Nevoja për një identitet të përbashkët evropian

Një identitet evropian si një identitet mbikombëtar është e tashmja dhe e ardhmja e popujve evropian. Identitetit evropian historikisht i janë veshur atribute si identitet i kulturës, shkencës dhe progresit njerëzor në përgjithësi. Në këtë kontekst, popujt e Ballkanit vetëm se do të përfitonin nga pranimi i hapur i një identiteti të tillë i cili i tejkalon edhe kufijtë e kombit. Natyrisht, fokusi drejt një identiteti evropian nuk nënkupton tendencë për minimizimin e vlerave kombëtare të popujve ballkanik.

0
367

Popujt e Ballkanit shquhen për të kaluarën e tyre të përgjakshme që është karakterizuar me luftime të vazhdueshme që nga Mesjeta e më tej. Raporti historik mes serbëve dhe shqiptarëve, e veçanërisht atyre të Kosovës, shërben si ilustrim i kësaj prirje për realizim ambiciesh nacionaliste që është përcjellë me mungesë të vazhdueshme të paqes mes shteteve. Tendencat nacionaliste të zhvilluara nga popujt e Ballkanit, të cilat janë ushqyer me kalimin e kohës nga një literaturë e cila shpesh ka mitizuar cilësitë apo vlerat e popujve, kanë ndikuar negativisht në zhvillimin e një besimi të tepruar të popujve mbi vlerat e tyre superiore në raport me fqinjtë. Luftërat e zhvilluara në fund të shekullit XX përbëjnë me gjasë dhe me shpresë përplasjet e fundit mes popujve ballkanik. Këto ballafaqime dëshmuan gabimin e dukshëm të nacionalizmit irracional dhe nevojën për bashkëjetesë paqësore. Duke u nisur nga kjo lloj prapavije, ky shkrim tenton që të arsyetoj që popujt ballkanik, dhe veçanërisht shqiptarët e Kosovës dhe Serbia, kanë nevojë për një identitet të përbashkët evropian i cili edhe tejkalon kufijtë e nacionalizmit duke kaluar në një identitet mbikombëtar – pra evropian.

Fatmirësisht, ndonëse ende nuk mund të ketë hapësirë për vetëkënaqësi, raporti mes Kosovës dhe Serbisë është përmirësuar ndjeshëm duke kaluar fazën kritike të mospajtimeve të thella dhe në një farë mënyrë duke u pajtuar për nevojën e bashkëpunimit mes dy vendeve. Pavarësisht mospajtimeve të caktuara, të dy shtetet karakterizohen me nevojën për përmirësim të gjendjes së brendshme socio-ekonomike dhe atë për integrim evropian. Pra, Kosova dhe Serbia duhet të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive që sa më shumë të jetë e mundur t’i hedhin prapa mospajtimet dhe nacionalizmin irracional duke u fokusuar në nevojën e tanishme për integrim evropian i cili edhe do të sillte përfitime në aspekte të ndryshme. Në mënyrë praktike, të dy shtetet do të përfitonin nga kriteret të cilat ekzistojnë lidhur me përfshirjen në një strukturë si Bashkimi Evropian. Ndihmat e ndryshme që sillen nga Bashkimi Evropian për shtetet që aspirojnë t’i bashkohen një strukture të tillë dhe kushtet që ofrohen lidhur me harmonizimin e legjislacionit të shteteve përkatëse me atë të Bashkimit Evropian janë vetëm dobiprurëse për shtetet si Kosova e Serbia. Për më tepër, një fokus drejt Evropës përmirëson edhe imazhin e popujve si shtete proaktive të cilat tashmë kanë nisur përpjekjet reale për ndryshim.

Është mirë që të ndalemi edhe te përparësitë e një identiteti evropian. Një identitet evropian si një identitet mbikombëtar është e tashmja dhe e ardhmja e popujve evropian. Identitetit evropian historikisht i janë veshur atribute si identitet i kulturës, shkencës dhe progresit njerëzor në përgjithësi. Në këtë kontekst, popujt e Ballkanit vetëm se do të përfitonin nga pranimi i hapur i një identiteti të tillë i cili i tejkalon edhe kufijtë e kombit. Natyrisht, fokusi drejt një identiteti evropian nuk nënkupton tendencë për minimizimin e vlerave kombëtare të popujve ballkanik. Vlerat e çdo populli janë një thesar në vete dhe përbëjnë imazhin e atyre popujve. Sidoqoftë, një identitet evropian do të nënkuptonte një lëvizje jashtë kornizave të patriotizmit të fuqishëm ballkanik me idenë që të pajtohemi për një identitet më të fuqishëm dhe mbi të gjitha të përbashkët.

E kaluara e popujve të Ballkanit, ndonëse jo gjithmonë e përcjellë me tone të paqes dhe neutralitetit e duke qenë e ndikuar nga ambiciet nacionaliste dhe pushtuese të popujve ballkanik, është diçka e cila tashmë duhet lënë prapa. Nacionalizmi i popujve, që jo rallëherë ka qenë element i cili ka ngadalësuar përpjekjet për një frymë të përbashkët, është diçka që duhet t’i përkasë të kaluarës. Pra, popujt e Ballkanit kanë nevojë që të integrohen nën një ombrellë të një identiteti të përbashkët evropian. Një identitet evropian nuk nënkupton largim nga virtytet e secilit komb, por thjesht është një rrugë e re më ndryshe e mbi të gjitha më gjithëpërfshirëse për të gjithë.

comments

SHARE