Një rrëfim ndryshe për Kino “Lumbardhi”

Posterë të filmave, fletë të gazetave të ndryshme të kohës së Jugosllavisë, fletorja zyrtare e Republikës Socialiste të Serbisë dhe lista të numrave të telefonit të ndërmarrjeve të ndryshme të kohës ishin disa prej dokumenteve që Vladimir Miladinović i kishte përpunuar, duke i vizatuar me dorë, por pa i ndryshuar në pamje dhe kuptim. Ai kishte nxjerrë në ekspozitë rreth 40 dokumente të ndryshme që kishin qenë të groposura në arkivin e kino “Lumbardhit”.

0
42

Të premtën e 19 korrikut, kur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dha dorëheqje për shkak të ftesës nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar për t’u intervistuar si i dyshuar për krime luftë, në Prizren kishte arritur një artist nga Serbia, për të hapur ekspozitën e tij të emëruar “Kino”, në kinemanë simbol të qytetit “Lumbardhi”.

Rastësia e ngjarjeve ishte simbolike. Përderisa zhvillimet politike japin përshtypjen se raportet mes Kosovës dhe Serbisë, si ato ndër-komunitare e edhe ato ndërshtetërore, vetëm se po ftohen akoma më shumë, arti – pa bërë shumë zhurmë – po tenton të ndreqë çka politika po prish.

Artisti Vladimir Miladinović kishte pritur shumë të rinj e edhe mosha të tjera që kishin ardhur për të parë ekspozitën e tij.

E veçanta e kësaj ekspozite ishte në fakt niveli i ndërveprimit që e kërkonte që në fillim për ta kuptuar e deshifruar punën e tij. Meqenëse ishte hera e pare që po e shihja punën e Vladimirit, isha tërë sy e vesh për të absorbuar çdo lloj informacioni që lundronte përreth të pranishmëve për të.

Vladimiri para dy viteve kishte takuar një mik të tij nga Prizreni, Ares Shporta, i cili mes tjerash e kishte njoftuar për një arkiv artistik që gjendet në kinemanë “Lumbardhi”.

Dy vite pas, Miladinović i quan dokumentet në këtë arkivë si “folder të pluhurosur”.

Posterë të filmave, fletë të gazetave të ndryshme të kohës së Jugosllavisë, fletorja zyrtare e Republikës Socialiste të Serbisë dhe lista të numrave të telefonit të ndërmarrjeve të ndryshme të kohës; ishin disa prej dokumenteve që Vladimir Miladinović i kishte përpunuar, duke i vizatuar me dorë, por pa i ndryshuar në pamje dhe kuptim.

“Unë i përdori këto dokumente si pikë fillestare për punën time dhe kurrë nuk intervenoj në përmbajtjen e dokumentit por i vetmi intervenim është se hulumtoj dhe tentoj t’i kthej në diskutim disa periudha historike që janë problematike ose jo shumë të pranishme sot në diskursin publik”, thotë ai.

“Unë jam i ulur në studion time dhe si akt performativ, i rishkruaj letrat një nga një, fjali për fjali, të gjithë materialin”.

Ai kishte nxjerrë në ekspozitë rreth 40 dokumente të ndryshme që kishin qenë të groposura në arkivin e kino “Lumbardhit”.

Dukumentet nga arkivi i kinemasë “Lumbardhi”, autori i ka nxjerrë prej kohës ku kjo kinema kishte vitet e arta të funksionimit.

Ndonëse në Prizrenin e sotëm, por edhe të atëhershëm, shumica dërrmuese e banorëve të këtij qyteti ishin të kombësisë shqiptare, dokumentacionet e publikuara në ekspozitë mund të japin një pamje tjetër.

Shumica e dokumentacionit, posterëve të filmave etj, informacionet i kishin ofruar pothuajse vetëm në gjuhën serbe.

Për dikë që s’mund të ketë ditur shumë për historinë e Ballkanit, e posaçërisht të Kosovës, i cili mund ta shihte këtë ekspozitë, lehtësisht do të mund t’i përfytyronte qytetarët e Prizrenit si jo shqiptarë.

Krejt kjo, për shkak të gjuhës, e cila në mos e para, është një nga pjesët më të rëndësishme të identitetit të një njeriu.

I vetmi dokument, i nxjerrë në ekspozitë, që jipte informacione në gjuhën shqipe ishte “Fletorja Zyrtare e Republikës Socialiste të Serbisë”, në të cilën ishte shkruar dekreti për shpalljen e Ligjit mbi Punët e Brendshme të Republikës së asaj kohe.

Shumica tjetër e dokumenteve të asaj kohe qytetarëve u kishin ofruar informacion vetëm në gjuhën serbe.

Kjo ekspozitë, përveç tjerash, më shtyri të mendoj edhe për qasjen diskriminuese të asaj kohe karshi komunitetit shqiptar, duke mos u dhënë informacionet edhe në gjuhën amë.

Po të mos ishin dokumentet e nxjerra nga pluhuri prej anës së Vladimir Miladinovićit, kjo qasje e regjimit të asaj kohe, do mbetej e papërjetuar nga unë.

Në një bisedë të shkurtë për New Perspektiva, autori ka rrëfyer se si i kishte lindur fillimisht ideja për realizimin e një ekspozite të tillë.

“Para dy viteve Ares Shporta më ftoi ta hulumtoj këtë arkiv, nuk është e lehtë ta quaj arkiv sepse nuk është arkiv, si institucion, por është zyrë me plot materiale të ndryshme dhe filluam të mendonim për to. Pastaj njëherë erdha vetëm t’ia hedhë një sy se çfarë kanë dhe dikur fillova të zhbiroj në këto folderë me pluhur dhe t’i skenoj dokumentet e ndryshme, fotografitë, posterët dhe filmat, etj. Dhe tash, pas dy viteve e kemi këtë ekspozitë që u mbështet nga Beogradi e Prishtina”, tha Miladinović për New Perspektivën, përderisa vazhdoi përsëri të diskutonte mbi ekspozitën me mysafirët.

Disa prej punimeve ishin posterë të filmave që dikur ishin shfaqur në kinemanë e qytetit të Lumbardhit e disa të tjera ishin shkrime të gazetave të ndryshme të kohës.

Vladimiri përmes kësaj ekspozitë ka sjellë në kujtesën e shumë qytetarëve prizrenas edhe shfaqjen e njërit prej filmave shumë të përfolur të asaj kohe, por edhe kësaj të tashmes, “Terminator 2”, të aktorit Arnold Schwarzenegger, apo filmin tjetër, “Thunder Run”.

Disa dekada më vonë prej shfaqjes së këtyre filmave, Vladimiri thotë se do të ishte shumë mirë nëse ndjekësit e filmave në Prizren do të kishin mundësi të uleshin përsëri në karriget e Lumbardhit për t’i ndjekur po ata filma.

“Do të ishte shumë mirë. Unë kam gjetur një koleksion të madh të posterave të filmave hollivudian, psh Terminatori. Ne të gjithë jemi rritur me filmat e Terminatorit. Është një memorie që të kthen mbrapa në kohën e fëmijërisë”, shprehet Miladinović, derisa shton se ka provuar t’i gjejë disa filma që s’i kishte parë online.

Duke folur për idenë dhe mesazhin e kësaj ekspozite, Miladinović thotë se synimi i tij qenësor nuk është përcjellja e një mesazhi, aq sa është fakti që dëshiron t’i vë gjërat në pikëpyetje.

“Nuk e kam për synim të perçoj ndonjë mesazh, por më shumë t’i vë gjërat në pikëpyetje, si në artin e kesaj kinemaje dhe në potencialin e saj të madh, si kur ishte hapur në vitin 1951 dhe punonte në shumë periudha të ndryshme historike. Ka shumë gjurmë të lëna pas dhe tani të gjitha janë në këto folderë të pluhurosur”, thotë ai.

“Pra mesazhi do të ishte që duhet t’i vëmë në pikëpyetje narrativat dominuese që ofrohen përmes masmediave (media në përmasa të mëdha), në vend se t’i ndjekim ashtu siç zakonisht ndodh”, thotë ai.

SHARE