Një muaj më vonë

New Perspektiva ekziston tanimë qe një muaj. Bashkëbisedimet e para kane filluar si në uebsajt ashtu edhe në një Salon të së martes, që të mos përmend diskutime tjera të ndërlidhura.

0
1081

New Perspektiva ekziston tanimë qe një muaj. Bashkëbisedimet e para kane filluar si në uebsajt ashtu edhe në një Salon të së martes, që të mos përmend diskutime tjera të ndërlidhura.

Çka na tregon muaji i parë?

Blogerët tanë kanë shkruar për lirinë e lëvizjes (ose mungesën e saj), të drejtën e kthimit, dështimin e BE-së për të shfrytëzuar në mënyrë më efektive rastin e negociatave për normalizim, për shpresën se në situatën pas konflikti do të ecim përpara ndërsa njerëzit nxjerrin mësime nga gabimet, rolin negativ të flamujve, nevojën për përfshirje në negociata. Ata shprehin pikëpamje të ndryshme por kryesisht atë se procesi i normalizimit nuk po është efektiv dhe nuk po i sjellë përmirësimet e pritura.

Kur mendojmë nëse Baronesha Ashton ka mundur të bëj më shumë, mbase duhet t’ia kujtojmë vetes se cilët ishin objektivat e saj: përmirësimi i jetës së njerëzve, të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve, dhe kështu, të sjellë Serbinë dhe Kosovën më afër Evropës. Ky i fundit është arritur pasi Serbia ka filluar negociatat e anëtarësimit ndërsa Kosova ka sigluar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Beogradi e mori çmimin e vet në fund të vitit të kaluar ndërsa Prishtinës iu desht të presë pak më gjatë. Megjithatë mund të thuhet se të dyja vendet, tani, 10 muaj më vonë, kanë bërë hapa mbrapa në të cilët BE-ja nuk ka rol direkt dhe, për çfarëdo qofshin arsyet, procesi i normalizimit duket se po vendnumëron.

Nëse mendohet se BE-ja ka mundur të bëjë më shumë në 2013, dhe nuk ka asnjë dyshim për rolin e kushtëzimit të tyre, nuk jam e sigurt se Baronesha Ashton do të pajtohej. Bisedimet zgjatën më shumë sesa kishte planifikuar apo imagjinuar ajo, edhepse vetëm në rolin e lehtësuesit. Qëllimi i saj ishte përmirësimi i jetës së njerëzve por kjo kërkon që edhe elitat politike dhe njerëzit të marrin përgjegjësi për këtë objektiv, lidership dhe vizion për të përmirësuar jetën e njerëzve. Problemi me këtë është ilustruar mirë në blogun për lirinë e lëvizjes, dhe në tekstet mbi kthimin dhe konfliktin. Vërejtjet në këtë të fundit mbi gabimet dhe “nxjerrjen e mësimeve prej tyre, që do të sigurojnë që krimet kundër të tjerëve nuk do të përsëriten kurrë më” ishin reflektim i pikëpamjeve të shprehura në diskutimin tonë në Sallonin e së martes.

Evropa, megjithatë, nuk është vetëm një destinacion, por një qasje dhe një rrugëtim që kërkon ndryshime të qëndrimeve, kuptimin e vlerave evropiane. Mund të paramendoj se kjo është ajo që edhe Baronesha kishte në mendje. Ne të gjithë mund ta kritikojmë politikën dhe efikasitetin e BE-së por lëvizja evropiane është më e vjetër se aq. Është fëmija i mendimtarëve jo-konformist si Jean Monnet, Paul-Henri Spaak, krijuesve të Këshillit të Europës dhe të gjitha përpjekjeve për të drejta të njeriut që shkojnë me të. Mund të jetë me dobi t’ia kujtojmë vetvetes se afrimi me Evropën nuk është vetëm një hap fizik, përmbyllje e kapitujve, plotësim i kutive nëpër formularë etj, por se kjo kërkon ndryshime në të menduar.

Për fat të keq, muaji i parë për projektin New Perspektiva përfundoi me dy ngjarje tejet shqetësuese: grafitet në Manastirin e Deçanit dhe huliganizmin në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri. Komenti duket disi i tepërt. Megjithatë, dëshiroj ta di nëse ndokush ka shkuar në Deçan për t’u thënë murgjve se u vjen keq për atë që ka ndodhur, nëse u kanë ofruar ndihmë për t’i shlyer ato dhe për të gjetur mënyra që këto gjëra të mos ndodhin në të ardhmen. Shpresoj që po.