Një interpretim i Marrëveshjes së Uashingtonit

Marrëveshja e arritur në SHBA mes Kosovës dhe Serbisë është parë nga këndvështrime të ndryshme dhe gjykime të ndryshme janë arritur. Sidoqoftë, mund të konsiderojmë që si dokument i cili formalisht rregullon një pjesë të raportit mes shteteve duhet parë si diçka pozitive. Përfundimisht, ndonëse ky dokument mund të mos jetë ideal dhe konform pritjeve të Kosovës dhe Serbisë, të paktën është një arritje mes dy palëve të cilat kanë dëshmuar shumë skepticizëm për të arritur pajtueshmëri.

0
76

Kosova dhe Serbia së fundi nënshkruan një marrëveshje e cila natyrisht ishte subjekt i një diskutimi të gjerë. Natyrisht, në mënyrë të pashmangshme u diskutua mbi përmbajtjen e marrëveshjes dhe për faktin nëse kjo marrëveshje ishte e favorshme për të dyja shtetet, për njërin specifikisht apo edhe nëse do të mund të konsiderohej në një formë si neutrale. Është vështirë që të jemi plotësisht objektiv se cila palë ishte fituese sa i përket marrëveshjes, por, duke konsideruar disa faktorë të cilët do të trajtohen në këtë shkrim, mund të vlerësojmë se marrëveshja e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë mund të perceptohet si përgjithësisht e favorshme për të dyja palët. Pra, me marrëveshjen e Uashingtonit në një mënyrë të dyja shtetet, Kosova dhe Serbia, kanë bërë progres.

Fillimisht, duhet patur parasysh që marrëveshja e arritur në Uashington shërben të paktën si një hap – paksa i vonuar por, megjithatë, konkret – drejt arritjes së normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke thyer edhe status quo-në e deritanishme mes dy shteteve. Duhet theksuar që marrëveshja e arritur më 4 shtator, e cila supozohet të nënkuptojë një lloj bashkëpunimi ekonomik mes dy shteteve, përbën më në fund një arritje të dokumentuar mes dy shteteve për të cilat mund të thuhet se nuk kanë bërë progres evident sa i përket procesit të dialogut të udhëhequr nga pala evropiane. Ndonëse bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian janë rikthyer tashmë në një formë më të rregult, nuk mund të themi që janë materializuar në ndonjë formë. Në këtë drejtim, marrëveshja e dirigjuar nga Presidenti Trump të paktën sjellë një kornizë për afrim dhe bashkëpunim mes dy palëve.

Marrëveshja mes Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, mund të konsiderohet e vlefshme edhe sa i përket dizajnimit të mënyrës se si Kosova dhe Serbia do të veprojnë si dy entitete të cilat në një formë fillojnë ta kenë parasysh aspektin e sovranitetit të njëra-tjetrës. Është e vërtetë që shteti i Serbisë është shprehur kategorikisht që nuk do të bëjë njohjen formale të shtetit të Kosovës, por, megjithatë, marrëveshja e nënshkruar në Uashington mes dy shteteve që i obligon ato të veprojnë në mënyrë konstruktive sa i përket 15 pikave të caktuara (pika e 16-të e marrëveshjes flet për njohjen e ndërsjellë mes Izraelit dhe Kosovës) shërben si një lloj indikatori se të dy shtetet duhet të fillojnë ta pranojnë idenë e veprimit të tyre si entitete sovrane. Natyrisht, në mënyrë direkte ose indirekte, ky lloj bashkëpunimi në një formë vendosë edhe bazën për njohje formale të dy shteteve.

Aspekti i tretë i rëndësishëm i Marrëveshjes së Uashingtonit është se duke qenë se të dyja palët kanë nënshkruar këtë marrëveshje në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund të arrihet te konkludimi që një marrëveshje e tillë është edhe një hap jo vetëm konkret por edhe krucial në afirmimin e tendencës së Kosovës dhe Serbisë për një orientim të qartë perëndimor. Ndonëse dialogu i udhëhequr nga Bashkimi Evropian është karakterizuar me një retorikë të theksuar sa i përket orientimit perëndimor të të dy shteteve, nuk ka patur ndonjë arritje të dukshme. Për më tepër, në kuadër të marrëveshjes, të dy shteteve u është premtuar mbështetje ekonomike nga ana e SHBA-së. Si e tillë marrëveshja natyrisht që fuqizon ndikimin politik të SHBA-së por që njëkohësisht është edhe një asistencë reale për progres ekonomik të të dy shteteve në të ardhmen. Pra, marrëveshja jo vetëm që formalizon orientimin perëndimor të dy shteteve por edhe materializon ndikimin perëndimor për Kosovën dhe Serbinë përmes nxitjeve ekonomike.

Marrëveshja e arritur në SHBA mes Kosovës dhe Serbisë është parë nga këndvështrime të ndryshme dhe gjykime të ndryshme janë arritur. Sidoqoftë, mund të konsiderojmë që si dokument i cili formalisht rregullon një pjesë të raportit mes shteteve duhet parë si diçka pozitive. Përfundimisht, ndonëse ky dokument mund të mos jetë ideal dhe konform pritjeve të Kosovës dhe Serbisë, të paktën është një arritje mes dy palëve të cilat kanë dëshmuar shumë skepticizëm për të arritur pajtueshmëri.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës

SHARE