Ndarja territoriale – si një përforcim i nacionalizmave

Imagjinoni, edhe 19 vjet pas lufte ne flasim për ‘ndarje territori’. Territori dhe jo mirëqenia qytetare është prioritetizuar në Bruksel – me BE-në që ishte tepër e çinteresuar dhe jokreative në luftimin e këtij destruktiviteti që nuk merr fund.

0
208

Kosova nuk mund të bëhet kurrë shtet funksional nëse nuk merr njohjen formale nga Serbia. Perëndimi ka nevojë urgjente të kurojë veten nga ndjenja e fajësisë që e bren për intervenimin e NATO-s më 1999 ku u shkel ligji ndërkombëtar. Edhe më urgjente është nevoja për të ndalur agresionin rus, që duke e përmendur intervenimin në Kosovë e aneksoi Krimenë. Në radhë mund të jenë Estonia dhe Letonia. Ndërkohë që edhe në Suedi, për herë të parë pas Luftës së II Botërore janë dhënë për çdo familje fletushka që tregojnë se çka duhet bërë nëse vendi sulmohet. Dhe sulmi eventual vendit nordik mund t’i vijë veç nga rusët. Nga regjimi i Vladimir Putinit, që u trajtua shumë miqësisht nga presidenti amerikan Donald Trump në samitin e Helsinkit.

Por, të rikthehemi te Kosova. Ndarja territoriale e vendit nuk do të pranohet nga shoqëria jonë. Jo se ‘ndarja’ ose ‘shkëmbimi i territoreve’ në vetvete është një zgjidhje e keqe, por se deri tash kishim një diskurs të dobët nga pushteti, i cili nuk ia doli të legjitimonte asnjë hap që bënte. Pra, vjen nga njerëz të delegjitimuar si krerët e partive në pushtet, dhe nga presidenti Hashim Thaçi.

Thaçi madje nuk kishte ngurruar të gënjente për vite më radhë, se dialogu do të ishte vetëm teknik, se nuk do të flitej më për politikë e kështu me radhë. Doli e kundërta! Së fundi, Thaçi dhe partia e tij është zhvlerësuar edhe në zgjedhjet e brendshme duke i fituar vetëm 19 deputetë, aq sa ka tanimë Lëvizja Vetëvendosje pas ndarjes, dhe trembëdhjetë më pak se sa i kishte pas ndarjes.

Thaçi dhe partia e tij, që ishte vazhdimisht në pushtet, asnjëherë nuk ndërtuan një platformë për dialogun, asnjëherë nuk e legjitimuan si të tillë, por e nënkuptuan në mënyrë tepër të vrazhdë si një “padrejtësi nga ana e BE-së”. Por në anën tjetër, kjo parti, në krye me Thaçin, dështoi të ishte transparente gjatë këtij procesi duke mbetur në kurthin e gënjeshtrave që kishte thënë.

Tash, Thaçi duke imituar Vučić-in, ndoshta me një strategji të koordinuar me Brukselin, po paralajmëron për “marrëveshje të vështirë e të dhimbshme”. Por, nëse Vučić-i në njërën anë gëzon popullaritet mjaft të madh në Serbi, Thaçi në tjetrën është tërësisht i diskredituar.

Kosova, shkaku i pamundësisë së përfaqësuesve të saj për të dhënë mesazhe ‘të dhimbshme e të vështira’ para një dekade, rrezikon një tjetër polarizim të skenës politike dhe të shoqërisë. Në mos edhe një konflikt qytetar. Kjo sepse në sfond nuk duket një ekip uniteti, dhe në anën tjetër mund të shohim tanimë diskursin me “tradhtarë e heronj”. Një diskurs i rrezikshëm e i përforcuar nacionalist që nuk do t’i lëshonte rrugë atij progresist.

Partitë në Kosovë janë sa për sy e faqe. Ne shohim edhe një opozitë krejtësisht të pafrytshme, e gatshme për të dhënë goditje kur kjo çështje të kryhet dhe dëmet të jenë të riparueshme, por të pagatshme për të marrë përgjegjësi dhe për të ofruar një alternativë ose një platformë të sajën. Të gjitha papërjashtimisht nuk duan as të rrezikojnë një milimetër të vetëm pushteti për një çështje kaq të rëndësishme kombëtare.

Kosova e ka të pamundur ecjen përpara nëse nuk arrin një marrëveshje finale me Serbinë. Por, aktualisht një marrëveshje e tillë do të hapte vragat e dhimbjet e së shkuarës, me forca politike destruktive që do të siguronin mbijetesën në skenën politike vetëm nga kundërshtimi i saj pasi ajo të jetë çështje e kryer.

Puna e bërë deri tash për pajtim e për dialog ka qenë tepër sipërfaqësore, aq sa dëmet që kanë pësuar diskurset nacionaliste në të dyja vendet ishin të pavërejtshme. Vučić dhe Thaçi mund të perceptohen në Bruksel si dy pishtarë të këtij nacionalizmi, por kështu nuk është brenda dy shoqërive të reja – duke qenë se kjo lloj fryme ka prodhuar fytyra të reja, më atraktive dhe më destruktive, që do të përvidheshin në pushtet dhe do të rihapnin gjithçka nga fillimi.

Po, është e vërtetë ajo që kishte thënë Albin Kurti para një kohe se marrëveshjet e këqija në histori kanë prodhuar luftëra. Dhe, një marrëveshje tjetër e keqe për të dyja palët duket në horizont. E keqe, jo sepse në vetvete është e keqe, por sepse në Kosovë, kryenegociatori e ka humbur krejtësisht forcën e tij politike e diskursive.

Imagjinoni, edhe 19 vjet pas lufte ne flasim për ‘ndarje territori’. Territori dhe jo mirëqenia qytetare është prioritetizuar në Bruksel – me BE-në që ishte tepër e çinteresuar dhe jokreative në luftimin e këtij destruktiviteti që nuk merr fund.

comments

SHARE