Ndërtimi i urave përmes gjuhës

"Të kuptohemi!" "Da se razumemo!" ishin fjalët e vëna në banerin e shpalosur nga IOM-i dhe UNMIK-u me rastin e lansimit të fjalorit të parë shqip-serbisht-shqip online, në audiotoriumin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë. Në Ditën Evropiane të Gjuhëve, këto dy organizata rikujtuan edhe njëherë se mosnjohja e gjuhës së njëri-tjetrit përbën një nga pengesat kryesore për ndërveprimin dhe përfshirjen e bashkësive të ndryshme etnike që jetojnë në Kosovë.

0
66

Sipas një hulumtimi të kryer nga Qendra për Nisma Sociale (Centar za Socijalne Inicijative, CSI), gjatë vjeshtës së vitit 2018, vetem 5% e të anketuarve të popullsisë serbe në Kosovë flasin shqip, 31% e kuptojnë pjesërisht, ndërkaq pjesa tjetër nuk e flasin këtë gjuhë. Në krahasim me ta, nga respondentët shqiptarë serbishten e flasin 18%, 49% prej tyre e kuptojnë pjesërisht, ndërkaq 31% nuk e flasin. Megjithatë, gjendja është më kritike tek të rinjt e të dyja etnive, ku vetëm 4% e të rinjve shqiptarë e kuptojnë pjesërisht serbishten, ndërkaq 96% prej tyre nuk e flasin aspak.

Në këtë hulumtim, ku u shikua gjendja e përgjithshme e marrëdhënieve shoqërore dhe gjendja e këtyre dy komuniteteve më të mëdha etnike në Kosovë përmes prizmit të gjuhës dhe komunikimit, doli se ndryshon edhe niveli i interesimit për ta mësuar gjuhën e njëri-tjetrit.  Gjashtëdhjetë e tre përqind e respondentëve të rinj serbë duan ta mësojnë gjuhën shqipe, por kjo shifër pëson ulje të ndjeshme tek komuniteti i të rinjve shqiptarë, pasi vetëm 27% prej tyre kanë interesim për gjuhën serbe.

Megjithëse njohja e ndërsjellë e gjuhëve mund të ketë rol shumë të rëndësishëm në zvogëlimin e tensioneve etnike, vetëm 15% e serbëve, respektivisht 31% e shqiptarëve e mbështesin këtë rol të gjuhës.

Sipas hulumtimit, gjatë 30 viteve të fundit, qytetarët e Kosovës, të të dyja etnive, nuk kanë pasur mundësi ta mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit në shkolla, andaj përqindja e qytetarëve që flasin të dyja gjuhët zyrtare po zvogëlohet dhe kjo kufizon edhe mundësinë e qasjes së tyre në shërbime dhe informacione.

Mbi këtë bazë, për t’iu përgjigjur interesimit të komuniteteve për ta mësuar gjuhën e njëri-tjetrit, Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM) në bashkëpunim me Zyrën e Komisionerit për gjuhët (ZKGJ) dhe CSI-në, dhe me mbështetje të BE-së, zhvilloi VOC-UP, një platformë online për të mësuar shqip dhe serbisht. VOC-UP ofron një metodologji inovative të të mësuarit përmes internetit. Niveli A1 është zhvilluar duke synuar kryesisht rininë, ndërkaq nga ky muaj do të jetë në dispozicion edhe Niveli A2. Sipas të dhënave të IOM-it, më shumë se 17000 përdorues unikë e përdorin shpesh VOC-UP.

Tani, të enjten, në audiotoriumin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, IOM në bashkëpunim me UNMIK-un, lansoi edhe fjalorin e parë në internet shqip/serbisht/shqip si pjesë të platformës VOC-UP.

Zahir Tanin, përfaqësues special i Sekretarit të Përgjithshëm të KB-së në Kosovë, theksoi se barrierat gjuhësore po pengojnë dhe po shkaktojnë vështirësi për raportet njerëzore, pasi paraqesin probleme në mes të komuniteteve për ushtrimin e të drejtave njerëzore.

“Barrierat gjuhësore shpesh kanë shkaktuar probleme në ndërtimin e besimit, që po vazhdon edhe sot”, tha ai, duke shtuar se duhet të hiqen ato barriera që pengojnë raportet në mes komuniteteve.

Projekti ka mbështetjen edhe të ambasadës britanike në Prishtinë. Ambasadori, Nicholas Abbott, tha se gjuhët i bashkojnë komunitet, qytetarët dhe bizneset, dhe për këtë të rinjtë duhet të kuptojnë gjuhën e njëri-tjetrit, sepse kjo sjell përparim.

“Në platformën për mësimin e gjuhës shqipe dhe serbe, është një fjalor për platformën për të bërë një urë-komunikimi në Kosovë”, tha Abbott.

Aktualisht, fjalori përmban 20000 fjalë që përbën fazën e parë të projektit, ndërkaq pritet që deri më 2021 të pasurohet edhe me 30,000 – 40,000 fjalë të tjera. Nga sot në platformën VOC-UP është i qasshëm edhe Niveli A2 për mësimin e gjuhës serbe dhe shqipe.

SHARE