Një e shtënë mbi lirinë

Është e kotë marrëveshja e nënshkruar në Uashington nëse në Kosovë nuk mund të shmangen incidentet sikur ai i para disa ditëve në Bërnicën e Poshtme të Prishtinës. Marrëveshja është mbase një garancë e ndonjë përparimi, por çfarë e garanton mbijetesën dhe qëndrimin e serbëve nëse ngjarje të tilla vazhdojnë të ndodhin në Kosovë? Thirrjet drejtuar Policisë së Kosovës, KFOR-it, EULEX-it dhe të gjitha institucioneve kompetente në Kosovë që t’i qasen këtij problemi në mënyrë më serioze duhet të jenë të pandërprera.

0
79

Ngjarja që ndodhi në Kosovë, në fshatin Bërnicë e Poshtme është diçka më shumë se një frikësim i fëmijëve serbë, mirëpo është një ngjarje që nuk do të ndryshojë asgjë. Ky është vetëm edhe një incident në vargun e incidenteve. Duket që lufta tek disa grupacione apo individë ende nuk ka përfunduar. Është e qartë se mbjellja e frikës për dikë është hobi. Ky hobi rrallëherë dënohet këtu, mbase kështu duhet. Përveç serbëve, viktima nganjëherë janë edhe shqiptarët dhe të tjerët, të padëgjueshmit. Me të vërtetë jam i revoltuar pas incidentit të përmendur më lartë, ato duhet të ndalen një herë e përgjithmonë.  

Rasti i frikësimit në Bërnicën e Poshtme është tregues se disa individë nuk kanë frikë prej policisë, nga privimi nga liria. Këtë mbase ua ka mundësuar pushteti, sepse të rralla janë rastet kur incidentet e pasluftës janë sjellë para drejtësisë.  

Kujt i kanë faj fëmijët që rrinin para shkollës? Çka saktësisht ndodhi atë ditë? Kujt po i pengojnë ata? Kush janë këta njerëz që frikësojnë fëmijët? A duhet shoqëria jonë të pajtohet me faktin se kriminelë shëtiten lirisht pranë nesh? A do të ndalet dhuna ndaj popullatës serbe në Kosovë? Këto përgjigjje duhet kërkuar tek kryeministri, Avdullah Hoti, dhe presidenti, Hashim Thaçi. Mbase të gjithë banorët e Kosovës duhet të kenë lirinë dhe të drejtën për jetë. Mbase dhuna të cilën e pëson një pjesë e popullatës duhet të ndalet.  

Kosova, qoftë shtet a jo, assesi nuk duhet të lejojë që individë apo grupe kriminale të shkatërrojnë dhe shkretojnë, të plaçkisin, të rrënojnë përmendore, frikësojnë, rrahin, kërcënojnë e madje edhe vrasin. Secili shtet sadopak serioz nuk do të toleronte një sjellje të tillë të individëve dhe grupeve të organizuara. Kosova nuk po e dëshmon këtë, nuk po tregohet as vullnet që diçka e tillë të parandalohet. Duket që pushteti në Prishtinë edhe nuk e ka situatën nën kontroll. Policia ka pas vetes një performancë deri diku, por më duket se situata është ndryshe kur viktima janë serbë. Thjesht, institucionet si prokuroria dhe policia dështojnë, por edhe kur e bëjnë ndonjë arritje atëherë dështon gjyqësori. I njëjti gjyqësor ka hasur në kritika edhe nga ana e shqiptarëve të Kosovës.  

Dihet në përgjithësi që shumë vende kanë probleme me krimin, terrorizmin, me vrasje, por ato tregojnë vendosmëri për t’i dalë në rrugë këtij problemi. Disa kriminelë përfundojnë pas grilave, disa thjesht ndalen nën peshën e presionit, efektet e policisë dhe prokurorisë ndihen mbi kriminelët, por duket se në Kosovë nuk është kështu. Këtë e tregon edhe hulumtimi të cilin, edhe pse kohë më parë, e ka kryer organizata joqeveritare e Kosovës FIQ e që thotë se Policisë së Kosovës i besojnë vetëm 5.1 përqind e serbëve. Kjo përqindje nuk është për t’u habitur sepse shumë raste të pazgjidhura qëndrojnë pas këtij institucioni kosovar. Për fat të keq, këtë më së miri e dinë familjarët e viktimave të autobusit të Nish-Ekspresit në shpërthimin te Podujeva, familjarët e korrtarëve nga Gracka e Vjetër, prindërit e fëmijëve të vrarë në Gorazhdec, të gjithë ata që tashmë dy dekada i gjejnë varrezat e rrënuara të të afërmve të tyre kur i vizitojnë të vdekurit për përshpirtje. Të gjitha këto dhe shumë tragjedi të tjera të serbëve të Kosovës kanë mbetur të pazgjidhura deri më sot, kanë kaluar vite kurse vrasësit dhe shkatërruesit vazhdojnë të jenë të lirë. Për shkak të këtyre dhe rasteve të ngjashme nuk ka ekzistuar besimi në policinë se do ta arrestojnë personin që qëlloi, pro kësaj here nuk ndodhi kështu. Shqiptari i dyshuar është privuar nga liria.  

Ajo që është paradoksale është se Kosova synon shtetësinë, kurse pushteti nuk mund apo nuk dëshiron që të luftojë një formë të anarkisë, e cila më duhet të pranoj se është më shumë e pranishme në veri se sa në pjesën tjetër të Kosovës. Është koha e fundit që autorët të sillen para drejtësisë, jo vetëm në rastin e Bërnicës së Poshtme, por edhe për rastet e tjera, pavarësisht nëse viktima është shqiptar, serb apo pjesëtar i ndonjë komuniteti tjetër.  

Është e kotë marrëveshja e nënshkruar në Uashington nëse në Kosovë nuk mund të shmangen incidentet sikur ai i para disa ditëve në Bërnicën e Poshtme të Prishtinës. Marrëveshja është mbase një garancë e ndonjë përparimi, por çfarë e garanton mbijetesën dhe qëndrimin e serbëve nëse ngjarje të tilla vazhdojnë të ndodhin në Kosovë? Thirrjet drejtuar Policisë së Kosovës, KFOR-it, EULEX-it dhe të gjitha institucioneve kompetente në Kosovë që t’i qasen këtij problemi në mënyrë më serioze duhet të jenë të pandërprera. Një zgjidhje kompromisi është më se e nevojshme edhe për shqiptarët edhe për serbët, besoj që bashkëjetesa midis këtyre dy popujve në Kosovë është e mundur.  

Derisa të mos gjendet zgjidhja e këtij problemi, më së miri është që të ketë më shumë pjesëtarë të policisë apo ushtrisë në mjediset multietnike, si edhe pranë manastireve, sepse nuk dihet kur ndonjë koke të nxehur do t’i shfaqet nevoja që për shkak të nxitjejeve apo motiveve personale të shkatërrojë jetën e dikujt. Mbase një ekonomi më e mirë që po “arrin” nga perëndimi do të ndikojë në të kuptuarit më të arsyeshëm të jetës tek disa individë të caktuar. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës

SHARE