjuhën serbe. Libra këto që edhe vetë sjellin perspektiva të ndryshme.

Gara e shkrimit të eseve u realizua në kuadër të projektit të financuar nga Ambasada Britanike në Kosovë si pjesë e Projektit të tyre të Përfshirjes Sociale. New Perspektiva në kuadër të këtij projekti ka realizuar po ashtu trajnime për metodologjinë shumë-perspektivëshe të mësimdhënësies së historisë. New Perspektiva konsideron se ndonëse Kosova është shoqëri multietnike, mësimdhënia/të mësuarit e historisë në shkolla bazohet në një qasje të vetme nacionale. Kjo qasje rrezikon t’i largojë komunitetet edhe më shumë dhe nuk e nxitë integrimin më të madh dhe mirëkuptimin e ndërsjellë. Metodologjia shumë-perspektivëshe do ta adresojë këtë qasje që është e gjymtë për nxënësit në shkolla. Në kuadër të këtij projekti, New Perspektiva do ta zhvillojë më tutje faqen e saj në internet mbi historinë shumë-perspektivëshe dhe mësimdhënjen me metodologjinë shumë-perspektivëshe: www.multi-perspektiva.com

SHARE