Një komunë e re për zhvillim?

Në vend që institucionet e Kosovës të përqëndrohen në riaranzhimin e komunave në dobi të zhvillimit, po mëtohet që të promovohen politika të cilat mund ta dëmtojnë harmoninë në mes të bashkësive të ndryshme etnike në Kosovë duke i ndarë ato administrativisht.

0
1102

Në vend që institucionet e Kosovës të përqëndrohen në riaranzhimin e komunave në dobi të zhvillimit, po mëtohet që të promovohen politika të cilat mund ta dëmtojnë harmoninë në mes të bashkësive të ndryshme etnike në Kosovë duke i ndarë ato administrativisht.

Kam patur rastin të angazhohen në një projekt fokusi i të cilit ka qenë të hulumtoja se në çfarë mase ishin zbatuar ligjet rreth promovimit dhe respektimit të të drejtave të bashkësive etnike minoritare. Përpos kësaj, hulumtimi kishte për qëllim të vinte në pah mundësitë/kufizimet sa i përket mirëqenies dhe sigurisë së qytetarëve. Si pjesë e hulumtimit kishim marrë për mostër disa komuna të vogla të mbizotëruara nga bashkësitë etnike pakicë apo shumicë. Për shkak të mundësive të vogla që mund të ofronte një komunë e caktuar rreth, ta zëmë, punësimit, administrata komunale përbënte një ndër sektorët më të mëdhenj të saj. Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të këtyre komunave, të vogla, ishte e destinuar në rroga dhe mëditje.

Kjo më bëri të kuptoj më shumë rreth shqyrtimit të mundësisë për të shkurtuar shpenzimet përmes fuzionimit të administratave të të gjitha komunave të një rajoni të caktuar, në njërën anë, dhe rritjen e përqindjes për mjetet financiare me qëllime kapitale, në anën tjetër.

Sidoqoftë, fillova të kem pakrahasimisht më shumë argumente se riorganizmi i komunave është i domosdoshëm. Duke qenë se fjala “komunë” nënkupton “ҫfardo bashkësie që është e organizuar për të mbrojtur dhe promovuar interesat lokale, dhe i subordinohet qeverisë qendore”, ndërsa si njësi themelore, sipas Ligjit për vetëqeverisjen lokale të Republikës së Kosovës, ajo sjellë “vendimmarrjen më afër qytetarëve për të promovuar qeverisje të mirë dhe kushte të jetesës për të gjithë qytetarët”, komuna, pra, me fjalë të tjera, ekziston për qëllime të rritjes dhe ruajtjes së mirëqenies sociale të një bashkësie të caktuar.

Fill pas zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaҫi, kuorumi i nevojshëm për votimin e të cilit u mundësua nga deputetët e Listës Srpska, në media u hodhën dyshime se kjo është arritur si rezultat i premtimit të dhënë për themelimin e një komune të re që do të përbëhej nga disa fshatra aktualisht në komunën e Vushtrrisë dhe të Obiliqit. Lideri i Listës Serbe, Slavko Simić, u citua në media të ketë thënë se “do të insistojmë ditëve në vijim që të iniciohet projekti pilot për formimin e komunës së Prilluzhës, që komuna të ketë organet e veta ekzekutive, që të ketë Policinë e vet dhe të ketë përfaqësuesit e vet në organet ekzekutive”. Si e tillë komuna e re do të bëhej pjesë e Asociacionit aq shumë të kontestuar të Komunave me shumicë serbe për themelimin e të cilit është arritur marrëveshje në bisedimet në Bruksel.

Nga ana e saj, Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Kryeministri, Isa Mustafa, reagoi duke potencuar qëndrimin e tij, në një njoftim në profilin e tij në Facebook, që “askush nuk është duke biseduar dhe në asnjë procedurë nuk është themelimi i Komunës së Prilluzhës, siҫ po trumbetohet në disa media dhe nga disa idividë. Ne kemi nevojë të ndërtojmë dhe zhvillojmë këtë shtet, e jo që ҫdo ditë të sajojmë nga një rast të ri për të shqetësuar qytetarët dhe për ta destabilizuar vendin.”

Ideja për krijimin e Komunës së Prilluzhës ka bërë jehonë të madhe edhe tek banorët e fshatrave të banuara kryesisht me shqiptarë si dhe tek kryetarët e komunave të Vushtrrisë dhe Obiliqit, ku gjendet tanimë territori që do të përbënte këtë komunë. Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku reagoi duke theksuar që “kjo ide nuk do të realizohet, pavarësisht asaj se nga kush ka ardhur. Dihet që kjo është ide e motivuar nga politika dhe për interesa të Serbisë. Në ato katër fshatra që përmenden për t’u përfshirë në Komunën e Prilluzhës: Babimoc, Gllavotin, e Gracë ka edhe shqiptarë, të cilët nuk do të pranojnë kurrë që të jenë pjesë e një komune tjetër dhe të ndahen nga komuna e vet. Nëse unë pyetem dhe nëse pyeten qytetarët e Vushtrrisë, komunë tjetër me shumicë serbe në territorin e komunës së Vushtrrisë nuk do të ketë.”

Në vend që institucionet e Kosovës të përqëndrohen në riaranzhimin e komunave në dobi të zhvillimit, siç e përmenda më lartë, po mëtohet që të promovohen politika të cilat mund ta dëmtojnë harmoninë në mes të bashkësive të ndryshme etnike në Kosovë duke i ndarë ato administrativisht.

Sipas legjislacionit në fuqi, përkatësisht Ligjit për Kufijtë Administrativ të Komunave, themelimi i komunave te reja “bëhet me plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji” (Neni 9.1) ndërsa “ndryshimi i kufijve administrativ të komunës nuk mund të bëhet para konsultimit me qytetarët në komunat ose pjesët e komunave të prekura nga ndryshimi” (Neni 9.2). Ligji poashtu parasheh që të analizohen “efektet e ndryshimit në aspekt të qëndrueshmërisë ekonomike të komunës”, mënyrat e konsultimit me banorët – rezultatin pro dhe kundër nga diskutimi me qytetarë, e një varg kushtesh të tjera.

Një studim i kryer kohë më parë nga Instituti GAP thoshte se “nuk ekziston bazë e mjaftueshme ligjore për krijimin e komunave të reja” dhe i rekomandonte qeverisë se “nuk duhet të marrë vendim për krijimin e komunave të reja në rast se nuk ekziston një studim i fizibilitetit për çdo komunë të re potenciale”. Sipas analizës së GAP-it, “krijimi i komunave të reja do të ndikojë në uljen e buxhetit të përgjithshëm të të gjitha komunave të Kosovës, por më së shumti të atyre komunave nga territori i së cilës pritet krijimi i komunës së re”.

Sido që të jetë, tentimi për të shmangur idenë e zhvillimit duke mundësuar kështu edhe rritjen e sigurisë për të gjitha bashkësitë etnike pa dallim, në dobi të një ideje, siç e thotë zoti Mulaku, të “motivuar nga politika” nuk përbën element i cili mëton t’i forcoj vlerat univerzale të inkorporuara në politikat që përputhen me interesat e BE-së. Për më shumë, edhe në Planin e Ahtisaarit, mbi të cilin është hartuar dhe miratuar Kushtetuta e Kosovës, nuk obligohet apo sanksionohet ligjërisht themelimi i Komunës së Prilluzhës. Dhjetë komunat me shumicë serbe që funksionojnë aktualisht kanë qenë pjesë e planit të Ahtisaarit si dhe Ligjit për Kufijtë Administrativ të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës si pjesë e paketës së ligjeve që institucionet e Republikës së Kosovës kanë marrë kundrruall obligimeve për shpalljen e pavarësisë.