Nga lufta te pajtimi

Zakonisht kur përmendet Ballkani, njerëzve në Perëndim nuk u vijnë shumë gjëra të mira ndërmend. Një rajon i cili gjatë viteve është copëtuar nga luftrat dhe konfliktet dhe ende vazhdon të kalojë nëpër një proces të dhimbshëm tranzicioni.

0
1244

Zakonisht kur përmendet Ballkani, njerëzve në Perëndim nuk u vijnë shumë gjëra të mira ndërmend. Një rajon i cili gjatë viteve është copëtuar nga luftrat dhe konfliktet dhe ende vazhdon të kalojë nëpër një proces të dhimbshëm tranzicioni.

Atmosfera aktuale më sa duket është ende delikate dhe shpesh acarohet nga grupe të ndryshme nacionaliste të cilat kanë tendenca që të ndikojnë në politikat e nivelit shtetëror. Atëherë çfarë duhet të bëjnë vendet e Ballkanit, e në veçanti vendet e ish-Jugosllavisë, që të kenë marrëdhënie më të mira mes vete? Dhe çka është më me rëndësi, si mund të rinjtë të krijojnë një lëvizje për ndryshim e cila në fund do të rezultojë me pajtim.

Unë jam lindur në Kosovë dhe kam jetuar këtu pjesën më të madhe të jetës sime. Nuk ishte e lehtë të përjetosh luftën dhe t’i shohësh të gjithë të frikësuar, ta shohësh shkollën tënde teksa shndërrohet në një bazë ushtarake, e që më vonë do të përdorej për të torturuar të burgosurë që i përkisnin të njejtës kombësi sikurse unë. Ishte ndjenjë e quditshmë të kthehesh përsëri në atë shkolle pas luftës! Më vonë e pata kuptuar se edhe shumë shkolla të tjera ishin përdorur për qëllime të ngjashme. Por erdhi një ditë e re dhe ne duhej të shikonim përpara. Megjithatë, të shikosh përpara nuk do të thotë të harrosh atë çfarë ka ndodhur; në vend të kësaj ne filluam të ndërtojmë një vend ku secili mund të jetoj në paqë pa marrë parasysh kombësinë e tyre.

Për mua si student, përvoja ime e parë jashtë shtetit ishte, siç e prisja, mjaft e ndryshme dhe në disa momente edhe shokuese. Si student i programit të shkëmbimit në Shtetet e Bashkuara për më shumë se një vit, unë kam mësuar shumë gjëra. Shtetet e Bashkuara jane një shembull i mirë se si funksionon ideja “melting pot”. Sigurisht që nuk është shoqëri utopike, por prapë është diçka që vendet e Ballkanit Perendimorë duhet të fillojnë të implementojnë. Qytetarët e cilit do shtet, pa marrë parasysh kombësinë e tyre, duhet të trajtohen si të barabartë dhe me respekt, diçka që, unë mendoj se na mungon në shtetet tona, Kosovë dhe Serbi. Për më shumë, pakicat shpesh konsiderohen si armiq, ose qytetarë të dorës së dytë që nuk meritojnë trajtim të barabartë, dhe që nuk kanë vendin në të njejtën shoqëri si shumica. Arsyet për diskriminime të tilla mund të jenë të ndryshme.

Mungesa e drejtësisë së mirëfilltë dhe të menjëhershme, si dhe mungesa e kompenzimit, vetëm sa e rëndon situatën, duke e bërë procesin e pajtimit më të vështirë. Si rezultat, shumë nga viktimat angazhohen në grupe të ndryshme nacionaliste ose politike që e ushqejnë ideologjikisht urinë e tyre për “hakmarrje”. Një arsye tjetër përse procesi i pajtimit është duke shkuar shumë ngadalë është përdorimi teksteve të vjetra të historisë që pretendojnë se pala tjetër është përgjegjëse absolute për krimet që kanë ndodhur. Shumë shpesh librat e historisë përmbajnë informacione qe nuk janë të vërteta ose relevante për situatën, vetëm për të krijuar një propagandë më të fuqishme kundër palës tjetër. Sipas profesoreshës Dubravka Stojanovic, ligjëruese në Universitetin e Beogradit, Fakulteti i Filozofisë, disa libra të historisë për të kaluarën e disa shteteve të ish-Jugosllavisë janë manipuluar për të fituar simpati në vendet ku janë botuar.

Megjithatë, duke pasur parasysh resurset që sot jane në dispozicion për të rinjtë, është shumë më e lehtë t’i edukosh ata në mënyrë që të mos ketë perceptime të tilla si të librave të vjetër të historisë për popujt tjerë.

Pjesëmarrja ime në Konferencën e Ambasadorëve të Rinj të Pajtimit, në Beograd, më dha mundësinë që të shoh Serbinë nga një perspektivë tjetër. Nga perspektiva e njerëzve të rinj, të cilët, edhepse të rritur në një ambient politikisht shumë radikal, kishin të njejtat ëndrra sikurse unë, ëndrrën për prosperitet, integrim ndërkombëtar, edukim më cilësor dhe standarde më të larta sociale. Për këtë arsye, unë besoj se të rinjtë duhet të përdoren si mjet që do të sjellin ndryshim në rajon. Shkëmbimet akademike, trajnimet dhe konferencat e përbashkëta, edhe pse jo shumë të zakonshme, duhet të inkurajohen sa ma shumë që është e mundur, në mënyrë që njerëzit nga të dyja anët, Kosova dhe Serbia, të shtyhen të kontribojnë në përpjekjet për të krijuar një shoqëri më të mirë për të gjithë. Sikurse Bashkimi Europian që është formuar pas disa prej luftrave më të përgjakshme në histori, Ballkani Perëndimor mund ta përdorë të njejtën strategji për bashkëpunim dhe lidhje ekonomike në të ardhmen dhe përfundimisht të mbyllin kapitullin e shekullit të 20.

Shumë shpesh, kur ndodh ndonjë incident ndëretnik, njerëzit kanë tedencë të thonë se është shkaktuar nga “disa huliganë dhe kjo nuk e përfaqëson shumicën”. Por, çfarë bënë ata për ta ndaluar këtë? Ose të paktën, nëse incidenti nuk i përfaqëson ata, a kanë provuar ata që t’i ndihmojnë të sulmuarit pas ngjarjes? Është me rëndësi thelbësore t’u kujtohet njerëzve se ata e kanë fuqinë, dhe se veprimi i tyre, ose mungesa e veprimit, mund të përbëjë një ndryshim të madh. Momenti i duhur mund të mos vijë kurrë, derisa ta krijojmë vetë, dhe nganjëherë dështimi për të vepruar për të drejtat e të tjerëve mund të çojë deri te ajo që të mos mbetet askush që të veprojë për të drejtat tua, siç e thotë Martin Niemoller:

“Në fillim ata erdhën për socialistët, dhe unë nuk e ngrita zërin –
Sepse unë nuk isha socialist.
Ata erdhën për sindikalistët dhe unë nuk e ngrita zërin
Sepse unë nuk isha sindikalist
Pastaj ata erdhën për hebrenjtë dhe unë nuk e ngrita zërin
Sepse nuk isha hebre
Pastaj ata erdhën për mua – dhe nuk kishte mbetur më askush që të ngriste zërin për mua”

Problemi që kemi nuk është thjesht politik. Ka shumë çështje dhe barriera sociale që ne duhet t’i tejkalojmë në mënyrë që ta kuptojmë njëri tjetrin më mirë. Kujtesa është thelbësore që historia të mos përsëritet, por ne nuk duhet të lejojmë që historia jonë të bëhet e ardhmja jonë dhe të jetojmë me ëndrrat e të kaluarës.