Nevoja për vazhdim të qasjes konstruktive ndaj Serbisë

Kalimi nga situata e pasluftës në një situatë në të cilën shtetet kanë arritur një paqe dhe një situatë të atillë kur jemi në prag të një marrëveshjeje historike dëshmojnë që gjërat në një masë kanë evoluar për të mirë në raportin mes dy shteteve.

0
796

Derisa shteti i Kosovës është në prag të konstituimit të qeverisë së re të të përbërë nga koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, një pikë e veçantë në programin apo mënyrën e qeverisjes është edhe mënyra se si shteti i Kosovës do t’i qaset në parim shtetit të Serbisë. Lëvizja Vetëvendosje në veçanti është karakterizuar me një qëndrim i cili në vete ka ngërthyer tone të theksuara nacionaliste. Në këtë kontekst, pa marrë parasysh qasjet e reformuara në tema të ndryshme të qeverisë së re, raporti mes Kosovës dhe Serbisë duhet të udhëhiqet nga një qasje konstruktive dhe inkrementale duke mos rrezikuar atë që është arritur deri në këtë pikë.

Që nga periudha e pasluftës, duke u nisur nga shtetësia e Kosovës ose edhe pakoja e Ahtisaarit, si disa nga zhvillimet më të rëndësishme në raportin Kosovë-Serbi, mund të themi që është bërë një progres i pamohueshëm në këtë raport. Kalimi nga situata e pasluftës në një situatë në të cilën shtetet kanë arritur një paqe dhe një situatë të atillë kur jemi në prag të një marrëveshjeje historike dëshmojnë që gjërat në një masë kanë evoluar për të mirë në raportin mes dy shteteve. Ky progres ka bërë që të arrihet në një pikë ku ideja e njohjes së pavarësisë së shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë të shndërrohet në diçka që mbetet për t’u konsideruar pa marrë parasysh rezistencën e fuqishme të Serbisë në këtë drejtim. Pra, duke patur parasysh zhvillimet e deritanishme, qeveria Kurti duhet ta ndjekë linjën e një qëndrimi konstruktiv me shtetin serb duke reaguar në atë mënyrë ndaj zhvillimeve që të mos eklipsojë atë që është bërë deri në këtë pikë.

Po ashtu, të dy shtetet, ndonëse jo në stade të njëjta të zhvillimit ekonomik, politik dhe social, janë në prag të disa misioneve të ngjashme të cilat si emërues të përbashkët kanë integrimin euro-atlantik. Pra, raportet bilaterale mes dy shteteve duhet që gjithmonë të konsiderojnë edhe të ardhmen e dy vendeve. Në fakt, e ardhmja euro-atlantike e dy shteteve duket të jetë motivimi më i rëndësishëm për të dy shtetet duke patur parasysh edhe efektet që rrjedhin nga integrimet e tilla. Ngecjet e shteteve në procese të ndryshme zhvillimore, e veçanërisht në procesin për arritjen e një marrëveshjeje në dialogun e zhvilluar deri në këtë pikë, pritet të jenë të dëmshme. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që të dy shtetet të konsiderojnë edhe pasojat socio-ekonomike të cilat do t’i sillte mosintegrimi në këto struktura duke patur parasysh edhe fazën e tanishme të zhvillimit ekonomik të shteteve.

Së fundmi, edhe nga një perspektivë më “egoiste” e partive të cilat do të jenë bartëse të koalicionit në qeverinë e Republikës së Kosovës, veprimet e bëra në raport me Serbinë do të duhet t’i kontribuojnë edhe qëllimit të tyre për t’u rizgjedhur dhe për të vazhduar qeverisjen. Në këtë aspekt, është e rëndësishme që qeveria potenciale “Kurti” të vazhdojë të punojë në atë drejtim i cili siguron që shteti i Kosovës arrin kompromiset e nevojshme me shtetin serb në kuptimin që më pas të mos penalizohet shteti i Kosovës dhe qytetarët nga sanksionet që mund të vendosen nga faktori ndërkombëtar. Pra, veprimet e qeverisë Kurti në raport me shtetin serb do të duhet që gjithmonë të ndjekin një rrugë me qëllime afatgjate e cila më pas do t’i ndihmojë politikisht edhe partitë në koalicion.

Pra, përfundimisht mund të arrijmë në konkludimin që shteti i Kosovës do të duhet të vazhdojë të punojë në ruajtjen dhe zhvillimin e një qasjeje konstruktive në raport me shtetin serb. Kjo duhet bërë për shumë arsye por në mënyrë të veçantë duhet të kihet parasysh progresi i bërë deri më tani dhe interesat strategjike të dy shteteve. Ndonëse kjo nuk mund të konsiderohet si diçka e thjeshtë për t’u arritur, qeveria potenciale “Kurti” do të duhet të vijojë me vizion dhe punë që i shërbejnë Kosovës në një aspekt më afatgjatë.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.