Në atmosferë frike mbijetohet

Këtë vit pa Oliverin, serbët e Kosovës e mbijetuan (po, mbijetuan është shprehja e duhur) në frikë konstante. Frikë nga një luftë e re, nga ndarja, doganat, arrestimi i Marko Djurić-it, ndalimi i lëvizjes së presidentit Vučić, ndërhyrjet e njësive të ROSU-s, mbledhjet e vazhdueshme në nivelin e lartë shtetëror të Serbisë lidhur me Kosovën... Dhe shumë situata tjera të krijuara artificialisht ashtu që të mbahet kontrolli mbi popullin i cili e humbi pothuajse të vetmin lider opozitar i cili guxoi që t’i kundërvihej kësaj çmendurie konstante.

0
113

Më gjashtëmbëdhjetë janar u mbush një vit nga vrasja e Oliver Ivanović-it, liderit të Iniciativës Qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia”. Një vit nga vrasja e kryer para zyrës së tij në Mitrovicën Veriore, një vit pa asnjë fajtor dhe të dënuar, pa prova konkrete dhe pa kurrfarë shpjegimi dhe rezultati si nga ana e policisë dhe gjyqësisë së Kosovës ashtu edhe nga ana e institucioneve të Serbisë. Për këto 365 ditë nuk kemi arritur të dëgjojmë asgjë tjetër pos akuzave të ndërsjella nga të dyja palët se si pikërisht ata tjerët nuk i kanë kryer ato që janë dakorduar në procesin hetimor. Akuza morëm, por jo edhe çkado tjetër që do t’i kontribuonte zbardhjes së vrasjes së liderit  opozitar të serbëve të Kosovës. 

Pas gjithë këtij viti, edhe serbëve të Kosovës u ka mbetur pyetja: çka ka ndryshuar që nga vrasja e Ivanović-it? Përgjigjja është se ka ndryshuar gjithçka dhe asgjë. 

Kanë mbetur të njëjtit liderë politik, ata të imponuarit dhe të zgjedhur për shkak të rrethanave. Problemet janë të njëjta sikur edhe para një viti, serbët ende askush nuk i pyet se çka mendojnë, porse kryesisht po punohet “për të mirën e tyre” e në të vërtetë po punohet kundër tyre. Gjatë këtij viti, situata ekonomike ka mbetur po ashtu e keqe, liria e fjalës është pothuajse e pamundur, kurse Kosova edhe më tej zemra e Serbisë dhe problemi më i madh në rrugën e saj evropiane. Dialogu është ende i palëvizshëm, kurse pajtimi është në pikëpyetje. Asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket këtij aspekti. 

Në të njëjtën kohë, gati se të thuash e pamundur, por pothuajse gjithçka ka ndryshuar. Gjatë këtij viti që kaloi, shumë serbë janë zhvendosur nga Kosova duke mos pasur dëshirë të kthehen më. Për të parën herë morëm ofertën për ndarjen e Kosovës dhe kjo qartazi po bëhet gjithnjë e më tepër një zgjidhje e mundshme. Gjatë këtij viti frika nga e panjohura u bë përditshmëri mes serbëve të Kosovës. Ajo frikë, kundër së cilës luftonte Oliver Ivanović, u shndërrua në jetë normale për një serb në gjendje mesatare në Kosovë. “Në atmosferë frike nuk jetohet”, thoshte Oliveri. Për fat të keq, të gjitha ato kundër të cilave luftonte ai u bënë normale. Atmosfera e frikës po përjetohet çdo ditë dhe po ripërtërihet gati se në nivel javor nga ana e politikanëve nga të dyja palët. Këtë vit pa Oliverin, serbët e Kosovës e mbijetuan (po, mbijetuan është shprehja e duhur) në frikë konstante. Frikë nga një luftë e re, nga ndarja, doganat, arrestimi i Marko Djurić-it, ndalimi i lëvizjes së presidentit Vučić, ndërhyrjet e njësive të ROSU-s, mbledhjet e vazhdueshme në nivelin e lartë shtetëror të Serbisë lidhur me Kosovën… Dhe shumë situata tjera të krijuara artificialisht ashtu që të mbahet kontrolli mbi popullin i cili e humbi pothuajse të vetmin lider opozitar i cili guxoi që t’i kundërvihej kësaj çmendurie konstante. 

Ajo qetësi tmerrësisht e dhembshme e cila u paraqit më 16 janar 2018 me të shtënat mbi Ivanović-in u shndërrua në qetësi konstante dhe u përhap midis serbëve si ndonjë sëmundje së cilës është vështirë t’i shmangesh. Nga frika për të nesërmen, për fëmijët e tyre dhe mbijetesën. Serbët e Kosovës i mbërtheu qetësia atë ditë me Oliverin dhe rrallëkush prej tyre ka guxim që t’i kundërvihet çmendurisë e cila në mënyrë konstante po mbretëron dhe po manipulon. 

Atë 16 janar 2018 iku nga veriu i Kosovës dhe Serbia, edhe demokracia, edhe drejtësia. Mbeti qetësia dhe frika. Një vit më vonë: asgjë nuk ka ndryshuar, edhe më tej po jetojmë në frikë. Gjithçka ka ndryshuar, frika është bërë konstante. 

comments

SHARE