Në ‘tokën e shenjtë serbe të cilën e kanë okupuar terroristët’

Kam fjalorët e mi të vegjël nga Mitrovica, Prishtina, Gjakova, Prizreni, Ferizaji dhe Vushtrria. Të gjitha këto duke falënderuar shoqet dhe shokët nga ato mjedise, durimit të tyre me mua sepse dua të di kuptimin e secilës fjalë që e dëgjoj, kurse atyre u vjen mirë që një i huaj po e mëson gjuhën e tyre. Dhe atë jo një i huaj nga ndonjë vend i largët, por një fqinj që vjen nga shteti i cili ka luftuar kundër tyre dhe atë disa herë brenda periudhës prej njëqind e ca vitesh.

0
1044

Për herë të parë në Kosovë kam ardhur në vitin 2016. Isha në Dokufest në Prizren dhe pastaj në Seminarin e Gjuhës Shqipe në Prishtinë. Para kësaj, për Kosovën kam dëgjuar përmes mediave serbe vetëm histori mitike mesjetare dhe gjëra të këqija për shqiptarët. Për Kosovën dëgjoj vazhdimisht që nga viti 1999, kurse në vitin 2008 unë, si një tetëmbëdhjetëvjeçar, kam përshëndetur shpalljen e pavarësisë së saj. Ishte kjo një lëvizje logjike politike, të cilës i parapriu pavarësia e Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Besoja se shqiptarët janë njerëz si të tjerët, dhe për këtë u binda edhe vetë. Nuk ndihesha rehat t’u tregoja se isha nga Serbia sepse nuk e dija se si do të reagonin. Vetëm e dija se atë dhimbje do të mund ta zbusja vetëm nëse do t’u drejtohesha në gjuhën e tyre. Kështu fillova të studioja gjuhën shqipe në Beograd.

Për Kosovën kam menduar se është vend në hi, që vërragët e luftës ende shihen në secilën shtëpi që është dëmtuar dhe që njerëzit nuk kanë se çka të hanë. Këto ishin pamjet e luftës që më kanë mbetur të gdhendura në mendje kur në shtëpi në vitin 1999 e përcillnim gjendjen në Euronews. Pas ardhjes përjetova një shok kulturor. U befasova se sa shpejt ishin ndërtuar dhe zgjeruar qytetet e Kosovës, se si rruga në hyrje të kufirit të Kosovës nuk ka asnjë gropë për dallim nga rruga e cila shpie nga Nishi, kur del nga autostrada, deri te vendkalimi kufitar Merdare. Qytetet si Prishtina, Gjakova, Ferizaj dhe Mitrovica (kryesisht pjesa jugore) ishin thuajse plotësisht të rinovuara, ndërtesat e reja po mbinin me ngjyra të ndryshme, rrugët ishin plot me të rinj. Përdorej euro, por gjithçka, duke filluar nga ushqimi e deri tek veshja dhe transporti ishin më lirë se në vendet ku përdoret e njëjta valutë. Çmimet ishin madje më të ulëta edhe se në Serbi. Këto janë përshtypjet e mia të para për Kosovën, për të cilën për shtatëmbëdhjetë vite me radhë kam dëgjuar gjërat më të këqija, për “tokën e shenjtë serbe të pushtuar nga terroristët”. Sot jam në Kosovë për të njëzet e satën herë, qëndroj tek miqtë dhe familjet e tyre, ha fli, pite, burekë, trileqe dhe shampite, pi birrë të Pejës dhe Prishtinës. Kënaqem me natyrën e Parkut Kombëtar të Gërmisë në Prishtinë, lahem në lumin Ibër në Mitrovicë, shkoj në festivale të muzikës dhe të jogës në Gjakovë, dal në bare dhe klube dhe ndihem si në shtëpinë time.

Tashmë është hera e tretë që marr pjesë në Seminarin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqipe që mbahet në Fakultetin filologjik në Prishtinë. Për të dëgjova nga profesoresha e Katedrës për albanologji në Beograd. Bëhet fjalë për seminarin më cilësor për mësimin e gjuhës shqipe. Mua personalisht më ka ndihmuar që jo vetëm të përmirësoj gjuhën time standarde letrare të cilën e mësojmë në katedër, por edhe të zotëroj dialektin kosovar i cili përdoret në gjuhën e folur. Sot e përdor atë më shumë se standardin sepse është i domosdoshëm gjatë komunikimit me kosovarët, dhe gjatë kësaj i shkruaj të gjitha fjalët e reja dhe të folmen e zhargonit të secilit vend në të cilin kam qenë deri më tani. Kam fjalorët e mi të vegjël nga Mitrovica, Prishtina, Gjakova, Prizreni, Ferizaji dhe Vushtrria. Të gjitha këto duke falënderuar shoqet dhe shokët nga ato mjedise, durimit të tyre me mua sepse dua të di kuptimin e secilës fjalë që e dëgjoj, kurse atyre u vjen mirë që një i huaj po e mëson gjuhën e tyre. Dhe atë jo një i huaj nga ndonjë vend i largët, por një fqinj që vjen nga shteti i cili ka luftuar kundër tyre dhe atë disa herë brenda periudhës prej njëqind e ca vitesh. Për këtë arsye qëndrimi im në Kosovë është shumë me rëndësi dhe do të ishte e dobishme për të dy shoqëritë tona, të Kosovës dhe të Serbisë, që edhe të tjerët të vendosin marrëdhënie normale që kanë pasur edhe parardhësit tanë me shqiptarët e Kosovës para se dikush të vendoste të zbatojë politikën “përçaj e sundo”.

comments

SHARE