Një botë më e mirë

Disi nuk mund të mos e pyes veten nëse njerëzit, nga të dyja anët, mendojnë ndonjëherë për fqinjët nga ajo bota më e mirë? A pyesin ndonjëherë se çka ka ndodhur me njerëzit me të cilët e kanë ndarë jetën para se të fillonte lufta, para se t’i lëshonim udhë ndarjeve?

0
220

Na ishte njëherë një bend mitrovicas. Dhe atë jo çfarëdo bendi. Na ishte njëherë një Big Band. Kur jeni pjesë e gjeneratës së cilës nuk i kujtohet ai bend i madh, secila informatë më shumë për të bëhet e dobishme dhe mbi të gjitha interesante. Të gjitha ato që i kam dëgjuar deri tani për këtë ishin se ka ekzistuar dhe se me të vërtetë ishte një art i rrallë. Por, falë filmit dokumentar „Big Band të autores Sanja Sovrlić, më në fund, patëm shansin që të mësojmë diçka më shumë për muzikën e cila dikur ka qenë asociacioni kryesor për Mitrovicën.

Kur e shikoni ndonjë film, e në veçanti ndonjë film dokumentar, ju merrni një mori informata për subjektin e atij filmi. Por ky film është diçka krejtësisht ndryshe. Nuk është ky vetëm rrëfim për muzikën, krijimin, xhazin. Ky është rrëfim për diçka shumë më të madhe. Ky është një rrëfim për Mitrovicën e bashkuar. Ky është, para së gjithash, rrëfim për një botë më të mirë. Për një jetë më të mirë. 

Big Band, gjatë kohës sa ka ekzistuar, ishte bend që mblodhi muzikantë pamvarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Askush nuk donte t’ia dinte a jeni shqiptar, serb, boshnjak, turk… Me rëndësi të dini të bëni muzikë. Apo që të dëshironi të bëni muzikë. Të udhëhequr nga Petar Rakić, njerëzit bashkoheshin nën ndikimin e gjuhës univerzale të muzikës. Nuk ka pasur ndarje, nuk ka qenë me rëndësi se cilit nacionalitet i përkisnit. „Ne nuk e kemi pasur këtë barierë“ thotë njëri nga muzikantët gjatë një interviste në këtë film.   

Sot, kur shohim rreth nesh, por edhe e shikojmë këtë film, pak tjetër mbetet veçse të pyesim veten ku u zhduk ajo botë, ajo Mitrovicë, ata njerëz? A ia doli diçka nga kjo të mbijetojë luftën? Që t’i shpëtojë urrejtjes nga duart? Është vështirë të jesh optimist për këtë çështje kur kuptojmë se njerëzit në hapësirën e Kosovës jetojnë më të ndarë ndoshta se kurrnjëherë më parë. Tmerrësisht të tjetërsuar, që kaherë e kanë harruar empatinë. 

Disi nuk mund të mos e pyes veten nëse njerëzit, nga të dyja anët, mendojnë ndonjëherë për fqinjët nga ajo bota më e mirë? A pyesin ndonjëherë se çka ka ndodhur me njerëzit me të cilët e kanë ndarë jetën para se të fillonte lufta, para se t’i lëshonim udhë ndarjeve? Nga ana tjetër, kur e shikoni një film si ky, nuk mund t’i ikni pyetjes se si është e mundur sot që njerëzit që funksionojnë dhe bashkëpunojnë me njerëzit nga ana „tjetër“ kryesisht shpallen tradhtarë? A na mori lufta aq shumë sa që kemi harruar se si ka qenë më parë? Kjo është e mundur, për fat të keq, krejtësisht e mundur.

Personalisht jam ndierë tejet nostalgjike duke e shikuar këtë film. Nuk e di me të vërtetë se si është e mundur një gjë e tillë, duke pasur parasysh faktin se gjatë kohës së ekzistencës së këtij bendi as që kam qenë e lindur. Si duket është nostalgji për diçka që dikush i moshës sime në Kosovë as që e ka ndierë ndonjëherë. E ajo është bukuria e jetës së përbashkët, respektimi i të tjerëve për atë që janë ata, e jo paragjykime të krijuara ekskluzivisht në bazë të përkatësisë nacionale. Nostalgji për, sipas të gjitha gjasave, një jetë më të bukur. Nostalgji për kohëra kur nuk kemi pasur nevojë për askënd, siç janë përfaqësuesit e sotëm të bashkësisë ndërkombëtare, në mënyrë që të funksionojmë dhe punojmë së bashku. Nostalgji për atë që na e mori lufta. Dhe që ende nuk na është kthyer mbrapa. 

Edhe pse e vetëdijshme që të gjithë neve së bashku, në veçanti serbëve dhe shqiptarëve, do të na duhet kohë që përsëri të formojmë një „Big Band“ të ri dhe që të mos ia dijmë për përkatësinë nacionale, po e shkruaj këtë tekst për një arsye: shpresoj që dikush do të dëshirojë ta shohë filmin dhe të kuptojë se si e tërë kjo mundet të jetë ndryshe. Se mundemi së bashku dhe me rrugë paqësore. Se mundemi shumë, vetëm nëse nuk vazhdojmë të jetojmë në paragjykimet tona që më parë nuk kanë ekzistuar. Këtu para së gjithash mendoj në gjeneratat më të reja. Duhet shumë dhe mund të punojmë shumë nëse duam që ndonjëherë të jetojmë një jetë normale dhe pa ndarje. Që t’i thyejmë paragjykimet, të mos heqim dorë. Që së bashku të shpresojmë për një jetë më të mirë. Të bashkuar. Një jetë siç ishte ajo gjatë kohës së „Big Band-it“.

comments

SHARE