Nivel më i lartë i zgjedhjeve 

Institucionet e Kosovës kanë vazhduar të shkëlqejnë në këtë proces tremujor paszgjedhor dhe të na lënë pa frymë. Për të parën herë në historinë më të re në një proces zgjedhor kemi mundësinë e zgjedhjeve pas zgjedhjeve. Mund të zgjedhni nëse do t’i pranoni disa vota ose jo.

0
55

A ju kujtohen zgjedhjet që u mbajtën më 6 tetor? Po bëj shaka, natyrisht se ju kujtohen. E di që keni dëgjuar tepër për zgjedhje gjatë këtyre tre muajve, por ja, po ju premtoj që ky është teksti i fundit në të cilin do t’i përmend zgjedhjet (bile këto të fundit).

Në ditën e zgjedhjeve, pra më 6 tetor të këtij viti, pas mbylljes së vendvotimeve mund të dëgjohej se si Kosova mbajti një leksion demokracie, se si është bile një hap përpara të gjithëve në regjion sa i përket rregullshmërisë së vetë procesit të zgjedhjeve, por edhe se si kjo është një shoqëri demokratike ku pushteti mund të ndërrohet me rrugë paqësore, përmes zgjedhjeve. Dhe me të vërtetë, të gjitha këto ishin ashtu atë 6 tetor. Edhe mua më shkoi mendja se sa larg është Serbia nga ndërrimi normal i pushtetit, në zgjedhje normale. Mund të thuhet që Kosova vendosi një standard të ri të demokracisë për të gjithë të tjerët në regjion. Një nivel më të lartë të zgjedhjeve. 

Niveli më i lartë i zgjedhjeve mund të shihet në atë se Kosova ka një skenë goxha të llojllojshme politike, ku secili me të vërtetë i përfaqëson idetë e veta për të cilat edhe i fiton votat. Mirë, bile ata në opozitë i përfaqësojnë idetë e veta, kurse partitë në pushtet askund në regjion nuk i fitojnë zgjedhjet me ide, e as Kosova nuk është përjashtim në këtë. Reflektohet edhe në faktin se opozita fitoi pavarësisht se i vetmi atu i saj në zgjedhje ishin, imagjinoni, idetë. 

Po ashtu, kur një parti e pakicës arrin të fitojë mbi 96% të votave të komunitetit të vet (e që nuk ka qenë e vetmja që ka marrë pjesë në zgjedhje), e këto zgjedhje shpallen të tilla që i plotësojnë kushtet dhe demokratike nga ana e vëzhguesve, kjo është për t’u marrë si shembull. Siç është për t’u marrë si shembull edhe përgatitja e njerëzve që i numërojnë votat që vinin nga ai komunitet pakicë. Këtë definitivisht nuk e keni parë askund në botë. Ja pra, në atë segment Kosova është prijatare, jo në regjion por në botë, kur bëhet fjalë për zgjedhjet. 

Institucionet e Kosovës kanë vazhduar të shkëlqejnë në këtë proces tremujor paszgjedhor dhe të na lënë pa frymë. Për të parën herë në historinë më të re në një proces zgjedhor kemi mundësinë e zgjedhjeve pas zgjedhjeve. Mund të zgjedhni nëse do t’i pranoni disa vota ose jo. Edhe pse procesi zgjedhor u vlerësua si i rregullt, mund të zgjedhni nëse votat e njërit komunitet do t’i konsideroni të parregullta, e që ato të mos ndikojnë në rregullshmërinë e tërë procesit. Logjike, apo jo? Nuk ka lidhje që kjo në mënyrë të rëndësishme ndryshon strukturën e parlamentit dhe kombinimet për përbërjen e qeverisë, nuk ka lidhje që kjo ndikon në vullnetin e votuesve të shprehur qartë, ky është megjithatë një proces i avancuar. Zgjedhje pas zgjedhjeve. 

Po ashtu, mund të zgjedhësh nëse dëshiron të hysh në Parlament në qoftë se të mungon më pak se 1% për këtë. Paj, nuk do të bëhemi cikërrimtarë tash. Lërini njerëzit të zgjedhin. E çka mendoni se kanë zgjedhur?   

Në çdo rast, ishte ky një proces si shembull për të gjithë në regjion, e edhe në botë. E meqenëse ky është nivel më i lartë i zgjedhjeve, ja, po ua lë mundësinë të zgjedhni: shembull pozitiv apo negativ. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE