Ndërlikimi i pa afat i “hyrje-daljeve” Kosovë-Serbi

Shumë qytetarë të Kosovës, shqiptarë e serbë, nuk kanë informacion të plotë për marrëveshjet për hyrje-daljet Kosovë-Serbi. Për shumëkë ato më shumë komplikojnë sesa lehtësojnë lëvizjen e tyre.

0
4903

Veç ndjesisë së nacionalitetit, Mira Vučević-it nuk i ka sjellë ndonjë përparësi pasaporta e Serbisë. Kjo serbe e Kosovës nga Zubin Potoku, që ka të drejtën e dyshtetësisë, ka zgjedhur të marrë pasaportë serbe. Por, përveç Bosnjës, Malit të Zi e Maqedonisë, për të vizituar shtete tjera asaj i duhet të marrë vizë njëjtë si shqiptarët e Kosovës.

Prej vitit 2010 Serbia është  përfshirë në të ashtuquajturën “listë e bardhë  e Shengenit”, që do të thotë lëvizje pa viza, por kjo nuk vlen për serbët e Kosovës.

Liritë dhe kufizimet reciproke

Mijëra serbë, më shumë për shkak të përkatësisë etnike dhe lidhjeve tradicionale me Serbinë sesa për ndonjë avantazh, zgjedhin ende të kenë vetëm një pasaportë, atë të Serbisë. “Pasaporta ime që lëshohet nga Zyra Koordinuese për Kosovën nuk është e njëjtë me atë të qytetarëve të tjerë që jetojnë në Serbi. Kur e kam marrë këtë pasaportë para 6 vitesh kam menduar që kam ndonjë përparësi. Por jo”, thotë Mira.

Kjo 33 vjeçare megjithatë prej një dekade e gjysmë, përveç Serbisë, nuk ka lëvizur në ndonjë vend tjetër. “Nuk është vetëm çështja e dokumenteve. Është edhe ana ekonomike. Të lëvizësh më larg do të thotë të kesh para”, rrëfen kjo shitëse në një dyqan ushqimor në Zubin Potok.

Paga e saj mujore nuk shkon përtej 170 eurove dhe me të ndihmon familjen, prindërit dhe motrën.

Përveç lëshuesit, shtetit serb, dhe specifikave biometrike, pasaporta e Mirës nuk ka ngjashmëri të tjera me pasaportat që lëshohen për banorët e Serbisë. Të qenit banore e Kosovës, Mirën e  përjashton komplet nga lëvizja e lirë në vendet e BE-së. Për të marrë një vizë asaj i duhet të aplikojë në konsullatat e vendeve përkatëse në Prishtinë ose Beograd dhe shumica e dokumenteve që kërkohen duhet të jenë të lëshuara nga vendi ku ajo banon, institucionet e Kosovës.

“Unë mund të marr edhe një pasaportë të Kosovës. Megjithatë njëjtë, pengesa andej, pengesa këtej”, thotë ajo.

Në Ministrinë e Brendshme të Kosovës nuk japin të dhëna që do të konfirmonin se një numër gjithnjë e më i madh i serbëve po i kthejnë sytë kah dokumentet e Kosovës.

Bekim Hoxha, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Regjistrimit Civil në Kosovë, thotë se të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës u lëshohen dokumente të njëjta dhe statistikat e tyre nuk klasifikohen sipas etnisë e as vendbanimit. “Jemi të kufizuar në ofrimin e statistikave rreth pajisjes së qytetarëve me dokumente sipas etnisë së tyre”, thotë Hoxha.

Pasaportat kosovare e serbe ngjajnë në ngjyrë dhe dizajnin e specifikave biometrike, por ato nuk njihen reciprokisht dhe ky është një informacion i qartë për të gjithë. Më shumë se gjashtë vitet e dialogut Kosovë-Serbi për çështje teknike e politike pak kanë sjellë ndikim në jetën e qytetarëve.

Valsi i kufizimeve dhe komplikimeve prej gati dy dekadash pas lufte e përcjell lëvizjen e qytetarëve të të dyja vendeve, që pak hapa kanë bërë për të ngushtuar hendekun e ndarjes etnike dhe armiqësisë.

Por jo të gjithë e dinë që një i huaj apo shtetas kosovar që jeton në shtete të tjera nëse ka hyrë në Kosovë përmes Aeroportit  të Prishtinës, nuk mund të vazhdojë për në Serbi.

Mosnjohja nga Serbia e bën Kosovën ende një destinacion komplikimesh. Një belge e martuar me një kosovar, C.G., tregon se mbërritja në Kosovë me aeroplan i solli shumë telashe për t’u kthyer me veturë nëpër Serbi me burrin dhe fëmijët e saj.

“Nuk e kam ditur që nëse fluturoj nga Brukseli për në Prishtinë nuk mund të kthehem me veturë nëpër Serbi. Iu drejtova konsullatës sonë (belge) në Beograd, por më thanë që ky absurd është qysh moti”, tregon ajo.

Ajo thotë se i duhet ta përdorë një rrugë shumë të gjatë nëpër Mal të Zi ose Maqedoni për të hyrë në Serbi dhe për të vazhduar tej në rrugën e kthimit drejt shtetit të saj.

“Duket një ngatërresë qesharake dhe neveritëse”, thotë ajo.

Liritë dhe kufizimet nuk janë krejt të njohura as për banorët e Kosovës.

Edona Zhubi nga Prishtina tregon se autoritet kufitare serbe e zbritën nga autobusi natën me vajzën e vogël derisa po udhëtonte për në Austri, për shkak se asaj nuk i ishte thënë se ekstrakti i lindjes së vajzës duhet ta kishte një fotografi me vulë. Ajo thotë se para se të niset ka pyetur agjencinë e udhëtimit dhe ata i kanë thënë se gjithçka është në rregull me të gjitha dokumentet e saj.

“Policia kufitare e Kosovës në Merdarë nuk më tregoi nëse diçka mungon në dokumentet e mia. Pasi i jam nënshtruar kontrollit në pjesën serbe ata më kanë zbritur nga autobusi për shkak se mungonte fotografia e vajzës në ekstrakt. Është dashur natën të kthehem dhe të pres në një lokal në një fshat të Podujevës derisa burri ka ardhur të na marrë’, tregon Edona.

Rrëfime të ngjashme si Edona kanë edhe të tjerë.

Hajrije Gash, një turke nga Prizreni, u desh të priste edhe dy javë për të  ricaktuar një termin mjekësor në Beograd, pasi certifikata e mbesës së saj 14 vjeçare nuk kishte foto. As e moshuara as vajza nuk e kishin ditur këtë fakt.

“Unë e kam një pjesë të familjes në Beograd, por kalimi është vështirësuar shumë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Për shkak që nuk e kisha ditur çka duhet u desh të kthehem së bashku me mbesën dhe humba terminin”, thotë Hajrija.

Në fakt, shumë qytetarë shqiptarë e serbë nuk kanë informacion të plotë  për ndryshimet në marrëveshjet për hyrje-daljet Kosovë-Serbi.

Për shumëkë ato më shumë komplikojnë sesa lehtësojnë lëvizjen e tyre. Autoritet kosovare thonë se kanë në fuqi disa dokumente të publikuara në faqet e tyre.

Gjuha agresive e “hyrje-daljeve”

Nëse nuk lexohen me kujdes shumë gjëra mund të mos kuptohen drejt, sidomos te pjesa e asaj që në marrëveshje është përkufizuar si dokument  për lëvizje për palën kosovare.

“Dokumenti hyrje/dalje quhet dokument hyrje/dalje. Gjuha në dokument hyrje/dalje do të jetë vetëm gjuhë procedurale…”

Në këtë mënyrë barra më e madhe e informimit të qytetarëve për procedurat po bie mbi agjencitë e udhëtimit. Bekim Hoxha, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Regjistrimit Civil në Kosovë, thotë se përmes fushatave mediale mundohen t’i mbajnë të informuar qytetarët për zhvillimet rreth marrëveshjeve për lëvizjen e lirë. 

Pas arritjes se marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit është organizuar një fushatë mediale për t’i informuar qytetarët. Por kjo bëhet edhe nga policia kufitare dhe format tjera”, ka thënë Hoxha.

Dokumenti 18 pikësh në fakt nuk është zbatuar deri më tani, sidomos ajo për tabelat e regjistrimeve. 

Në intensitetin e dialogut Prishtinë-Beograd është shënuar fare pak përparim rreth çështjeve për të cilat pati dakordim në letër dhe palët vetëm sa janë kujdesur të fshehin shtetësinë në dokumente e targa. Por as kjo nuk po bëhet nga ana e Kosovës sepse procedurat abuzuese tenderuese kanë vonuar procesin.

Përplasjet mes të dyja shteteve shfaqen pafund së pari në vendkalimet kufitare. Policia kufitare e Kosovës konfiskoi në korrik një kontingjent të librezave të reja shëndetësore, të ndërruara nga Serbia që u dërgoheshin  serbëve të Kosovës. Por as për këtë autoritetet në Kosovë nuk kanë dhënë informacion se çfarë do të bëhet me to.

Lëvizja mes të dyja vendeve u vështirësua muajin e kaluar kur autoritet kosovare në përpjekje për të frenuar një valë të re imigrimi ilegal për në vendet e BE-së, më 7 shtator ndërprenë linjën e autobusëve Prishtinë-Beograd. Pas kësaj Serbia ndërpreu gjithë linjat e tjera që vijnë nga Kosova dhe kalojnë nëpër territorin e Serbisë.

Përparim Pushkolli, menaxher i kompanisë së transportit të udhëtarëve “Adio Tours” i linjës Dragash-Prishtinë-Beograd thotë se autoritetet e Kosovës dhe Serbisë “po shkelin të drejtën e lirisë së lëvizjes dhe po maltretojnë mijëra qytetarë”.

Si pasojë e kësaj, shumë qytetarë kalojnë gjatë një dite mbi një kilometër këmbë kufirin për të mbërritur tek autobusët brenda territorit të Serbisë.

“Në mesin e tyre ka gra me fëmijë, pleq të sëmurë. Ka shumë udhëtarë që kanë termine mjekësore, termine për viza në konsullatat në Beograd, ka të tjerë që punojnë apo kanë lidhje familjare dhe kjo që po u bëhet atyre është abuzim”, ka thënë Pushkolli.

Përveç vështirësive, kjo u ka sjellë shumë dëme biznesit të agjencive të udhëtimit.

“Kështu është kur dikush që nuk e ka idenë e lëvizjes së lirë as transportit merr vendime të tilla”, ka thënë Pushkolli.

Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Đurić, ka akuzuar autoritetin e Kosovës për “shkelje të marrëveshjeve”.

“Kjo është një pjesë e një katastrofe të përpjekjeve për të destabilizuar raportet dhe situatën në përgjithësi”, ka thënë Đurić.

Përtej kësaj, lëvizja e lirë duket një udhë që nuk po mund të përfundojë në dialogun Kosovë-Serbi.